Friday, August 14, 2009

Molla e Artë



Na ishte seç na ishte...

Na ishte njëherë një mbret...

Njëherë, mbreti përhapi fjalë në tërë mbretërinë: "Atij që do të më thotë gënjeshtrën më të madhe do t'i jap një mollë të artë!"

Erdhën plot njerëz që rrëfyen gënjeshtra, por mbreti u përgjigjej se:"Qenkan të gjitha të bukura, por kush më siguron mua që nuk janë
të vërteta?"


Një ditë te mbreti erdhi një fshatar, i cili i tha:
- Madhëri, kthemi florinjtë e mi!
- Florinjtë? - u habit mbreti.
- Po, m'i more javën e kaluar.
- Gënjen, s'të kam marrë asgjë, - bërtiti mbreti.


- Nëse kjo qenka gënjeshtër, - ia priti burri, - atëherë urdhëro të ma japin mollën e artë!
Mbreti krenar e finok s'deshi të dorëzohej. Bëri sikur iu kujtua:
- Ah, po, nuk gënjen, - i tha burrit. - Më ke dhënë vërtet ca florinj një javë më parë.
- Thashë unë? Ja, u kujtuat, Madhëri! Atëherë urdhëro të m'i kthejnë florinjtë e mi.
E ç'ti bënte mbreti? U detyrua t'ia jepte mollën e artë burrit të mençur.


Wednesday, August 5, 2009

Kali dhe Gomari



Një njeri kishte një kalë dhe një gomar. Kur njëherë ishin duke udhëtuar, gomari i tha kalit:
- Merr pak prej barrës sime, të lutem, që të mbetem gjallë.
Kali nuk e dëgjoi. Kështu gomari, nga lodhja e tepërt, u rrëzua dhe ngordhi.



I zoti, mandej, ja ngarkoi tërë barrën kalit, madje edhe lëkurën e gomarit të ngordhur. Kali filloi të ankohej:

- Oh unë i mjeri, ç'ka më gjeti! Nuk dëgjova që të mbartja barrë të
vogël, kurse tash, ja po i mbart të gjitha, madje edhe lëkurën e
gomarit të ngordhur.




Tuesday, August 4, 2009

Iriqi i sëmurë



U sëmur iriqi i shkretë,
termometri mbi dyzetë,
Farefisi, pas zakonit,
iu drejtua injeksonit...

- Po zbuloja ti një çikë,
nuk të dhëmb, hiç mos ki frikë!
... Por u hodh përpjetë doktori,
se u shpua vetë i gjori.

Autori: Tahsim Gjokutaj

Saturday, August 1, 2009

Macja dhe miu


Mace, mace,
pis, pis, pis,
ç'ka dollapi,
që lëviz,

Është miu,
koçomiu,
të gjitha pjatat,
i lëpiu...




Mi i vogël,
ki kujdes,
bjeri rrethit,
mes për mes,

Andej hyr,
e këtej dil,
rreth e qark,
mos iu sill,

Miu i vogël,
seç u lodh,
macja hop,
mbi të, u hodh.


Thursday, July 30, 2009

Andej, këtej...


Andej, këtej, kuturu,
para, prapa, dhe këtu,
lart e poshtë, ja kështu,
këndon zogu dru më dru.


Image from: picture-book

Wednesday, July 29, 2009

Pse s'i heqin që ti thajnë?


Bie shiu pika-pika,
Lahen rosat, lahen rikat,
lahen patat, qafë-gjatat,
lahen bibat, pendë-artat,

I sheh Mira dhe habitet,
-Mirë që lajnë këmbë dhe faqe,
Mirë dhe pendët që i lajnë,
Pse s'i heqin që ti thajnë?

Image from picture-book

Sunday, June 14, 2009

Bubi dhe pulat


Bubi i vogël,
laraman,
leh gjithë ditën,
ham, ham, ham.

Pulat hanë,
në avlli,
sulet bubi,
me furi.




Ko, ko, ko,
ka, ka, ka,
bubi, bubi,
po na ha.

Pulat kotë,
frikë kanë,
bubi dhelprës,
nuk i ngjan.


Image from here

Thursday, June 11, 2009

Kush e gjen?


Porsi lëmsh është rrumbullak,
mot e jetë sillet qark,
pa benzinë shkon e vjen,
kur lëviz askush s'e ndjen,
është plakë sa s'tregohet,
por nuk lodhet as ankohet...

(Toka)

Image from: here

Friday, May 29, 2009

1 Qershori


Një Qershori ynë,
Erdhi përsëri,
Edhe më të lumtur,
Ne na gjen tani,

Të gjithë të gëzuar,
Lozim dhe këndojmë,
Rroftë 1 Qershori,
Rroftë festa jonë.


Festa e fëmijëve ne Shqipëri është në 1 Qershor. Gëzuar festën fëmijë!

Clip art copyrighted by Bobbie Peachey, http://webclipart.about.com

Monday, May 18, 2009

Kali prej druri

Prapë nga nëna Dasha...


Hi, hi, hi,
kam një kalë,
me zengji,
edhe me shalë,

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...

Bar nuk ha,
as tagji,
Ujë ka,
po nuk pi.

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...

Ka për fre,
një fill pe,

Është një kalë,
kalë prej druri,
dhe babi,
një shalë i vuri.

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...


Image from here

Wednesday, May 13, 2009

Festivali i kafshëve...

Nga nëna Dasha...











Macja bën,
mjau, mjau,
minë e vogël,
çe përlau...

Kali bën,
hi, hi, hi,
nuk kam bar,
nuk kam tagji...


Rosa bën,
mak, mak, mak,
biba e vogël,
seç u lag...

Lopa bën,
mu, mu, mu,
viçi im
a është këtu... ?

Delja bën,
me, me, me,
qengjin tim,
a mos e pe...?

Pula bën,
ka, ka, ka,
bëra vezë,
sa një hata...

Qeni bën,
ham, ham, ham,
dua një kockë,
që të ha...

Gjeli bën,
ki, ki, ki,
dhe na thotë,
çohu, mos fli...!

Image from here


Më shumë vjerrsha dhe këngë me kafshë...
Kënga e festivalit të kafshëve
O sa mirë, o sa keq ...
1-2-3
Kënga e rosave
Mini-mini kukuvaca
Fli lepurush

dhe te tjera...

Wednesday, April 29, 2009

Agimi


U kuq dielli prej agimit,
Prej këtij prisi që çoi dita;
E kadalë, t'u rritun drita,
Fushë e male po lulzon.

Fryn prej bjeshke era e lehtë,
Rruzullimit i ndrron fytyra,
E prej shendit gjithë natyra,
N'duke e n'petka po gazmon.


Autori: Ndre Mjeda
Sa e bukur, sa pranverore është kjo vjerrshë...

Më shumë për Ndre Mjeden: ketu

Image from: here

Monday, April 20, 2009

Në shtëpinë tonë

Shtëpia jonë, plot me diell, plot me ngrohtësi,
në dimër e në pranverë kemi kaltërsi.
Dritarja jonë hapur rri për ty ditë e re,
për dashurinë e njerëzve tanë të mirë...



(refreni)
I duam ne njerëzit t'i kemi gjithmonë pranë;
shtëpia e jonë e bardhë, e bardhë.
I rritim femijët me dritë e me djersë;
me dashurinë për njerëzit tanë të mirë...



Kënduar nga e madhja Vaçe Zela.


Tuesday, April 14, 2009

NGJYRAT


Lakuriqi i verbër,
i pyllit të gjelbër,
dhe ketri i kuq,
ranë në pellg pëlltuq!


Korbi i zi,
këndon mbi selvi,
kra kra kra kra...
kri kri kri...

Pranë detit të kaltër,
furgoni bardhë e gri,
po sjell akullore,
pip pip pip tek ti...

Në kovën e verdhë,
lëpihet një mi,
del, të kilikos,
kilikiliki...(varet nga kapaciteti i mushkrive)


Image from: here

Vargje të tjera nga "perandoria7":
Insektet në punë
Vargje zbavitëse për bebusha ...
1-2-3



Thursday, April 9, 2009

Plakat e Marsit




Gjithmonë, në fund të marsit, gati 3 ditët e fundit bën shumë ftohtë. Të vjetrit thonë se këto ditë janë ditët e plakave.
Gojëdhana e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione. Këtu u mundova të mbledh disa prej tyre:



1.
Vjen marsi. Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: "Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit." Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.

2.
Plakat e marsit janë shtatë. Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar). Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.

Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe cdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.

3.
Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) celi zogjtë që në mars. E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin:

Mullizeza zogjt i çeli,
na marsh të keqen Mars kaçeli...

Edhe këtë muaji Mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave. Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

4.
Kur plakat i thanë marsit, "na marrsh të keqen", marsi u zemerua aq shumë sa tha "shkurt(apo prill?) o im vëlla, më jep dy dite hua, t'i thaj plakat me gjith ç'kanë... "





Saturday, March 28, 2009

Gjë e gjëza (Breshka)



Kam samar,
po s'jam gomar...
(breshka)



Image from: here

Thursday, March 26, 2009

Gjë e gjëza (Muajt e Vitit)

Një lis me dymbëdhjetë dega,
gjashtë të buta,
gjashtë të egra...

"Muajt e Vitit"


Dymbëdhjete Muajt e Vitit, është një përrallë shumë e bukur, te cilës i përket edhe ky ilustrim. Do ta sjell edhe atë tek vogëlushët.
Image from here

Wednesday, March 25, 2009

Gjëegjëza


Hap e mbyll,
ndrit si yll.
(syri)





Asht nej kullë e bardhë,
pa dritare dhe pa shkallë.
(veza)



Image from: here

Monday, March 23, 2009

Mini Mini Kukuvaca

Ishim ulur me disa miq (Fatosi midis tyre) dhe po flisnim për bukurinë e folklorit tonë, përrallat në vecanti. Përralla "Njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë" paskësh pasur shumë sukses me një grup studentash të mbledhur për dëfrim (happy hour) një mbrëmje të premte! Në dëfrim e sipër, dikush propozon të bëjnë një kontest se kush nga kombet e pranishme kishin përrallën më zbavitëse. Rezultati s'ka diskutim :)

Kështu pra, dhe unë mora vesh për këtë garë të cuditshme ku kishte marrë pjesë edhe blogu i vogëlushëve :)

Por, Fatosi dërgoi edhe këto vargje zbavitëse, shumë të këndshme për vogëlushët:

Mini mini kukuvaca,
Shkova bleva gjashtë pata,
Tri t’zeza tri t’bardha,



Shkova rashë te As’ Lika,
Gjeta qenin pika pika,
Mora thuprën dhe e shika,
Çohu qen e m’përcjell,
Se kam gruen pezmatore,
Që m’i ruen ato re,
Posi pela pa fre,
Pula voji natën,
Gjeli mori spatën,
Gjel’ Vasinë e vranë,
Motrat e qanë,
Hallven ia banë,
Me grushta ia përlanë.


Tuesday, March 10, 2009

Dallendyshe


Dallandyshe bishtgërshërë,
faqe-kuqe, sqep-gjilpërë,

që shëtite nëpër botë,
a s'më thua mike sot,

cila tokë të është dukur,
në gjithë botën më e bukur?

më e bukur, o fëmijë,
është nëna Shqipëri!


Më kujtohet kur e recitonim :). Duhet të kemi qenë në shkollën fillore. Kur vinte vargu i fundit, e thoshte gjithë klasa në kor...

Dallandyshet i kam dashur shumë. Bënin folenë tek ballkoni ynë. Më kujtohet kur rrija dhe shikoja se si i ushqenin të vegjlit pa përtuar... Gjithë verën ballkoni ynë ishte plot cicërima. Mërzitesha kur iknin në vjeshtë për shtegëtim, dhe mezi i prisja kur vinte pranvera...

Saturday, March 7, 2009

Kënga e nënës (Anita Take)

Nënë, emër i dashur për mua,
Me je e shtrenjtë, të dua,
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi...




E lehtë është jeta kur di që kam nënë,
Në çdo çast të vështirë e ndjej pranë,
Në brengë e halle ajo më ka qënë,
Rreze që dritë shpërndan.



Një nënë, vetëm një nënë ka në botë,
Ëmbël tingëllon zëri i saj,
Kur "bir" fëmijës ajo do ti thotë,
Qesh e ndriçon zemër e saj.

Nënë, emër i dashur për mua,
Me je e shtrenjtë, të dua,
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi...

Kur zemra rreh në gëzime e dëshpërime,
Tek ti mendimi më shkon,
Pranë teje ndjehem më e dashur, më trime,
Më e lumtur se botë e tërë.

Friday, March 6, 2009

Për 8 Marsin


Për 8 Marsin mami,
Të uroj unë sot,
Lumturi të kesh,
Ti për jetë e mot!


Image from: Here

Wednesday, March 4, 2009

Gjuha jonë, sa e mirë ...



Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!



Në 7 Mars 1887, në qytetin e Korçës, u hap shkolla e parë shqipe, e cila u quajt mësonjëtore. Rilindasit, të cilët punuan dhe e vlerësuan shumë këtë ditë shkruan edhe shumë vargje për të. Këto vargje i përkasin poezisë Korça, të Naim Frashërit (lexo më poshtë). Sa bukur shprehet për gjuhën tonë!

Në përkujtim të kësaj dite, 7 Marsi në Shqipëri është festa e mësuesit. Nxënësit i urojnë mësuesve festën, iu dhurojnë lule dhe iu japin dhurata të vogla...



Poezia e plotë e Naim Frashërit, kushtuar ditës së hapjes së mësonjëtores (shkollës) së parë shqipe në Korçë...

Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

KORÇA

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq' e mir'e kaq'e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit'e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q'e bekoi zot'i vërtetë
Dh'e dërgoi me shumë dritë,
T'i mbes'emëri përjetë.

Sot e vumë gurr'e parë,
Sa'sht'e bekuar kjo ditë!
Zot'i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh'e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht'e shtije,
Mbretëron fjal'e vërtetë,
Dhe të mirat gjith'i bije.

Zot'i math qoft'i lëvduar,
Q'e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo 'shtë mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.

S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët'emër nderr'e kemi.

Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën' e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Naim Frashëri

Tuesday, March 3, 2009

Gëzuar 7 Marsin

Filmi: Një vonesë e vogël

Regjia: Xhanfize Keko (1982)

Skenari: Bashkim Hoxha, Xh. Keko
Producent: Kinostudio Shqipëria e Re
Muzika: Aleksandër Lalo

Heronjtë e filmit janë një grup fëmijësh: Besiana, Dorina, Ermali, Kliti, të cilët në 7 Mars, festën e mësuesit, nisen për në shtëpinë e mësueses së tyre. Filmi është plot me situata të këndshme gjatë rrugës për në shtëpinë e mësueses.





Sunday, March 1, 2009

Pranvera



Kaloi dimri, erdh' pranvera
me lulëzim,
Erdh’ lejleku, dallëndyshja
fluturim.

Rritet bari, vishet pylli
me blerim,
Hapet zemra e fëmijve
plot gëzim.


Autori: ?
Image from: here

Tuesday, February 10, 2009

Një kritikë për matematikën

Shënim: Ditët e fundit faqja e vogëlushëve ka patur shumë kërkesa për vjerrsha për 17 Shkurtin. Në pamundësi të gjeja vjerrsha të atilla, mendova të sjell këtu një poezi të një poeteje kosovare, Drenusha Zajmi-Hoxha.



Sa herë që kemi orë matematike,
Koka ime ndodhet në gjendje kritike,
Kot që thonë se është lëndë e mirë,
Atëherë pse duhet të jetë kaq e vështirë?


Ca vija të drejta që askund s’takohen,
Segmente,katrorë të gjitha m’ngatërrohen,
Ca emra t’vështirë nuk m’i thotë dot buza,
Sinus e kosinus, pastaj hipotenuza.

Shumë numra të panjohur iks e ypsilon,
Mblidh e zbrit tërë ditën,asgjë nuk fiton,
Dhe pastaj ç’na qenka dhe ky numri Pi,
Këtë 3.14 s’e mban mend dot njeri.

Tërhiq diagonalen saktë me vizore,
Mat e ç’mat syprinën,nxirr rrënjën katrore,
Këndngushtë,kënddrejtë apo këndgjërrë,
Çfarë rëndësie ka, trekëndësha janë të tërë.

Dhe t’ju them të drejtën, le ta dijë gjithë bota,
Mua këto veprime më duken thjesht të kota,
Trurin tim s’kuptoj pse ta mundoj të gjorin,
Kur në xhep gjithnjë, mbaj kalkulatorin.

Nëna ime e mirë shpesh më jep kritikë,
Nuk mund të ecë bota, pa matematikë,
Pjestim dhe shumëzim, mbledhje edhe zbritje,
Në çdo hap të jetës, kërkohet llogaritje.

Se ajo ka të drejtë, edhe unë pajtohem,
Të mësoj matematikë, prapë do të mundohem,
Tani e kuptova dhe do ta mbaj mend prore.
Sa shumë vlerë kanë formulat matematikore.

Autori: Drenusha Zajmi-Hoxha
Image from: here

Një poemë tjetër e përshtatshme për 17 Shkurtin: Jam Shqiptar e Kosovar nga Mitrush Kuteli.

Monday, February 9, 2009

Gjergj Elez Alia


Trim mbi trima kishte qënë gjithmonë Gjergj Elez Alia. Vjetë e vjet ai i kishte dal zot truallit të të parëve, ia kish mbrojtur nderin. Kish luftuar me topuz
e shpatë kundër armiqve të derdhur këtej nga deti e nga toka për të shkelur vendin, për t'a dhunuar e zhveshur. Dhe të gjithë këta armiq Gjergj Elez Alia i kish shtrirë përtokë pa frymë.
Por në luftrat e shumta me dhunonjës të shumtë trimi ynë kishte marrë nëntë plagë në shtat dhe tani kishte nëntë vjet që dergjej në kullë. Atë e kishin harruar të gjithë dhe e kishin lënë në dorë të fatit. Nuk e kishte harruar vetëm e motra që i rrinte ditë e natë mbi krye. I lante plagët me ujët e gurrës nëntë vjece, ia shpëlante me lotët e syve të saj, i terte gjakun me flokët e ballit; shtatin ia lidhte me shamitë e nënës, ia hijshonte me petka e moçme të tatës; armët e brezit ia rendiste mbi krye. Sepse kur i shihte armët pranë, bacë Gjergji e ndjente zemrën ende të ngrohtë, i ngjallej një fill shprese.


Ai i duronte si burrë dhembjet e plagëve kur i ndërronte motra shtatin. Vetëm një dhembje nuk e duronte dot Gjergji. Dhembjen për motrën e dashur të varrosur së gjalli pranë tij, në kullën e lartë, që t'i mjekonte plagët, të përkujdeseshe për të. Kjo dhembje e shtrinte Gjergjin si të vdekur, pa frymë.
E motra e Gjergjit s'kish patur kurë çaste gëzimi. Ndërsa shoqet e saj gëzonin të ritë e tyre, kishin dashuruar, ishin martuar, kishin lindur fëmijë, ajo rrinte gjithnjë mbyllur në kullë pranë Gjergjit të sëmurë.

Kështu kaluan të nëntë vjetët.

Vitin e nëntë u hap e mori dhenë fjala gjëmëmadhe se kish dalë nga deti një bajloz i zi, trim i fortë e i prapë, më i lig nga gjithë bajlozët e tjerë që kishin shkelur gjer atëherë truallin tonë. Ky bajloz i prapë i kishte hedhur vendit një rreng të rëndë; çdo derë ti jepte një dash të pjekur, çdo vatër ti dërgonte një vashë të njomë.
Bajlozi vriste ditë për ditë, digjte javë për javë një krahinë. Kishte vrarë aq kreshnikë sa tani askush s' kish zemër t'i dilte përpara e t'i priste hovin, sepse topuzi i tij ishte shumë i rëndë, shpata e tij ishte shumë e mprehtë dhe shigjeta e tij përshkonte tej e tej trupin e kreshnikut.

Kështu tërë vendi lëndonte nën thundrën e tij.

Gjergj Elez Alia s'dinte gjë; ai dergjej në shtrat si i vdekur e i pakallur në varr. Askush nuk vinte t'i qante brengën e ti kërkonte ndihmë sepse e dinin se s'kishte forcë as të dilte tek pragu i derës. Kur i erdhi rradha shtëpisë së Gjergjit që t'i jepte Bajlozit haraçin, dashin e pjekur dhe motrën, kjo, motra, qau me lot dhe u ankua dhe nëmi:

- O vëlla, po qysh na harroi neve vdekja e s'na mori!
Nëna e tata kalben të vdekur nën blir.
Shtati i vëllait kalbet së gjalli brenda në shtëpi.
Shtati i motrës do të bjerë në duart e balozit të zi ...
Pse vallë nuk shëmbet kjo kullë të na zërë brenda të dy?
Pse s'bëhet gërmadhë kjo shtëpia jonë?
Vdekja është më e ëmbël moj e zeza nënë se sa jeta pa nder.

Atëherë Gjergji u zgjua, shikoi përreth e s'dinte ç'kishte ndodhur. Kish ndjerë që i ishte lagur fytyra dhe kish pandehur se kulla i ishte rrënuar aq shumë sa ia shtinte shiun brenda. Zemra iu bë copë, shikoi motrën; dy vija lotësh ia përshkuan faqet e tretura. Dhe nga pikëllimi mallkoi kullën;

- Hej, u nxifsh moj kulla ime! Të mbuloftë fund e krye lëmashku. Paç banorë brevën e gjarprit!
Si më lëshove ti kaq shpejt pikat e shiut brenda në shtrat ?

Motra ia fshiu me dorë të dredhur lotët e i tha:
- Jo, more vëlla, nuk bie shi përjashta e nuk pikon çatia e kullës.
Ty të kanë lodhur fort plagët e shtatit dhe shkretia, prandaj s'di ç'flet; sytë e mi pikojnë lot vëlla !

Atëherë Gjergji i shtrëngoi dorën me atë pëllëmbën e thatë, i lëmoi ëmbël fytyrën, e shikoi me ata sytë e mallit dhe i foli me zjarr, si nuk kish folur kurrë:
- Pse qan moj motër ? Pse ma thyen kaq shumë zemrën ?
Shtati im ka nëntë vjet që po kalbet së gjalli.
Në këta nëntë vjet Gjergji yt s'ka pasur kurrë pushim e ka fërfëlluar gjithnjë si ai gjethi i ahut në faqe të shullërit.
Vallë a s'ke pasur të hash e të pish në këta nëtë vjet?
A s'të ka mbajtur ty vëllai me të veshur e të mbathur?
A të ka rënduar ndonjëherë me fjalë?
Apo tu mërzit vëllai dhe të ka lindur dëshira të martohesh e ta braktisësh?

Motra, ia mori dorën, ia vuri mbi ballin e saj dhe iu përgjigj bukur:
- Oh vëlla! Kaq shumë të paska mërzitur vuajtja që më flet kështu?
Hyfsha gjallë nën dhè në më shkon mendja për t'u martuar.
Të ngrënë e të pirë kam patur mjaft vëlla.
Edhe të veshur e të mbathur kam pasur mjaft,
Kurrë s'më ke rënduar me fjalë si sot.
Unë ty të kam tatë, ty të kam vëlla.
Po sot bacë Gjergji dua të qaj një brengë të madhe.
Si nuk t'u përkëmb vallë shtati në këta nëntë vjet që të dalësh gjer te praku i derës?
Si nuk u tha motra jote - e thaftë vera!
Po qysh të duroj unë e zeza turpin e ti shkoj bajlozit në derë?

Kur dëgjoi këto fjalë, bacë Gjergji i harroi të nëtë plagët e shtatit, i harroi të nëtë dhimbjet dhe brofi drejt e më këmbë sikur të mos paskësh lënguar kurrë në shtrat: i hollë, i gjatë, ashtu siç kishte qënë dikur trim mbi trima. I tha së motrës:

- O motër, merr tani gjogun e luftës e zbrit shpejt deri tek nallban vëllami.
I thuaj:
"Të dërgon falmeshëndet Gjergji, t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj hekuri të farkuar e thumba trungji, se do ti dalë bajlozit në shesh të burrave".
Po s'desh të ma mbathë gjogun nallban vëllami, hipi sërish e shko në derë të nallban dashamirit.

Vajza i hipi gjogut, e ngau shpejt, zbriti në qytet e shkoi drejt tek nallban vëllami.
- Puna e mbarë o nallban vëllami!
- Mbarë paç, moj vashë e largët!
- O vëllam, të dërgon falëmeshëndet bacë Gjergji t'ia mbathesh mire gjogun
me patkoj hekuri të farkuar e thumba trungji, se do t'i dalë baljozit në shesh të burrave.

Mirëpo në këta nëntë vjetët, që kur Gjergji ish varrosur së gjalli brenda në kullë, nallban vëllami e kish harrur fare vëllazërinë e vjetër. Ai nisi t'i flasë së prapthi së motrës së bacë Gjergjit.
- Po të m'i falësh - tha -moj vashë, ata sytë e ballit, unë do të shpëtoj Gjergjin tënd: do t'ia mbath mirë gjogun e do t'ia bëj të fluturojë si era.

Motra e Gjergjit ia ktheu me zemërim:
- C'po thua ashtu, o nallban, tu thaftë goja? Un pandeva se pata ardhur në derë të vëllamit, po e shoh se paskam rënë në derë të magjypit. Këta dy sy unë ia kam falur një hërë e përgjithmonë nënës e tatës që kalben nën dhè, ia kam falur Gjergjit tim që kalbet me nëntë plagë mbi dhè!

Kaq i tha motra e Gjergjit nallban vëllamit që e kish harruar vëllazërinë dhe i ra kalit e shkoi te nallban dashamiri.
- O nallban dashamiri - i tha - të dërgon falëmeshëndet bacë Gjergji, t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj të farkuar dhe me thumba trungji, se do të dalë të luftojë me bajlozin e detit.

Nallban dashamiri s'ia bëri fjalën dy po ia mbathi kalin mirë e bukur si për vete.
- I thuaj - tha - falëmeshëndet bacë Gjergjit e daltë faqebardhë në luftë.
- Rrofsh e qofsh o nallban dashamiri !... - ia ktheu vasha.
Mbrëmanet vajza u kthye në shtëpi dhe gjeti Gjergjin tek po priste nën hijen e blirit: i veshur e i mbathur me armët pranë. Ai kishte mposhtur dhimbjen e shtatit për të ruajtur nderin e shtëpisë së vet e të gjithë vendit për hakmarrje.

C'bëri Gjergj Elez Alia ?

Ia dërgoi falëmeshëndet Bajlozit të detit dhe i tha :
- Unë s'kam vashë për ty o bajloz !
Deshtë e vathës nuk i kam majmur për ty.
Kam vetëm një motër në shtëpi po nuk ta jap dot se s'ka kush të më lidhë plagët e shtatit. Ndaj të pres të dalësh në dyluftim në shesh të burrave.

Kur zuri drita të zbardhë majat ata të dy, Gjergji dhe Bajlozi i detit, dolën kaluar në fushë të luftës dhe zunë t'a thumbojnë shoqishoqin me fjalë. Bajlozi ish veshur me parzmore të rënda hekuri, kish vënë në kokë përkrenare celiku ish armatosur me
këpucë të rënda dhe shpatë të gjatë dhe kalin e kish ngarkuar me pllaka hekuri. Tundej dheu ku shkelte. Sapo pa Gjergjin të ligur e të tretur, kaluar mbi gjog, bajlozi qeshi me të madhe dhe i thirri :

- Nga varri qenkë ngritur o Gjergj!
Pse më ke nxjerë kot bre burrë në fushë të luftës ?
A nuk e di ti se mua më thonë bajloz deti ?
Unë kam shembur nga kali shumë kreshnikë dhe i kam dërguar në botën tjetër.
Ty do të shemb me gishtin e vogël !

Gjergji ia ktheu bukur :
- Mirë po thua o bajloz të lumtë goja !
Vërtetë unë kam nëntë vjet që kam marrë udhën e varrit se kam nëntë plagë në shtat, po pa arritur ende në varr ti më ktheve prapë, sepse ti më ke kërkuar motrën
përpara se të më kërkosh dyluftimin, ke kërkuar berat përpara se të kërkosh barinë !

Unë kam ardhur këtu të tregoj se ç'na thotë kanuni i të parëve tanë; të mos lëshojmë gjënë para se të lëshojmë armët, të mos i japim kurrë motrat bajlozit para se të vritemi me shpatë në shesh të luftës. Bëhu gati bajloz se të ka ardhur dita e fundit. Këtu i thonë Gjergj Elez Alia !

I lëshuan kuajt vrap në fushën e luftës tym më tym . Bajlozi i prapë mori në shenjë i pari dhe hodhi topuzin . Gjogu i Gjergjit përkuli të dy gjunjët dhe u ul. Topuzi i rëndë i bajlozit i fluturoi Gjergjit mbi krye dhe u ngul tutje dymbëdhjetë pash thellë nën lëndinë. Pluhuri u ngrit dymbëdhjetë pash lart. Kur i erdhi rradha Gjergjit e hodhi bukur topuzin e vet dhe e qëlloi bajlozin në shteg të ballit. Bajlozi u përkul dhe u gremis i vdekur. Kur u gremis u tund tërë fusha. Kali mori arratinë . Gjergji nxori menjëherë shpatën e mprehtë dhe ia ndau kryet nga trungu. Kryet ia vari në modhë të shalës. Trungun ia hoqi zvarë për këmbe nëpër fushë përmes ferrash dhe drizash dhe ia hodhi në një përrua. Gjaku i bajlzoit të zi rrodhi nëpër përrua, nxiu gjithë lumin. Tre vjet rresht vendi rreth e qark kundërmoi erë kërme...

Si e vrau bajlzoin e zi, trimi u kthye fitimtar në shtëpi, mblodhi gjithë shokët e u tha : -pa dëgjoni o shokët e mi, falë ju qofshin kullat e mia, falë ju qofshin gjithë paret e mia, falë ju qoftë gjithë malli dhe gjëja ime, amanet motrën e Gjergj Elez Alisë.

Dhe trimi u hodh të përqafonte motërzezën që e priste me gëzim. Të dyve zemrat u pushuan përnjëherësh. Vëlla e motër ranë përdhe të vdekur.

Vdekje më e lehtë dhe më e ëmbël s'ish parë kurrë. Shokët vajtuan me gjëmë të madhe, hapën pastaj një varr të gjerë sa t'i nxërë të dy vëlla e motër të përqafuar. Varrin e rrethuan me një muranë të bukur që të mos harrohej kurrë se sa shumë e kishte dashur vëllai motrën dhe motra të vëllanë, të mos harrohej trimi i madh Gjergj Elez Alia, që mbrojti nderin e vet dhe të shtëpisë dhe që shpëtoi vendin nga dhunat e bajlozit të zi.
Mbi krye shokët u mbollën atyre të dyve një bli të bukur, atje pushon ngaherë zogu i verës...


Kur nisi të dushkohet mali qyqja qëndroi mbi muranën e varrit të ri se e gjeti blirin të tharë. Fluturoi mbi sarajet e zeza dhe e gjeti tërë kulmin të shëmbur përdhe. Atëherë zuri vend në një dritare dhe i tha me përbetim shtegtarit që shkonte udhës:
- Dëgjo o shtegtar i malit, në qofsh duke kënduar kur të afrohsh kësaj ane pushoje këngën tënde, në qofsh duke qarë kur të afrohesh kësaj ane shtoje dhe më shumë vajin e gjëmën.
Unë kërkova bjeshkë më bjeshkë,
verova verim më verim,
mjerova shtëpi pas shtëpije
por kërkund nuk e pashë një trim si Gjergj Elez Alia.
Të gjitha shkuan e vanë,
Gjergj Elez Alia vdiq, motra e dhembshur vdiq,
kulla e lartë u shemb dhe murana e varrit s'njihet më,
as kulla e dikurshme,
po doli kënga që shkon si një yll drite nëpër shekuj
për të kënduar trimërinë e vëlait dhe dashurinë e motrës,
fismërinë e shpirtit të madh shqiptar
dhe kënga nuk vdes kurrë...


Përshtatur sipas rrëfenjës nga >Mitrush Kuteli.
Legjenda të tjera shqiptare: këtu.
Albanian Legends In English: Robert Elsie
Forumi Shqiptar ka një përmbledhje artikujsh e shkrimesh të tjera të Kutelit dhe mbi Kutelin këtu.

Thursday, February 5, 2009

Insektet në punë ...


Pa vështroni
me kujdes lëndinës.
Insektet gjithandej punojnë;
milingona, mollëkuqe,
buburreca, karkaleca,
mbledhin gjethe,
mbledhin fara,
dhe marshojnë.


Disa vargje të tjera zbavitëse për të vegjlit nga përdoruesi i Albforumit "perandoria7". Disa vargje të tjera nga i njejti burim janë edhe ato që unë i titullova "1-2-3" dhe Vargje zbavitëse për bebusha ...

Image from Free Clipart

Wednesday, February 4, 2009

Vargje zbavitëse për bebusha ...



A e dini çfarë bën(emri i vogëlushit) kur mërzitet?
Luan me babin (mamin) e tij, dhe zbavitet.
Përkulu,drejtohu,
përplas këmbët,rrotullohu,
Përkulu,drejtohu,
përplas duart,rrotullohu,
Përkulu,drejtohu,
puthe babin (mamin),rrotullohu.
...
(përmend cdo lloj veprimi që të vjen ndër mend)


Disa vargje të tjera zbavitëse për të vegjlit nga përdoruesi i Albforumit "perandoria7". Disa vargje të tjera nga i njejti burim janë edhe ato që unë i titullova "1-2-3".

Image from Clipart guide

Friday, January 23, 2009

Dy e Nji


Dy veshë na kemi e vec nji gojë të vetme,
Se shumë sende me ndi i duhen t'urtit,
Por fjal't me i k'putë për s'shkurtit.

Dy sy prapë kemi e vec nji gojë të vetme,
Se shumë sende me k'qyrun asht' nevoja,
E pak me folun goja.

Ndre Mjeda

Më shumë për autorin:
Shkodra
Fajtori
English

Wednesday, January 21, 2009

Porosia e fundit e SKËNDERBEUT

Me rastin e ditës së Skënderbeut, 17 Janar, po sjell dy tregime nga libri i Leximit. Me sa mbaj mend duhet të jenë nga klasa e parë ose e dytë. Librin nuk e kam që ta kontrolloj. Autorin nuk e di.

BASHKIMI BËN FUQINË

Skënderbeu para se të vdiste, thirri pranë vetës trimat e tij. Iu drejtua më të riut e i tha:
-Gjon, ti je i ri e i fuqishëm. Merri ato thupra dhe ashtu, grumbull sic janë thyeji!

Djaloshi mori thuprat dhe u përpoq me gjithë fuqinë, por sí theu dot. Pas tij provuan dhe dy-tre të tjerë, por as ata nuk mundën t´i thyenin.
Atëherë Skënderbeu e mori tufën e thuprave, e zgjidhi dhe iu drejtua të birit:
-Gjin, merri thuprat dhe thyeji një nga një.

Gjini i theu të gjitha.
As më i fuqishmi nga ju ,-tha Skënderbeu, s´mundi t´i thyejë thuprat së bashku. Kurse Gjini, që është ende i vogël, i theu një nga një. Prandaj qëndroni gjithmonë të bashkuar, sepse kështu edhe pa mua do të fitoni. Arbërisë nuk i kanë munguar kurrë trimat. Betohuni!".
Trimat nxorën shpatat dhe thirrën:
Betohemi!
Luftërat për liri vazhduan edhe pas vdekjes së Skënderbeut.




BARIU I VOGËL DHE SKËNDERBEU
Kruja kishte ditë që ishte rrethuar. Skënderbeu po vështronte nga mali. Në këte kohë rojet i sollën një djalë të vogë.
-E gjetëm këtu afër, po vinte te ne, - i tha një nga rojat.
Skënderbeu e pa me vërejtje. Djali mund të ishte dymbëdhjetë vjec.
-Si erdhe deri këtu?-e pyeti Skënderbeu.
-Vij nga Laci (Laqi). Turqit na dogjën fshatin dhe morën gjithë bagetinë,-tha djali.
Skënderbeu i përkëdheli flokët.
-Si të quajnë? i tha.
-Tanush,-u përgjegj djali.
-Mirë, Tanush i vogël. Tani shko të clodhesh.
-Po unë dua të luftoj kundër turqve!-tha Tanushi.
-Clodhu, se edhe ti do të kesh rast të luftosh,-i dha zemër Skënderbeu.
Tanushi u largua i gëzuar.
Ra nata.
Skënderbeu mblodhi komandantët në shatoren e tij e u tha:
-Sonte do t´i sulmojmë të gjithë turqit menjeherë. Dikush duhet të shkojë për të lajmëruar malësorët në anën tjetër.
Te hyrja e shatores dicka lëvizi. Ishte Tanushi i vogël. Ai i doli përpara Skënderbeut e i tha i vendosur: Shkoj unë t´i lajmëroj. I njoh të gjitha shtigjet. Askush nuk do të më diktojë.
Skënderbeu vuri buzën në gaz e tundi kokën në shenjë mospranimi. Por Tanushi nguli këmbë sa e cuditi Skënderbenë.
-Mirë, o trim, nisu!-tha Skënderbeu, por bashkë me të dërgoi dhe një luftëtar tjetër.
Ata u nisën dhe filluan të zvarriteshin nëpër shtigje ku kalonin vetëm dhitë. Zbritën tatëpjetë në një luginë të vogël. Aty vunë re dy ushtarë turq, që rrinin rrëzë një guri. Ata dëgjuan zhurmë dhe kthyen kokën, por nuk panë njeri.
-Do të jetë ndonjë lepur,-tha njëri nga ushtarët dhe mori shenjë e gjuajti te vendi ku u dëgjua zhurma. Shigjeta e gervishi në krah Tanushin, por ai nuk lëvizi. Ata pritën pak, pastaj u larguan. Ateherë Tanushi bashkë me luftëtarin vazhduan rrugën me nxitim. Kaluan pa rrezik edhe një rojë tjetër dhe arritën në vendin e duhur.
Atë natë turqit u goditën në befasi nga të dyja anët. Armiku u shpartallua krejtësisht.
Pas betejës, Skënderbeu e thirri Tanushin dhe i tha:
-Merre këtë hark dhe këtë shigjetë si dhuratë, o trim. Ti luftove njëlloj si ne.



Fotografia e monumentit: këtu.
Për një përshkrim të shkurtër se kush ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu shiko këtu. Për më shumë diskutim rreth të madhit Skënderbe shfleto këtu.

Monday, January 19, 2009

Kush i thotë dot?


Të shikojmë kush i thotë dot shpejt e shpejt e pa u ngatërruar ...


1.
Kupa me kapak, kupa pa kapak,
kupa me kapak, kupa pa kapak...

2.
Karikaturisti karikaturoi një karikaturë karakteristike!

3.
Vera ikte, vjeshta vinte, vera vjeshten s'e arrinte.

4.
Dhe dhe, dhe dhe more...

5.
E shes thesin, s'e shes thesin!

6.
Plepi plak i plasur, pak palcë paska pasur!

7.
Thimi thuri me thupra thane të thata një thark për thiun, dhe therri thiun thinjosh me thikë therrëse në thertore.

Shtojca nga ELAIS:

4b. Dhe dhe, dhe dhe more, dhe more, se dhe dhe.

6b. Pesë sëpata plaka presin pesë plepa pleq. Plepi më plak ka palcë më pak.



Image from here

Saturday, January 17, 2009

Gjë e gjëza (Bleta)


Zu-zu-zu, zu-zu-zu,
Shkon atje e shkon këtu,
Punon ditë e punon natë,
Na jep dyllë e na jep mjaltë.


(bleta)


Falemiderit, Brikena.

Friday, January 16, 2009

Njerëzia dhe kandari


Është një trastë plot me rrush.
Sa rrush ka? Kush e gjen? Kush?

Nja tri kile do të ketë.

Jo, jo! Katër e përpjetë.
Njëri, Pesë. Gjashtë, tjetri.

Fjalën merr dhe më i vjetri:
Jo kështu s'bëhet pazari!
Sa rrush ka, e gjen kandari...


Autorin nuk e di...
Figure from: here

Thursday, January 15, 2009

Arushi që kërkonte babanë

Pylli ishte zgjuar si përditë. Zogjtë fluturonin dhe i jepnin pyllit ëmbëlsi me cicërimat e tyre. Kafshët luanin me njëra-tjetrën. Të gjithë ishin të gëzuar.
Por, papritur, këtë atmosferë të bukur e prishi një e qarë. Lepurushi, ketrushi dhe iriqi që ishin duke kërcyer ndërprenë vallen dhe u drejtuan nga vinte e qara.
Kur miqtë panë një arush të vogël të ulur mbi një gur dhe qante.
- Pse po qan? - e pyeti lepurushi.
- Kam humbur babin. - tha arushi duke qarë.
- Po si e ka emrin babi yt? - i tha iriqi.
- Babi. - tha arushi i vogël.




Kafshët e tjera qeshën. Arushi i vogël vazhdon të qajë me lot.
- Si thoni shokë, ta ndihmojmë arushin që të gjejë babanë? - tha lepurushi
- Ta ndihmojmë, ta ndihmojmë - thanë të gjithë miqtë e pyllit.

- Do vij dhe unë me ju që t'ju ndihmoj të gjeni rrugën. - tha një zog i bukur.
- Hipni në makinën time - tha ketrushi, dhe të gjithë së bashku u nisën që të takonin të gjithë arinjtë e pyllit. Njëri prej tyre duhet të ishte babi i arushit të vogël.

Dha ja ndaluan para nje Berberhane ku punonte si berber një ari.
Ariu berber po qethte një cjap.
- Më falni - tha lepurushi - mos është ky arushi djali juaj?
- Po unë jam beqar mor i uruar - ia ktheu ariu berber dhe po qeshte me të madhe. Qeshi edhe cjapi. Miqtë u turpëruan, kërkuan falje dhe u larguan.

Miqtë u nisën drejt rrobaqepsisë te ariu rrobaqepës.
Ai po qepte pantallonat e nje gomari.
- Po ku i ke grisur kështu pantallonat more gomar? - tha ariu.
- Në ferra usta - ia ktheu gomari. - Usta, u bënë gati?
Tha ariu dhe nxorri kokën nga prapa perdes së dhomës së nderrimit.

Ndërkohë hynë miqtë tanë.
- Më falni - tha lepurushi - mos është ky arushi djali juaj?
- Fëmijët e mi nuk largohen kurrë nga shtëpia pa leje - tha ariu rrobaqepës pa e kthyer fare koken që të shihte.

Miqtë u nisën drejt ariut peshëngritës.
- Më falni - tha lepurushi - mos është ky arushi djali juaj?
- Mmmm- ia bëri ariu dhe i tregoi miqve fëmijët e tij që ishin radhitur në stërvitje.
- Femijët e mij nuk janë ngordhalaqë - shtoi ariu...

Miqtë të dëshpëruar u nisën drejt ariut fotograf.
- Më falni - tha lepurushi - mos është vallë ky arushi djali juaj?
- Jo - tha ariu,
- Ju lutem, na ndihmoni të gjejmë babanë e këtij arushi se ky nuk mban mend as emrin. Iu lut ketrushi ariut fotograf.
- Patjeter, - tha fotografi - unë do ju tregoj fotografitë e gjithë arinjve të pyllit tonë.

Arushi i vogël shikon me rradhë në fotografi ariun gjuetar, ariun berber, ariun rrobaqepës, ariun peshëngritës, ariun artist, ...

Arushi i vogel u hodh nga gëzimi dhe thërriti.
- Babi, babi ime, babi ime!

Të gjithë u kënaqën. Ariu fotograf i bëri një fotografi të gjithë miqve dhe ata u nisen drejt cirkut. Sa arritën te dera, arushi i vogël filloi të thërriste.
- O ba, babi!
Ariu artist dëgjoi zërin dhe doli. Arushi iu hodh ne qafë, e puthi dhe i tha.
- Babi, unë humba!
Ariu artist i falenderoi kafshët e pyllit që e kishin ndihmuar djalin e tij dhe i ftoi të gjithë për të parë shfaqjen e cirkut.

Wednesday, January 14, 2009

Breshka dhe lepuri

"Më e shpejtë se sa shpejtësia është zemra e mirë dhe mendja e shkathët."







Tuesday, January 13, 2009

Kënga e Globit, me muzikë ...

Dhuratë për ditëlindje...

Kënduar nga David Tukiqi, në një nga festivalet e hershme të fëmijëve...
Nuk po i gjej dot, autorët e tekstit dhe të muzikës...
Muzika: Nikolla Zoraqi
Teksti: Fatos Arapi


Mendoj se kjo është një nga këngët më të bukura të muzikës shqiptare...




Në përvjetor të ditëlindjes tënde,
Ke plot dhurata mbi tavolinë,
Dhe në mes tyre një glob të vogël,
Shokët e klasës ta kane sjellë,

Dhe në mes tyre një glob të vogël,
Shokët ta kanë sjellë,

Rreth e rreth përqark,
Globi rrotullohet,
Fluturojnë mbi të,
Gjithë kontinentet,
Ja atdheu ynë,
Ja përmes kaltërsisë,
Shqipëria ime,
Ja ku është.


Fushës qiellore, nëpër kristale
Fluturon globi e mban në shpinë
Rrugë dhe pemë, zogj e limane
Zjarre qytetesh që natën ndrijnë

Shpresa e njerëz, erë e tufane
Globi i mban mbi shpinë

Rreth e rreth përqark,
Globi rrotullohet,
Fluturojnë mbi të,
Gjithë kontinentet,
Ja atdheu ynë,
Ja përmes kaltërsisë,
Shqipëria ime,
Ja ku është.

Monday, January 12, 2009

Breshka dhe lepuri


Lepuri dhe breshka i kishin shtëpitë pranë dhe pranë. Lepuri gjithnjë e ngacmonte breshkën për ngadalësinë e saj. E quante plakë, megjithëse ata ishin moshatarë me njëri-tjetrin. Për t'u mburrur i kërkonte të bënin një garë vrapimi. Breshka nuk i përgjigjej, por kthente rrugë.



Lepuri përsëri ia priste udhën.
-Hë, zonja breshkë, si thua, a pranon të bësh një garë me mua?
-Mirë, -tha një ditë breshka.

Lepuri u çudit nga fjalët e breshkës. Lepuri e quante veten "më të shpejtin e kafshëve". Breshka ishte më e ngadalta.

Lajmi se breshka dhe lepuri do të bënin një garë vrapimi me njëri-tjetrin ishte përhapur në të gjithë pyllin. Të gjitha kafshët u çuditën me vendimin e breshkës.

Erdhi dhe dita e garës së madhe. Breshka dhe lepuri u vendosën në vijë si atletët dhe me t'u dhënë sinjali u nisën. Lepuri vrapoi me të katra dhe u bë erë, kurse breshka lëvizte me hapa të ngadalta. Lepuri duke vrapuar e kthente kokën prapa. Breshka zvogëlohej dhe zvogëlohej në sytë e tij, derisa erdhi një çast që nuk u pa më. Breshka kishte mbetur shumë prapa.

Ishte shumë vapë. Lepuri qëndroi për të parë breshkën. Ajo nuk dukej gjëkundi. Kishte mbetur shumë prapa. Lepurit i erdhi keq për breshkën, ndaj mendoi të merrte një sy gjumë nën hijen e pemëve derisa të afrohej breshka. Kur breshka të afrohej, ai do të vraponte përsëri dhe do ta fitonte garën.

Nën pemë frynte një erë e freskët dhe lepurin e mori një gjumë i thellë. Një gjumë më i thellë nuk bëhej. Ngadalë ngadalë, breshka arriti tek hija e drurëve. Ajo dëgjoi një gërhimë. Hodhi shikimin dhe pa lepurin që po gërhiste. Kushedi se çfarë ëndërrash shihte. Nuk qëndroi por vazhdoi në udhën e saj me të njëjtin hap.

Ec dhe ec…

Ec dhe ec…

Breshka po i afrohej fundit të garës.

Dikur lepuri u zgjua nga gjumi i thellë dhe hodhi sytë prapa për të parë breshkën. Ajo nuk dukej poshtë në udhë. Lepuri filloi të vraponte i sigurtë se breshka kishte mbetur prapa, ose e kishte lënë garën. Në një çast ngriti kokën dhe shumë përpara tij, atje ku gara përfundonte, pa breshkën. U çudit sa më s'bëhet dhe vrapoi me të gjithë fuqinë që ta arrinte. Ishte vonë, sepse breshka e kishte fituar garën. Kafshët e pyllit prisnin ardhjen e lepurit, por atij nuk i bënin më këmbët të vraponte. Mallkonte veten për gjumin e rëndë që e kishte zënë. Që nga ajo ditë lepuri nuk do ta ngacmonte më dhe nuk do të guxonte të futej në garë me breshkën. Trembej se mos përsëri do ta rrëmbente gjumi i rëndë.


Sunday, January 11, 2009

Ndodhitë e Çufos

Kur ishim të vegjël një nga librat që e lexonim shumë ishte libri "Aventurat e Çufos" shkruar nga Gaqo Bushaka. Ky përbëhej nga "Çufo dhe bubi kaçurrel", "Çufo në shtëpinë e çudirave" dhe "Pushimet e Çufos".

Çufo ishte një derrkuc i lezeçëm që na bëri për vete kur ishim fëmijë dhe akoma e kemi xhan edhe sot...

"Çufo, Çufo o gjumash, shkon në shkollë avash avash"

"O po ç'po kendojnë gjashtë bilbila,
tre të kuq e tre jeshila..."






Friday, January 9, 2009

Dy gosti

Një nga filmat e preferuar të fëmijërisë ...






Thursday, December 25, 2008

Si e festonim Vitin e Ri, kujtime...

Ushqimet, gatimet, darka e Vitit te Ri



Për ne darka e vitit të ri simbolizonte bollëkun më të madh të vitit. Pjata kryesore ishte kaposhi i detit. Pjatat plotësuese përfshinin: bërxollat e viçit, dollmën, byrekun, patatet e skuqura, sallatërat, salcën e kosit, gogozharet, etj, etj...
Ndërsa ëmbëlsira kryesore ishte bakllavaja, që shoqërohej herë me kadajif e herë me shëndetli.

Shtëpia duhej të ishte dritë, të mos kishte asnjë pluhur. Perdet, xhamat laheshin disa ditë përpara. Viti i ri nuk mund të na gjente me rroba pa larë, ose me qilima të pashkundur. Gjithcka pastrohej, sistemohej dhe pritej nata e madhe.

Pastaj fillonin gatimet. Që dy dite para bëhej bakllavaja, me petet e hollaaaa, sa të këputeshin, si një fletë letre. Mamaja dhe gjyshja bëheshin bashkë dhe ato hiqnin petët, ndërsa ne fëmijët shtypnim arrat.

Këtu ishte lezeti sepse duke qenë se mamatë ishin të zëna me pregatitjen e petëve (që duhej të përfundonin para se babi të vinte në shtëpi, babit nuk i pëlqente rrëmuja :)) ne e hanim gjysmën e arrave. Sa mërzitej mamaja e shkretë (nuk do më dali bakllavaja e mirë thoshte :), ato arra mezi i mblidhte gjatë gjithë vitit) por arrat dilnin edhe për bakllavatë, edhe për ne.

Bakllavaja duhej të piqej në zjarr të ngadaltë, të merrte atë ngjyrën e bukur të grurit, edhe prerja e fetave bëhej me lezet, që të ngjante si kallinj gruri. Shëndetlija, edhe kjo donte punë shumë, bëhej me shumë mjaltë e arra, dhe bëhej shumë e bukur kur zbukurohej me bajame të qëruara...



Image from: here

Wednesday, December 24, 2008

Si e festonim Vitin e Ri, kujtime ...

Dhuratat dhe vizitat


Gjyshërit tanë pregatisnin për të gjithë nipat e mbesat nga një pako të vogël. Aty kishte: një palë çorape të ngrohta prej leshi që i kishte thurrur nëna, një grusht arra dhe bajame, disa kokrra portokalle dhe manderina, nje varg palafike (fiq te tharë), disa monedha dhe disa karamele.



Mami dhe babi na blinin cfarë të kishim nevojë (bluzë, pantallona, xhakavento, triko, këpucë), dhe ata të kishin mundësi.
Rrobat e reja i kombinonim me rrobat më të mira dhe i vishnim në datën 1 Janar kur dilnim për të bërë vizitat tek të gjithë njerëzit e familjes.
Në fillim venim tek më të mëdhenjtë, gjyshi dhe gjyshja, xhaxhai i madh, dajua i madh, halla e madhe, tezja e madhe, dhe vazhdonim sipas moshës.
Sipas moshës së prindërve i binte që në datën 1 Janar në darkë (ose në 2 Janar) të prisnim ne vizita në shtëpinë tonë.
Njerëzit më të dashur, dhe sidomos të rinjtë vinin që në datën 31 Dhjetor në mesnatë për vizitë, "për të bërë këmbë".
Vizitës së parë i nxirrnim thelën më të mirë të bakllavasë, dhe e uronim "Paç këmbën e mbarë..."


Image from: open clipart

Tuesday, December 23, 2008

Si e festonim Vitin e Ri, kujtime...

Zbukurimi për festë


Ne ishim një grup 4-5 vetash që keto ditë ishim shumë të preokupuar me zbukurimin e klasës. Mbaj mend që bënim shirita me ngjyra (letër punëdore) dhe i varnim në tavan :), me pambuk zbukuronim dritaret, dhe i bënim si flokëza dëbore :). Gjithashtu prisnim edhe letër të bardhë në forma të ndryshme të kristaleve të borës dhe i ngjisnim në dritare.
Me letër të bardhë, të ndritshme, ose cellofan, bënim një lloj shiriti tjetër: letrën e prisnim në shirita të hollë, të hollë, dhe i vinim në një fije spango, duke e kaluar në vendin ku binte më mirë drita. Shiritat e hollë prej letre cellofani ose nga ajo e ndritshmja ndriçonin shumë bukur kur ndizeshin dritat, dhe dhoma merrte një pamje shumë festive.

Kur mund të gjenim ndonjë bredh të vogël atëherë kënaqesia më e madhe ishte zbukurimi i pemës. Kur shikoj gjithë këto lloj zbukurimesh që janë mbushur dyqanet sot, më kujtohen gjithë ato zbukurime që krijonim ne, por ato ishin të gjitha prej letre dhe pambuku...


Image from :

open clipart

Monday, December 22, 2008

Vjerrsha e Abetares, kujtime...


Abetare fort të dua,
Me ato shkronjat e tua,
Dora ime u mësua,
Mendja ime u ndriçua,
Kam mësuar të lexoj,
Shkruaj bukur, recitoj...





Kur ishim ne të vegjël, rreth kësaj kohe të vitit festonim "Festën e Abetares". Të gjithë fëmijët pregatisnin një program me vjerrsha e këngë për prindërit. Të gjithë së bashku përcillnim Abetaren e dashur që na kishte mësuar shkronjat. Në fund, shfaqja mbyllej me ardhjen e mikut të ri "Leximit" dhe gjithë librave të tjerë...



Image from: here


Thursday, December 18, 2008

Ymer Agë Ulqini

Nuk po gjej një figurë të përshtatshme për këtë përrallë:
Nëse ndonjëri prej jush që e lexoni këtë blog dëshiron të krijojë vizatime të përshtatshme për këngët, vjerrshat, apo përrallat që mund të vendosim këtu, ju lutem më kontaktoni...


Dhe tani, sipas gojëdhanës:


Ymer Agë Ulqini


YMER AGË Ulqini ishte djalë në lule të moshës. Të sotmen u martua të nesërmen i erdhi kartë nga mbreti: "Ti Ymer Agë Ulqini të nisesh e të shkosh në luftë se po na sulmon armiku ... "Kjo kartë ishte e zezë, e hidhur se ndante trimin nga vasha. Po Ymer Aga ishte ushtar nuk e bëntë fjalën dysh. U ngrit, shaloi balashin, ngjeshi armët, shkoi u la shëndenë miqve, shokëve, nënës e atit, pastaj vajti e ia tha vashës: Moj vasha ime, mua më dërgon mbreti fjalë të shkoj në luftë e duhet të nisem.




- Merrmë dhe mua me ty Ymer Agë -, i thotë vasha.
- Jo vashë nuk të marr dot, se atje i thonë luftë e lufta është për burrat. Unë dua të më japësh besën se nuk do të martohesh e do më presësh derisa të kthehem.
Më thuaj sa do të më presësh ti mua moj vasha ime ?
- Do të të pres nëntë ditë
- Nëntë ditë janë pak moj vashë, udha ime është e gjatë dhe lufta është e gjatë, se kjo luftë bëhet në dhe të largët. Në më do siç të dua të më presësh nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë të nëntë vjetët e të nëntë ditët e unë të mos kthehem ti vashë martohu e trashëgohu se kështu qënka thënë, atëherë unë s'do të jem gjallë.
Vasha psherëtiu
- Mirë Ymer Agë do të të pres nëtë vjet e nëntë ditë.
Kështu e lidhën fjalën ata të dy. Ai të shkojë në luftë, ajo të presë nëntë vjet e nëntë ditë. Ymer Aga i la shëndenë vashës, i hipi balashit e shkoi me zemër të ngrohtë në luftë. Kali ikte e linte prapa një re pluhuri që ngrihej në udhë. Kalorësi nxitonte të arrinte sa më shpejt në luftë. Trim ishte Ymer Agë Ulqini por armiku ishte i madh e i shumtë. Që në përpjekjen e parë të tij iu turrën mizëri kalorësish
të veshur me hekur. E qarkuan dhe e qëlluan me shpatë, Ymer Aga luftoi si burrë, shtriu përdhe shumë burra, plagosi shumë të tjerë po në luftë e sipër i vranë balashin. Sa ia vranë balashin Ymer Aga luftoi në këmbë gjersa iu thye shpata. E zunë rob e hodhën në burg brenda në kështjellë. Qarkuan nga të katër anët me gurë mure të lartë dhe e mbajtën derë për nder se kishte qënë trim dhe trimi nderohet kudo. Aty në dhe të huaj në burg shkojnë ditët e bëhen javë, shkojnë javët e bëhen muaj, shkojnë muajt e bëhen vjetë. Një dy, tre, më shumë...
Mirëpo Ymer Agë Ulqini e ka zemrën të ngrohtë sepse vasha i ka dhënë fjalën ta presë në shtëpi nëntë vjet e nëntë ditë. Ai ha bukë, pi verë, qesh, ju jep zemër shokëve i bie ciftelisë. Dëgjon bija e mbretit të huaj e çuditet.
C'është ky njeri - thotë - që s'tutet se është burg brenda në burgun e kështjellës.
- Eshtë Ymer Agë Ulqini - i thonë.
- Të fortë e paska zemrën.
- Të fortë e të ngrohtë se është shqiptar, me fjalën e tij e me këngën e tij i forcon e i ngroh edhe të tjerët, shokët. Po në të vërtetë Ymer Aga e ka zemrën të ngrohtë e syrin zjarr. Pret që mbreti i tij të dërgojë shpërlblesë, ose shkëmbesë që ta lirojë. "Domosdo" - thotë Ymer Aga - "mbreti do të dërgojë të më lirojë se unë kam luftuar kaq vjet për të. Ia kam dëgjuar gjithnjë fjalën, ku më ka dërguar kam vajtur, ku ka dashur kam luftuar..."
Po Ymer Aga nuk di se mbretërit i harrojnë njerëzit që u kanë bërë shërbime. Edhe mbreti i tij e ka harruar fare. Atij si bëhet vonë se ka e s'ka Ymer Aga në këtë botë. Se Ymer Agën e pret vasha në shtëpi, se Ymer Aga kalbet në burg. Mbreti bën kokrrën e qejfit në sarajet mëdha buzë detit, ha e pi e ndërron gratë, dërgon të tjerë në luftë që të vriten e të bien rob. Hajde, hajde na shkojnë të nëntë vjetët. Afrohet dita e zezë. Pas nëntë ditësh do të martohet vasha e Ymer Agës, siç e kishin lidhur fjalën bashkë. Atëherë Ymer Agës i ftohet zemra, i shuhet syri, nuk ha më bukë, nuk pi më verë, nuk i bie ciftelisë . Cuditen gjithë shokët e pyesin çka e pse rri i mekur . Ai nuk përgjigjet , qëndron në heshtje kokëvarur i pikëlluar. E bija e mbretit që s'ia dëgjon më këngën pyet njerëzit:
- C'ka Ymer Aga që s'po i ndihet zëri ?
Ymer Aga i thonë - ka ditë që s'po ha e s'po pi, s'po vë gjumë në sy e s'po i bie ciftelisë.
- Ma thërrisni këtu Ymer Agën!
I vete Ymer Aga së bijës së mbretit.
- C'ke ti Ymer agë ? - e pyet e bija e mbretit . Pse s'ha bukë e pse s'pi verë, pse si bie ciftelisë.
Ymer Aga pëshon e ia kthen:
- Nuk ha dot e nuk pi dot, moj bijë e mbretit, as ciftelisë nuk i bie dot. Kam parë një ëndërr të keqe.
- C'ëndër ke parë Ymer Agë?
- Kam parë shtëpinë të nxirë e të shembur, babanë të vdekur e të harruar, nënën gjallë por të verbuar. Edhe kam parë se vasha ime po martohet. Unë veç një natë kam ndenjur martuar me vashën time, të nesërmen më erdhi kartë të nisem për luftë. U nisa, luftova e rashë rob. Ne kemi bërë me besa besë që vasha të më presë nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë nëntë vjetët e nëntë ditët ajo të martohet e trashëgohet. Të nëntë vjetët shkuan, tani po shkojnë dhe të nëntë vitet. Të falem moj bijë e mbretit, a nuk i thua babait të më lëshojë për ca ditë, të shkoj në shtëpi sa të flas me vashën e pastaj të khehem prapë në burg.
- I them Ymer Agë por im atë, mbreti, kërkon nëntë qese aspra që të lëshojë.
- E ku ti gjej unë këto nëntë qese moj bijë e mbretit.
Unë kam nëntë vjet që jam rob i zënë ...
- C'më lë ti peng mua o Ymer Agë që të të lë të shkosh ?
- Të le besën time o bijë e mbretit .
E bija e mbretit e di se Ymer Aga është shqiptar dhe se shqiptari vdes dhe nuk e shkel besën. i Thotë:
- Ngrihu Ymer Agë, shalo kalë dorinë e për tri ditë arri në Ulqin.
Shokët e Ymer Agës fillojnë e qajnë:
- Mjerë ne Ymer Agë po shkon e na le vetëm!
Ymer Aga kthehet e u thotë:
- C'keni o shokë që po qani? Në qofsha gjallë do kthehem prapë. Këtu një orë e më parë do presim bashkë si ta kemi të thënë. Të mirëmbetshi.
- Udhë e mbarë Ymer Agë, dalsh faqebardhë!
Shalon ai shpejt kalë dorinë, i hip e merr vrapin drejt për në Ulqin. Kali ikën si shigjetë , lë pas një
vrazhdë pluhuri që ngrihet lart. Mbetën prapa male e fusha, dalin përpara male të tjera, fusha të tjera.
Vrapo dori që të arrijmë të bukurën përpara se të martohet. Ik e ik e ditë e natë me shkumë të kuqe në gojë ... Doriu është i këputur, Ymer Aga është i drobitur. Veshët i buçasin por të dy shkojnë e
shkojnë ... Për tri ditë e tri net shkojnë në vend. E ja tek zbardh Ulqini i bukur shqiptar, buzë detit
tonë ...

- Ah, Ulqin, Ulqin tërë jetën të kam pasur në zemër. Nëntë vjet të kam parë natë përnatë në ëndërr. Nëntë vjet kam dashur që të puth dheun. Valët thyhen njëra pas tjetrës në breg. Era fryn e fortë. Përsipër fluturojnë pulëbardhat... Ja tek nxin shtëpia e Ymer Agës. Ai shikon si nëpër gjumë. Jam a s'jam këtu, i është tharë gjuha për një pikë ujë. Qëndron në një krua që të lahet e të pijë, aty gjen të ëmën plakë. Ai e njeh ajo se njeh.
- Mirë se të gjej o e mira nënë!
- Mirë se vjen o rob i zënë!
- Ku më di ti se jam rob i zënë?!
- Nga flokët e gjata që të varen supeve. Nga na vjen ti o rob i zënë?
- Vij nga ajo e zeza Spanjë!
- A mos e ke parë Ymer Agën tim? A mos ke dëgjuar ndonjë fjalë për të? E kam parë sot e tri javë moj e mira nënë. Ymer Aga u vra, vetë e lava, vetë e qava e të shtatëzën ia ndava. Plaka nis vajin e vajton, Ymer Aga e bën zemrën gur e nuk i rrëfen të vërtetën. i thotë:
- C'jan ata njerëz që nxijnë tej moj e mira nënë? C'janë këta topa që po bien kodrave?
- Janë krushqit e atij qenit Veli Pashës që kanë marrë nusen e po shpien në shtëpi. Topat që bien janë topat e dasmës.
- C'nuse kanë marrë moj e mira nënë?
- Nusen e tim biri , të Ymer Agës ...
Ymer Aga i bie kalit e u del krushqve përpara.
- Mirë se ju gjej o krushq dasmorë
- Mirë se vjen , o rob i zënë. Nga na vjen ti , o rob i zënë?
- Nga ajo e zeza Spanjë
- A mos e ke parë Ymer Agën apo mos ke dëgjuar ndonjë fjalë për të?
- Kam tri javë që e kam parë. Ymer Aga u vra. Vetë e lava e vetë e qava e të shtazan ia ndava.
Krushqit gëzohen, qeshin; nusja qan nën duvak ...
Ymer Aga hidhet e thotë:
O krush o dasmorë! Ymer Aga më ka lënë një amanet: t'i them nja dy fjalë kësaj vashe.
- Thuj tri e sa të dush, o rob i zënë
Ymer Aga i afrohet koçisë dhe pyet nusen:
- A e njeh Ymer Agën, moj vashë?
- Si ta njoh e mjera unë e mjera nje natë të fjetur, nëntë vjet pa pjekur .. Ajo e zeza nënë me pat thënë se ka një shenjë në llërën e djathtë, që ia ka kafshuar kali Ymer Aga përvesh llërën e djathtë e i tregon shenjën. Nusja e njeh, gëzohet. I zbret koçisë, hedh mbi krye duvakun e nusërisë e u thotë krushqeve:
- udhë e mbarë, o krush bujarë, se unë po marr burrin e parë! Ky është Ymer Aga im. Burrë e kisha e burrë e kam për jetë e mot!
Ymer Aga e hedh në vithe të doriut edhe shkon drejt në shtëpi. Kthehet pastaj edhe sjell nënën.
Të nesërmen i hip prapë doriut edhe merr udhën e Spanjës. "Ti, dori, të më zbardhesh faqen, se i kam dhënë fjalën bijës së mbretit! "Ulqini i bukur shqiptar mbetet persëri prapa. Kali vrapon ditë e natë...
Po ç'na ndodh andej, në atë të zëzë Spanjë? Mbreti se dëgjon e se sheh Ymer Agën. Pyet e i thonë se Ymer Agën e ka lëshuar e bija që të kthehet në vendin e vet. Ai thërret sakaq të bijën e i shfyen:
- ç'u bë Ymer Aga robi ?
- E lëshova unë o im atë, që të takohet me vashën e tij se do t'ia merrte dikush tjetër. Më dha besën: për tri ditë vjen prapë. Sot mbarojnë të tri ditët e do të kthehet. mbreti zemërohet.
- Jo të gënjeu nuk do të kthehet!
Jep urdhër t'i presin kokën së bijës në krye të shkallëve.
Prit o im atë, gjersa të ngryset, se Ymer Aga do të kthehet medeomos. Ai se shkel besën
- Jo, kush shkon nuk vjen prapë. Është si zogu i kuvlisë: posa ia hape, iku...
Do të kthehet se me ka dhënë besën.
- Besa është një fjalë, dhe fjalën e merr era. Atë e shkelin dhe mretërit.
- Mbretërit e shkelin, Ymer Agë shqiptari nuk e shkel, o im atë... Në atë çast dukej tej një kalorës që vjen vrapë, duke lënë mbrapa një fashë pluhuri. Sa të mbyllesh e të hapësh sytë, kalorësi hyn në portë të kështjellës. I zbret kalit të shkumëzuar dhe i falet së bijës së mbretit:
- Rrofsh e qofsh, moj bij' e mbretit! e mbajta besën. Unë vajta e u ktheva. Rob isha, rob jam prapë.
Mbreti e shikon i çuditur nga kryet e shkallëve e thotë
- Ymer Ago shqiptar, ti paske qënë me të vertetë burrë i besës! Të lumtë!
pastaj kthehet e u jep urdhër rojeve:
Ymer Agën ta lironi të shkojë ku të dojë. Burrë qënka e burrë qoftë! Lëshoni dhe të nëntë shokët që ka.



Kam gjetur një faqe shumë të bukur me rrëfenjat e moçme shqiptare: rapsoded

Tuesday, December 16, 2008

1-2-3...

1 karrotë për lepurin,
2 arra për ketrin,
3 dele blegërijnë,
4 ujq ulërijnë,
5 pula kakarisin,
6 qukapikë çukisin,
7 rosa notojnë,
8 zogj fluturojnë,
9 gjinkalla bëjnë potere,
10 bletë në koshere...




Duke u endur në internet rastisa në një temë për fëmijë tek Albforumi. Atje më pëlqyen shumë këto vargje zbavitëse të shkruara nga përdoruesi "perandoria7". Kushdo të jetë perandoria7, unë e falenderoj shumë për këto vargje të bukura dhe po i shkruaj edhe këtu në mënyrë qe dhe fëmijë të tjerë ti lexojnë ...
Unë i vura titullin: 1-2-3.

Image from Counting friends


Shtojcë:
Kam shumë dëshirë që të bashkëpunoj me ndonjërin prej jush që e lexoni këtë blog dhe ju jepet që të krijoni vizatime të përshtatshme për këngët, vjerrshat, apo përrallat që mund të vendosim këtu. Nëse ju pëlqen kjo ide, ju lutem më kontaktoni...

Friday, December 12, 2008

Kënga e Vitit të Ri

Për Vitin e Ri, vjerrsha, këngë dhe valle...



GËZUAR VITIN E RI KOLOPUÇA...


Ja na erdhi Viti i Ri,
sa jam e gëzuar,
Porsi unë cdo fëmijë,
pret per ta festuar,

Bora zbardhi tej për tej,
fusha edhe male,
Viti i Ri do të na gjej',
me këngë e me valle.

E stolisa bredhin tim,
me lodra me yje,
era jashtë me tërbim,
le të fryjë në pyje,

plot dhurata përsëri,
do më sjellë mua,
babagjyshi i Vitit Të Ri,
oh sa fort të dua.

Wednesday, December 10, 2008

Kënga e maçokut



O maçok, çamarrok,
Pse po vjen vërdallë,
-Po kërkoj një pisanjos,
Ta lëpij në ballë.

Tri-li-li, tra-la-la,
Pisanjosa këtu s'ka,
Kopshti ynë, shembullor,
I ka pastërtorë!



-O maçok, çamarrok,
A ke tjetër punë?
-Kush ka ardhur pa shami,
Ta lëpij në hundë.

Tra-la-la, tri-li-li,
Që të gjithë kemi shami,
Kopshti ynë, shembullor,
I ka pastërtorë!



Autori: Tahsin Gjokutaj

Image from KTC

Thursday, December 4, 2008

Kujtime ... dhe vërtetime ...


Topi rrotullohet,
Portës i afrohet,
Ec,
Penallt',
Shtyll',
Gooooool!



Më në fund i vogli e hap gojën dhe e gëlltit lugën a rradhës...
Sa herë "rrotullohet topi"? Sa lugë të ketë pjata...



Image from MOE


Image from ETC

Shtojcë:
Kam shumë dëshirë që të bashkëpunoj me ndonjërin prej jush që e lexoni këtë blog dhe ju jepet që të krijoni vizatime të përshtatshme për këngët, vjerrshat, apo përrallat që mund të vendosim këtu. Nëse ju pëlqen kjo ide, ju lutem më kontaktoni...

Wednesday, December 3, 2008

Biçikleta


Vetëm me dy rrota,
Edhe një timon,
Ikën biçikleta,
Sikur fluturon,
Sa bukur Albani, (ose emri i fëmijes)
Atë e drejton...



Nuk më kujtohet më gjatë kjo kënga. Mbaj mend që e këndonim kur loznim para pallatit. Një nga fëmijët e lagjes kishte bicikletë :). Shumë e rrallë në ato vite :). Tani ia këndoj të voglit tim tre-muajsh duke i lëvizur këmbët sikur lëviz pedalet e bicikletës. Kjo këngë i pëlqen shumë.

Tuesday, December 2, 2008

Nëna ime


Nëna ime e dashur,
Sa shumë që të dua,
Ti gjithmonë ke pasur,
Shumë durim me mua.

Ti për mua je,
Thesar i paçmuar,
E gjithë bota je,
Diell i pashuar.



Monday, December 1, 2008

Himni i Flamurit


Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë dhe një qëllim,
Të gjithë Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor



Në dorë armët do t'i mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë,
Këtu armiqtë s'kanë vend

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombet shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për te, për te luftojmë ne

Vargjet: Asdreni Më shumë për Aleksandër Stavre Drenovën
Fotografia: Alkimisti