Saturday, November 21, 2009

Anekdoda për figura historike - 2



Nikoll Kaçorri dhe flamuri

Në kuvendin mbarëkombëtar me 28 Nëndor 1912, kur u shtrua për diskutim koha për ngritjen e Flamurit, patrioti Nikoll Kaçorri, ngrihet dhe thotë:
"Burra, në qoftë për të vdekur nesër, më mirë vdesim sot!" dhe i zgjat flamurin Ismail Qemalit, i cili nga ballkoni i ndërtesës e shpalosi para mijëra njerëzve nga gjithë Shqipëria.




Ismail Qemali dhe Kanan Maze

Luftëtari Kanan Maze shkoi ne zyrën e rekrutimit te qeverisë së Vlorës për të hyrë në ushtrinë shqiptare. Oficeri pasi e mati i tha:
- Shtatin e ke disa centimetra më të shkurtër nga sa e kërkon rregullorja, prandaj nuk mund të të pranojmë në ushtri.
Kanani shkoi menjëherë tek Ismail Qemali dhe i tha:
- Ismail Bej, vetëm për të gjatët e ke bërë Shqipërine apo edhe për të shkurtërit?
- Pse si është puna? - e pyeti Ismail Beu.
Kanani i tregoi çfarë i kishte ngjarë në zyrën e rekrutimit.

- Shqipëria ka nevojë edhe për të shkurtërit e, veçanërisht për trimat si ti, - ia ktheu Ismail Qemali dhe i dha një letër për komisionin, që jo vetëm ta pranonin në ushtri, por ta bënin edhe suvari.


Marre nga Forumi Shqiptar (mendoj).

Thursday, November 19, 2009

Lopa, dhia, delja dhe luani


Ndë kohë të vjetër,
një lop' e një dhi
dhe një dele tjetër
bënë shoqëri
bashkë me luanë
dhe për gja tok vanë.


Një ditë të shtunë,
një zorkadhe zunë
brënda në një ferrë.
Luani, sakaqëherë,
e mori e çau,
me thonj vet' e ndau.
Bëri katër copa,
ashtu si desh lopa:
«Cop' e madhe, tha, për mua,
se jam luan dhe kshtu dua,
Cop' e dytë, besa-besë,
më bie vetë në pjesë,
doni, s'doni, do ta marr,
se sot s'jemi barabar.
Dhe këtë copën e tretë
jam i zoti e marr vetë,
si kam gjithnjë zakonë.
Cop' e katrëtë, për zonë,
imja qoftë, pa dyshim,
se jam trim.

Perktheu: Andon Zako Cajupi
Image from: picture-book

Sunday, November 15, 2009

Friday, November 13, 2009

Sa kripa...


Na ishte seç na ishte. Na ishte një herë një baba që kishte tre vajza. Një ditë prej ditësh i shkon mendja ti pyesë vajzat e tij se sa e donin. Në fillim pyet vajzën e madhe:
- Sa e do babanë, i thotë, dhe ajo i përgjigjet,
- Sa mjalti. Dhe babai u gëzua shumë.
Pastaj pyeti vajzën e dytë. Dhe e dyta i përgjigjet,
- Sa sheqeri. Dhe përsëri babai u gëzua shumë.
Pastaj i erdhi radha vajzës së tretë. Ajo ulet afër babait të saj dhe me një zë të ëmbël iu pergjigj,




- Baba unë të dua sa kripa...

Babait nuk i pëlqeu përgjigjia e vajzës. Ai u zemërua shumë. Shumë i zemëruar i tha,
- Sa kripa?? Që sot e tutje ti nuk je më vajza ime.

E ndoqi nga shtëpia. Ajo u largua shumë e mërzitur dhe nuk e kuptonte pse babai nuk e donte më. Motrat e tallnin dhe e përbuznin. Kalon kohë. Vajza e vogël kalon shumë peripeci. E vetme ia del mbanë vështirësive.

Një ditë prej ditësh ajo njihet me një djalë të ri e të pashëm. Ata të dy e duan njëri-tjetrin dhe martohen. Në dasmë vijnë shumë të ftuar, edhe babai me motrat e saj. Kishte shumë të ftuar dhe shumë guzhinierë punonin që ti kënaqnin.

Vajza vete në guzhinë dhe u thotë guzhinierve,
- Për babanë tim do gatuaj unë.
Ashtu tha dhe ashtu bëri. Vajza pregatiti të gjitha pjatat njëlloj si të tjerët por nuk hedh kripë. Gjellët i shërbehen babait të saj. Ai mundohet të hajë por nuk i shijon asnjë gjë.


Koha kalonte. Të gjithë hanin me kënaqësi dhe dëfrehen shumë në dasëm. Vetëm babai rrinte dhe shikonte të tjerët. Atij nuk i shijon asnjë gjë. Më në fund, e humbet durimin dhe shkon në guzhinë.
- Kush i ka pregatitur këto ushqime?, thërret.
Kryeguzhinieri i bën me dorë nga vajza e tij. Vajza afrohet.
Vajza i hidhet në qafë babait dhe e pyet, - Hë baba, a po kënaqesh? A të pëlqejnë ushqimet? I kam pregatitur posaçërisht për ty.

- Ç'farë ke pregatitur kështu? S'ke turp? Pse nuk ke hedhur kripë? Asnjë gjë nuk munda të ha. Ishin të gjitha pa shije.


Vajza buzëqesh, - Baba, të kujtohet kur më pyete sa të doja, dhe unë të thashë se të doja sa kripa, dhe ti më përzure nga shtëpia? Ti nuk e do kripën baba, prandaj edhe unë bëra shumë kujdes dhe nuk përdora fare kripë për ushqimet e tua...

Babai uli kokën dhe largohet i mërzitur pa folur asnjë fjalë...

Saturday, November 7, 2009

Ismail Qemali dhe shpallja e pavaresise se Shqiperise



28 Nentor 1912


Ismail Qemali played an important role in the Albanian movement for independence. He was a principal figure in the Albanian Declaration of Independence in 28 November 1912. Together with Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, and other delegates from all the country he formed the independent government of Albania. This signaled the end of almost 500 years of Ottoman rule in Albania. He was prime minister of Albania from 1912 to 1914.

On 28 November 1912 Ismail Qemali raised the flag on the balcony of the two-story building in Vlorë where the Declaration of Independence had just been signed.

Pershtatur nga wikipedia.

Thursday, November 5, 2009

Nëntor...

Në Nëntor shqiptarët kudo që janë përkujtojnë Festën e Pavarësisë. Këto janë disa shkrime që flasin për traditën dhe simbolet tona kombëtare...

1.
Ai u quajt Shqiptar, që do të thotë "Bir i Shqipes", dhe mbretëria e tij mori emrin Shqipëri, që do të thotë "Vendi i Shqipeve."
Përralla e shqipes

2.
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë dhe një qëllim,
Të gjithë Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim...
Himnni i flamurit

3.
Bashkimi bën fuqinë
Porosia e fundit e Gjergj Kastriotit

Tuesday, November 3, 2009

Pёr vjeshtёn ...


1.
Vera ikte,
Vjeshta vinte,
Vera vjeshtёn,
S’e arrinte…Kush i thote dot?

2.
Shkoi vera
.....Si hije,
Fryn era,
.....Shi bie.Pamje vjeshte

3.
Era fryn, fletët bien,
pemët zhvishen si nga mot,
mali, fusha më s'ka hijen,
që e kishin gjer' në sot.Vjeshta

4.
Rrushin pjek në vreshta,
zogjtë larg i shpie
dhe, papritur, vjeshta
përmbi letër bie ...Vizatoj stinët

5.
Këto katër motra,
Janë stinët e vitit,
Pranvera, vera,
Vjeshta edhe dimri.Stinet e vitit

Saturday, October 24, 2009

Kënga e shiut


Shi, shi, lagashi,
bjer' o bjer, me furi,
jepi tokës pak freski!
ku ke qenë gjer tani?




Presin arat plot me grurë,
presin pyjet plot me drurë,
presin lulet, trëndafilat,
jaseminët, karafilat,
presin rosat edhe patat
sqepkuqet, qafëgjatat.

Thursday, October 22, 2009

Karamele Zana ...



Karamele Zana,
vinë nga Tirana..
Nga Tirana Peshkopi,
Çfarë numri do ti?



Unë dua treshin,
Macja kapi veshin,
Veshi u kuput,
Macja ra në llucë,
Treni u nis,
Macja u gris,
Treni ndaloi,
Macja shpëtoi...

:)
Dhe mua mu kujtuan këto sot...

Wednesday, October 21, 2009

Kujtime...



Shi, shi lagashi,
Vajti plaka në mulli,
Poqi dy kulaç me hi,
Një e poqi, një e dogji,
Një e hëngri me gith' zogj...



Friday, October 2, 2009

Pula e vogёl e kuqe


Na ishte seç na ishte.

Na ishte njё pulё e kuqe qё banonte nё njё shtёpi tё vogёl bashkё me njё patё, njё mace dhe njё qen.

Pata ishte shumё llafazane. Ajo bёnte muhabet me komshinjtё gjithё ditёn e ditёs.

Maces i pёlqente shumё vehtja. Ajo krihej, drejtonte mustaqet, dhe pastronte thonjtё gjithё ditёn e ditёs.



Qeni ishte gjumash. Ai merrte njё sy gjumё nё shilaresin para shtёpisё gjithё ditёn e ditёs.


Pula e vogёl e kuqe bёnte gjithё punёt e shtёpise. Ajo gatuante, pastronte, lante dhe pastronte rrobat, nxirrte plehrat pёrjashta, priste barin nё bahçe, pastronte gjethet e rёna, dhe bёnte edhe pazarin.

Njё ditё, tek po shkonte rrugёs pёr nё pazar, pula e vogёl e kuqe gjeti disa kokrra grurё. Ajo i mblodhi dhe i futi nё xhepin e pёrparёses.

Kur shkoi nё shtёpi, pula e vogёl pyeti shokёt e saj “kush do ti mbjelli kёto kokrrat e grurit?”

“Unё nuk i mbjell” tha pata.
“As unё” tha macja.
“As unё” tha qeni.


“Atёhere po i mbjell unё” tha pula e kuqe.
Pula e kuqe i mbolli kokrrat e grurit.

Nga kokrrat e grurit mbinё fije te vogla tё gjelbra. Pula e kuqe u gёzua shumё.
“Pa shikoni, ka mbirё gruri. Kush do tё kujdeset pёr grurin gjatё verёs?”

“Unё nuk kujdesem” tha pata.
“As unё” tha macja.
“As unё” tha qeni.


Pula e kuqe u kujdes pёr kallinjtё e grurit gjithё verёs. Ajo i ujiste dhe nuk linte barishtet e kёqija tё mbinin dhe ti zinin frymёn grurit tё vogёl. Nga fundi i verёs gruri ishte rritur e ishte zgjatur. Me kalimin e kohёs kallinjtё e grurit morёn ngjyrёn e arit.

Atёhere, pula e kuqe pyeti shokёt. “Kush do tё mё ndihmojё qё ta korrim grurin?”
“Unё nuk e korr” tha pata.
“As unё” tha macja.
“As unё” tha qeni.


Pula e kuqe e korri grurin dhe e qёroi me kujdes. Ajo i ndau farat nga kashta dhe e ngarkoi grurin nё njё karrocё dore.“Miq, tani duhet ta bёjme miell, qё pastaj ta bёjme bukё. Kush do ta çojё grurin nё mulli?”

“Unё nuk vete dot” tha pata.
“As unё” tha macja.
“As unё” tha qёni.


“Atёhere po shkoj vetё” tha pula e kuqe.
Mullixhiu e bloi grurin dhe ia dha pulёs sё kuqe nё njё thes tё vogёl plot me miell. Pula e kuqe e vuri qesen me miell nё karrocёn e dorёs dhe shkoi nё shtёpi.


Njё mёngjes, pula u çua herёt dhe tha:
“Sot ёshtё njё ditё shumё e bukur. Sot do tё gatuaj njё bukё tё mirё e tё ngrohtё me miellin e grurit. Kush do tё mё ndihmojё tё bёjme bukё?”

“Unё nuk tё ndihmoj dot” tha pata.
“As unё” tha macja.
“As unё” tha qёni.

Pula e vogёl filloi punёn vetё. Ajo trazoi miellin me vezёt dhe gjalpin. Ajo bёri brumin, i dha formёn e bukёs, dhe e vuri nё furrё qё tё piqej.

Era e bukёs se freskёt u pёrhap gjithandej. Sa erё emirё vinte buka e freskёt! Pata pushoi sё foluri, macja pushoi sё krehuri dhe qeni u ngrit nga gjumi.

Tё gjithё erdhёn nё kuzhinё. Pula e vogёl e nxorri bukёn nga furra dhe tha “Kush do tё mё ndihmojё qё ta hamё bukёn?”

“Unё” tha pata,
“Unё” tha macja.
“Unё” tha qёni.

“Hmmm” tha pula e kuqe.
“Kush e mbolli grurin?” --- Unё.
“Kush e korri grurin?“ --- Unё.
“Kush e çoi nё mulli?” --- Unё
“Kush e pruri miellin nё shtёpi, kush e bёri bukёn?” --- Unё.
“Ju nuk mё ndihmuat.”
“Tani, bukёn do ta ha vetёm unё.”

Pula hёngri bukёn dhe u kёnaq.
Patёs, maces dhe qenit ju shkoi goja lёng.

Sunday, September 27, 2009

Gjë e gjëza (Hija)



Bjen n'ujë e nuk laget,
Bjen n'gur e nuk thyhet,
Bjen n'therrë e nuk therret.
Kah të shkosh, të ndjek pas.
"Hija"



Image from:
fotosearch

Sunday, September 20, 2009

Gjuha



Një herë e një kohë rronte një njeri shumë i zgjuar, por shumë i varfer. Për të fituar buken e gojes ky njeri punonte si gjellëbërës tek një i pasur. I zoti mburrej për pasuritë që kishte por ishte torrollak.

Një ditë pasaniku ftoi disa miq për drekë. Thirri gjellëbërësin dhe e urdhëroi të gatuante vetëm dy gjellë: gjellën më të mirë dhe gjellën më të keqe.

Gjellëbërësi i hyri punës dhe gatoi gjellën më të mirë dhe atë më të keqe.

Kur u shtrua sofra, gjellëbërësi pruri gjellën e parë, gjuhë...



- Kjo është gjella me e mirë? - e pyeti i zoti.
- Kjo - iu përgjigj.
- Po pse është gjella më e mirë?
- Ai që ka gjuhe, - tha gjellëbërësi,- mund të flasë e mund të tregojë ç´mendon e ç´ndien... Prandaj gjuha është gjëja me e mirë në botë.

- Të lumtë, kështu është - thanë miqtë që ishin ulur në tryezë.

Pasi përfunduan gjellën e parë, gjellëbërësi pruri gjellën e dytë, gjuhë...

Pasaniku u zemërua keq dhe bërtiti.
-Çfarë bën kështu o i marrë. Më parë the se ishte gjëja me e mirë, ndërsa tani na doli me e keqja!!!

Gjellëbërësi vuri buzën në gaz dhe tha:
- Po, ashtu është. Gjuha është gjeja më e keqe në botë. Me ndihmën e saj, shumë njerëz gjithë kohën flasin veç marrëzira. Këta njerëz të bardhën e bëjnë të zezë, të drejtën e bëjnë të shtrembër, të mirën e bëjnë të keqe...

Të ftuarit prapë e vlerësuan. Gjellëbërësi ishte vërtetë njeri i mençur...

Wednesday, September 16, 2009

Gjë e gjëza (Gjumi)


1.
Kur e lyp, s'vjen;
Kur vjen, s'të lëshon,
"Gjumi"

2.
As nuk hahet as nuk pihet ,
Por pa të nuk rrihet.
"Gjumi"


Image from:
picture-book

Saturday, September 12, 2009

Dreri dhe Luani



Një dre i etur erdhi tek një burim. Ndërsa ishte duke pirë ujë, vuri
re në ujë hijen e vet e filloi të mburret për brirët e vet, duke parë
madhësinë e bukurinë e tyre, kurse për këmbët e veta u hidhërua që i
kish aq të holla e të hajthme. Derisa ende ishte duke menduar për këtë
gjë, ia bëhu luani e filloi ta ndjekë. Dreri ia dha këmbëve dhe u
largua mjaft prej luanit. Për sa kohë vrapoi në fushë pa drurë, dreri vrapoi
mirë e i shpëtoi rrezikut, por kur mbërriti në pyll, në një vend me
drurë të dendur, brirët iu ngatërruan nëpër degët e drurëve. Dhe pasi
nuk mundi të vrapojë më, luani e kapi.

Para se të mbaronte në gojën e luanit, dreri tha me vete:

I shkreti unë! Këmbët më shpëtuan, megjithse mendova se ato do të
më lënë në baltë, kurse e gjeta belanë prej brirëve, tek të cilët kisha
plot besim.




E ngjashme me:

"Every morning in Africa, a gazelle wakes up. It knows it must run faster than the fastest lion or it will be killed.
Every morning in Africa a lion wakes up. It knows it must outrun the slowest gazelle or it will starve to death.
Moral of the story:
It doesn't matter whether you are a lion or a gazelle: when the sun comes up, you'd better be running.""

Wednesday, September 9, 2009

Gjë e gjëza (Byreku)


Në fillim më bëjnë top,
pastaj më shtypin me një shkop,
dhe pastaj si për cudi,
e shoh vehten në tepsi.
(byreku)



Image from albanian.com

Saturday, September 5, 2009

Shqiponja, sorra dhe bariu


Një shqiponjë shigjetoi me vrull nga një shkëmb i lartë dhe rrëmbeu një qengj.
Një sorrë që e pa, plasi nga zilia dhe deshi të bënte edhe ajo të njëjtën gjë. U ul me zhurmë dhe qëndroi mbi një dash. Po iu pleksën thonjtë në leshin e dashit, e nuk mundi te ngrihej. Rrahu ajrin me krahë me forcë, sa e pikasi bariu, i cili i shkoi pranë, e zuri dhe i preu ca pendë.
Në mbrëmje e mori me vete dhe ua shpuri fëmijëve.
Kur ata e pyetën se ç'lloj zogu ishte, ai iu pergjigj:
- Eshtë një sorrë, që e mban veten për shqiponjë.



Morali dhe domethënia e fabulës:
Kush shkon pa mend, për të arritur më të mëdhenjtë se vetja, bën gjithfarë marrëzish, dhe përvec fatkeqësive që pëson, bëhet edhe qesharak.


Burimi:
Fjalët dhe shprehjet e përdorura, si dhe morali i fabules, i përkasin një blogu shqip.

Sqarim për burimin:
një blog shqip: Nuk e mbaj mend faqen (shqiptare) nga e cila e kam marrë këtë fabul. Dhe tani që po e kërkoja nuk munda ta gjej. Nëse autori e lexon, i lutem të më kontaktojë, dhe unë do të vendos linkun e duhur. Kam një grup fabulash (me moral) që do ti vendos këtu.

Image from: http://www.pbase.com/jenniemarie/

Wednesday, September 2, 2009

Gjë e gjëza (Iriqi)



Rrumbullak, strumbullak,
kur e prek të bën me gjak.
(Iriqi)


Monday, August 31, 2009

Gje e gjeza (Ora)



Pa zë heshtur numëron,
askush punën s'ia mohon.
(ora)



Tuesday, August 18, 2009

Gjë e gjëza (Libri)


Mendje s'ka, por të mëson,
Gojë s'ka, por me ty flet,
Ti përditë me të jeton,
Mik të ngushtë e ke për jetë.

(Libri)



Saturday, August 15, 2009

Gjë e gjëza (Shiu)




Jam lot që rrjedh nga qielli,
dhe më than vetëm dielli.
(shiu)




Friday, August 14, 2009

Molla e Artë



Na ishte seç na ishte...

Na ishte njëherë një mbret...

Njëherë, mbreti përhapi fjalë në tërë mbretërinë: "Atij që do të më thotë gënjeshtrën më të madhe do t'i jap një mollë të artë!"

Erdhën plot njerëz që rrëfyen gënjeshtra, por mbreti u përgjigjej se:"Qenkan të gjitha të bukura, por kush më siguron mua që nuk janë
të vërteta?"


Një ditë te mbreti erdhi një fshatar, i cili i tha:
- Madhëri, kthemi florinjtë e mi!
- Florinjtë? - u habit mbreti.
- Po, m'i more javën e kaluar.
- Gënjen, s'të kam marrë asgjë, - bërtiti mbreti.


- Nëse kjo qenka gënjeshtër, - ia priti burri, - atëherë urdhëro të ma japin mollën e artë!
Mbreti krenar e finok s'deshi të dorëzohej. Bëri sikur iu kujtua:
- Ah, po, nuk gënjen, - i tha burrit. - Më ke dhënë vërtet ca florinj një javë më parë.
- Thashë unë? Ja, u kujtuat, Madhëri! Atëherë urdhëro të m'i kthejnë florinjtë e mi.
E ç'ti bënte mbreti? U detyrua t'ia jepte mollën e artë burrit të mençur.


Wednesday, August 5, 2009

Kali dhe Gomari



Një njeri kishte një kalë dhe një gomar. Kur njëherë ishin duke udhëtuar, gomari i tha kalit:
- Merr pak prej barrës sime, të lutem, që të mbetem gjallë.
Kali nuk e dëgjoi. Kështu gomari, nga lodhja e tepërt, u rrëzua dhe ngordhi.



I zoti, mandej, ja ngarkoi tërë barrën kalit, madje edhe lëkurën e gomarit të ngordhur. Kali filloi të ankohej:

- Oh unë i mjeri, ç'ka më gjeti! Nuk dëgjova që të mbartja barrë të
vogël, kurse tash, ja po i mbart të gjitha, madje edhe lëkurën e
gomarit të ngordhur.




Tuesday, August 4, 2009

Iriqi i sëmurë



U sëmur iriqi i shkretë,
termometri mbi dyzetë,
Farefisi, pas zakonit,
iu drejtua injeksonit...

- Po zbuloja ti një çikë,
nuk të dhëmb, hiç mos ki frikë!
... Por u hodh përpjetë doktori,
se u shpua vetë i gjori.

Autori: Tahsim Gjokutaj

Saturday, August 1, 2009

Macja dhe miu


Mace, mace,
pis, pis, pis,
ç'ka dollapi,
që lëviz,

Është miu,
koçomiu,
të gjitha pjatat,
i lëpiu...




Mi i vogël,
ki kujdes,
bjeri rrethit,
mes për mes,

Andej hyr,
e këtej dil,
rreth e qark,
mos iu sill,

Miu i vogël,
seç u lodh,
macja hop,
mbi të, u hodh.


Thursday, July 30, 2009

Andej, këtej...


Andej, këtej, kuturu,
para, prapa, dhe këtu,
lart e poshtë, ja kështu,
këndon zogu dru më dru.


Image from: picture-book

Wednesday, July 29, 2009

Pse s'i heqin që ti thajnë?


Bie shiu pika-pika,
Lahen rosat, lahen rikat,
lahen patat, qafë-gjatat,
lahen bibat, pendë-artat,

I sheh Mira dhe habitet,
-Mirë që lajnë këmbë dhe faqe,
Mirë dhe pendët që i lajnë,
Pse s'i heqin që ti thajnë?

Image from picture-book

Sunday, June 14, 2009

Bubi dhe pulat


Bubi i vogël,
laraman,
leh gjithë ditën,
ham, ham, ham.

Pulat hanë,
në avlli,
sulet bubi,
me furi.




Ko, ko, ko,
ka, ka, ka,
bubi, bubi,
po na ha.

Pulat kotë,
frikë kanë,
bubi dhelprës,
nuk i ngjan.


Image from here

Thursday, June 11, 2009

Kush e gjen?


Porsi lëmsh është rrumbullak,
mot e jetë sillet qark,
pa benzinë shkon e vjen,
kur lëviz askush s'e ndjen,
është plakë sa s'tregohet,
por nuk lodhet as ankohet...

(Toka)

Image from: here

Friday, May 29, 2009

1 Qershori


Një Qershori ynë,
Erdhi përsëri,
Edhe më të lumtur,
Ne na gjen tani,

Të gjithë të gëzuar,
Lozim dhe këndojmë,
Rroftë 1 Qershori,
Rroftë festa jonë.


Festa e fëmijëve ne Shqipëri është në 1 Qershor. Gëzuar festën fëmijë!

Clip art copyrighted by Bobbie Peachey, http://webclipart.about.com

Monday, May 18, 2009

Kali prej druri

Prapë nga nëna Dasha...


Hi, hi, hi,
kam një kalë,
me zengji,
edhe me shalë,

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...

Bar nuk ha,
as tagji,
Ujë ka,
po nuk pi.

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...

Ka për fre,
një fill pe,

Është një kalë,
kalë prej druri,
dhe babi,
një shalë i vuri.

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...


Image from here

Wednesday, May 13, 2009

Festivali i kafshëve...

Nga nëna Dasha...











Macja bën,
mjau, mjau,
minë e vogël,
çe përlau...

Kali bën,
hi, hi, hi,
nuk kam bar,
nuk kam tagji...


Rosa bën,
mak, mak, mak,
biba e vogël,
seç u lag...

Lopa bën,
mu, mu, mu,
viçi im
a është këtu... ?

Delja bën,
me, me, me,
qengjin tim,
a mos e pe...?

Pula bën,
ka, ka, ka,
bëra vezë,
sa një hata...

Qeni bën,
ham, ham, ham,
dua një kockë,
që të ha...

Gjeli bën,
ki, ki, ki,
dhe na thotë,
çohu, mos fli...!

Image from here


Më shumë vjerrsha dhe këngë me kafshë...
Kënga e festivalit të kafshëve
O sa mirë, o sa keq ...
1-2-3
Kënga e rosave
Mini-mini kukuvaca
Fli lepurush

dhe te tjera...

Wednesday, April 29, 2009

Agimi


U kuq dielli prej agimit,
Prej këtij prisi që çoi dita;
E kadalë, t'u rritun drita,
Fushë e male po lulzon.

Fryn prej bjeshke era e lehtë,
Rruzullimit i ndrron fytyra,
E prej shendit gjithë natyra,
N'duke e n'petka po gazmon.


Autori: Ndre Mjeda
Sa e bukur, sa pranverore është kjo vjerrshë...

Më shumë për Ndre Mjeden: ketu

Image from: here

Monday, April 20, 2009

Në shtëpinë tonë

Shtëpia jonë, plot me diell, plot me ngrohtësi,
në dimër e në pranverë kemi kaltërsi.
Dritarja jonë hapur rri për ty ditë e re,
për dashurinë e njerëzve tanë të mirë...



(refreni)
I duam ne njerëzit t'i kemi gjithmonë pranë;
shtëpia e jonë e bardhë, e bardhë.
I rritim femijët me dritë e me djersë;
me dashurinë për njerëzit tanë të mirë...



Kënduar nga e madhja Vaçe Zela.


Tuesday, April 14, 2009

NGJYRAT


Lakuriqi i verbër,
i pyllit të gjelbër,
dhe ketri i kuq,
ranë në pellg pëlltuq!


Korbi i zi,
këndon mbi selvi,
kra kra kra kra...
kri kri kri...

Pranë detit të kaltër,
furgoni bardhë e gri,
po sjell akullore,
pip pip pip tek ti...

Në kovën e verdhë,
lëpihet një mi,
del, të kilikos,
kilikiliki...(varet nga kapaciteti i mushkrive)


Image from: here

Vargje të tjera nga "perandoria7":
Insektet në punë
Vargje zbavitëse për bebusha ...
1-2-3



Thursday, April 9, 2009

Plakat e Marsit




Gjithmonë, në fund të marsit, gati 3 ditët e fundit bën shumë ftohtë. Të vjetrit thonë se këto ditë janë ditët e plakave.
Gojëdhana e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione. Këtu u mundova të mbledh disa prej tyre:



1.
Vjen marsi. Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: "Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit." Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.

2.
Plakat e marsit janë shtatë. Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar). Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.

Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe cdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.

3.
Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) celi zogjtë që në mars. E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin:

Mullizeza zogjt i çeli,
na marsh të keqen Mars kaçeli...

Edhe këtë muaji Mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave. Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

4.
Kur plakat i thanë marsit, "na marrsh të keqen", marsi u zemerua aq shumë sa tha "shkurt(apo prill?) o im vëlla, më jep dy dite hua, t'i thaj plakat me gjith ç'kanë... "





Saturday, March 28, 2009

Gjë e gjëza (Breshka)



Kam samar,
po s'jam gomar...
(breshka)



Image from: here

Thursday, March 26, 2009

Gjë e gjëza (Muajt e Vitit)

Një lis me dymbëdhjetë dega,
gjashtë të buta,
gjashtë të egra...

"Muajt e Vitit"


Dymbëdhjete Muajt e Vitit, është një përrallë shumë e bukur, te cilës i përket edhe ky ilustrim. Do ta sjell edhe atë tek vogëlushët.
Image from here

Wednesday, March 25, 2009

Gjëegjëza


Hap e mbyll,
ndrit si yll.
(syri)





Asht nej kullë e bardhë,
pa dritare dhe pa shkallë.
(veza)



Image from: here

Monday, March 23, 2009

Mini Mini Kukuvaca

Ishim ulur me disa miq (Fatosi midis tyre) dhe po flisnim për bukurinë e folklorit tonë, përrallat në vecanti. Përralla "Njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë" paskësh pasur shumë sukses me një grup studentash të mbledhur për dëfrim (happy hour) një mbrëmje të premte! Në dëfrim e sipër, dikush propozon të bëjnë një kontest se kush nga kombet e pranishme kishin përrallën më zbavitëse. Rezultati s'ka diskutim :)

Kështu pra, dhe unë mora vesh për këtë garë të cuditshme ku kishte marrë pjesë edhe blogu i vogëlushëve :)

Por, Fatosi dërgoi edhe këto vargje zbavitëse, shumë të këndshme për vogëlushët:

Mini mini kukuvaca,
Shkova bleva gjashtë pata,
Tri t’zeza tri t’bardha,



Shkova rashë te As’ Lika,
Gjeta qenin pika pika,
Mora thuprën dhe e shika,
Çohu qen e m’përcjell,
Se kam gruen pezmatore,
Që m’i ruen ato re,
Posi pela pa fre,
Pula voji natën,
Gjeli mori spatën,
Gjel’ Vasinë e vranë,
Motrat e qanë,
Hallven ia banë,
Me grushta ia përlanë.


Tuesday, March 10, 2009

Dallendyshe


Dallandyshe bishtgërshërë,
faqe-kuqe, sqep-gjilpërë,

që shëtite nëpër botë,
a s'më thua mike sot,

cila tokë të është dukur,
në gjithë botën më e bukur?

më e bukur, o fëmijë,
është nëna Shqipëri!


Më kujtohet kur e recitonim :). Duhet të kemi qenë në shkollën fillore. Kur vinte vargu i fundit, e thoshte gjithë klasa në kor...

Dallandyshet i kam dashur shumë. Bënin folenë tek ballkoni ynë. Më kujtohet kur rrija dhe shikoja se si i ushqenin të vegjlit pa përtuar... Gjithë verën ballkoni ynë ishte plot cicërima. Mërzitesha kur iknin në vjeshtë për shtegëtim, dhe mezi i prisja kur vinte pranvera...

Saturday, March 7, 2009

Kënga e nënës (Anita Take)

Nënë, emër i dashur për mua,
Me je e shtrenjtë, të dua,
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi...




E lehtë është jeta kur di që kam nënë,
Në çdo çast të vështirë e ndjej pranë,
Në brengë e halle ajo më ka qënë,
Rreze që dritë shpërndan.



Një nënë, vetëm një nënë ka në botë,
Ëmbël tingëllon zëri i saj,
Kur "bir" fëmijës ajo do ti thotë,
Qesh e ndriçon zemër e saj.

Nënë, emër i dashur për mua,
Me je e shtrenjtë, të dua,
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi...

Kur zemra rreh në gëzime e dëshpërime,
Tek ti mendimi më shkon,
Pranë teje ndjehem më e dashur, më trime,
Më e lumtur se botë e tërë.

Friday, March 6, 2009

Për 8 Marsin


Për 8 Marsin mami,
Të uroj unë sot,
Lumturi të kesh,
Ti për jetë e mot!


Image from: Here

Wednesday, March 4, 2009

Gjuha jonë, sa e mirë ...



Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!



Në 7 Mars 1887, në qytetin e Korçës, u hap shkolla e parë shqipe, e cila u quajt mësonjëtore. Rilindasit, të cilët punuan dhe e vlerësuan shumë këtë ditë shkruan edhe shumë vargje për të. Këto vargje i përkasin poezisë Korça, të Naim Frashërit (lexo më poshtë). Sa bukur shprehet për gjuhën tonë!

Në përkujtim të kësaj dite, 7 Marsi në Shqipëri është festa e mësuesit. Nxënësit i urojnë mësuesve festën, iu dhurojnë lule dhe iu japin dhurata të vogla...



Poezia e plotë e Naim Frashërit, kushtuar ditës së hapjes së mësonjëtores (shkollës) së parë shqipe në Korçë...

Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

KORÇA

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq' e mir'e kaq'e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit'e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q'e bekoi zot'i vërtetë
Dh'e dërgoi me shumë dritë,
T'i mbes'emëri përjetë.

Sot e vumë gurr'e parë,
Sa'sht'e bekuar kjo ditë!
Zot'i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh'e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht'e shtije,
Mbretëron fjal'e vërtetë,
Dhe të mirat gjith'i bije.

Zot'i math qoft'i lëvduar,
Q'e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo 'shtë mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.

S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët'emër nderr'e kemi.

Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën' e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Naim Frashëri

Tuesday, March 3, 2009

Gëzuar 7 Marsin

Filmi: Një vonesë e vogël

Regjia: Xhanfize Keko (1982)

Skenari: Bashkim Hoxha, Xh. Keko
Producent: Kinostudio Shqipëria e Re
Muzika: Aleksandër Lalo

Heronjtë e filmit janë një grup fëmijësh: Besiana, Dorina, Ermali, Kliti, të cilët në 7 Mars, festën e mësuesit, nisen për në shtëpinë e mësueses së tyre. Filmi është plot me situata të këndshme gjatë rrugës për në shtëpinë e mësueses.





Sunday, March 1, 2009

Pranvera



Kaloi dimri, erdh' pranvera
me lulëzim,
Erdh’ lejleku, dallëndyshja
fluturim.

Rritet bari, vishet pylli
me blerim,
Hapet zemra e fëmijve
plot gëzim.


Autori: ?
Image from: here

Tuesday, February 10, 2009

Një kritikë për matematikën

Shënim: Ditët e fundit faqja e vogëlushëve ka patur shumë kërkesa për vjerrsha për 17 Shkurtin. Në pamundësi të gjeja vjerrsha të atilla, mendova të sjell këtu një poezi të një poeteje kosovare, Drenusha Zajmi-Hoxha.



Sa herë që kemi orë matematike,
Koka ime ndodhet në gjendje kritike,
Kot që thonë se është lëndë e mirë,
Atëherë pse duhet të jetë kaq e vështirë?


Ca vija të drejta që askund s’takohen,
Segmente,katrorë të gjitha m’ngatërrohen,
Ca emra t’vështirë nuk m’i thotë dot buza,
Sinus e kosinus, pastaj hipotenuza.

Shumë numra të panjohur iks e ypsilon,
Mblidh e zbrit tërë ditën,asgjë nuk fiton,
Dhe pastaj ç’na qenka dhe ky numri Pi,
Këtë 3.14 s’e mban mend dot njeri.

Tërhiq diagonalen saktë me vizore,
Mat e ç’mat syprinën,nxirr rrënjën katrore,
Këndngushtë,kënddrejtë apo këndgjërrë,
Çfarë rëndësie ka, trekëndësha janë të tërë.

Dhe t’ju them të drejtën, le ta dijë gjithë bota,
Mua këto veprime më duken thjesht të kota,
Trurin tim s’kuptoj pse ta mundoj të gjorin,
Kur në xhep gjithnjë, mbaj kalkulatorin.

Nëna ime e mirë shpesh më jep kritikë,
Nuk mund të ecë bota, pa matematikë,
Pjestim dhe shumëzim, mbledhje edhe zbritje,
Në çdo hap të jetës, kërkohet llogaritje.

Se ajo ka të drejtë, edhe unë pajtohem,
Të mësoj matematikë, prapë do të mundohem,
Tani e kuptova dhe do ta mbaj mend prore.
Sa shumë vlerë kanë formulat matematikore.

Autori: Drenusha Zajmi-Hoxha
Image from: here

Një poemë tjetër e përshtatshme për 17 Shkurtin: Jam Shqiptar e Kosovar nga Mitrush Kuteli.

Monday, February 9, 2009

Gjergj Elez Alia


Trim mbi trima kishte qënë gjithmonë Gjergj Elez Alia. Vjetë e vjet ai i kishte dal zot truallit të të parëve, ia kish mbrojtur nderin. Kish luftuar me topuz
e shpatë kundër armiqve të derdhur këtej nga deti e nga toka për të shkelur vendin, për t'a dhunuar e zhveshur. Dhe të gjithë këta armiq Gjergj Elez Alia i kish shtrirë përtokë pa frymë.
Por në luftrat e shumta me dhunonjës të shumtë trimi ynë kishte marrë nëntë plagë në shtat dhe tani kishte nëntë vjet që dergjej në kullë. Atë e kishin harruar të gjithë dhe e kishin lënë në dorë të fatit. Nuk e kishte harruar vetëm e motra që i rrinte ditë e natë mbi krye. I lante plagët me ujët e gurrës nëntë vjece, ia shpëlante me lotët e syve të saj, i terte gjakun me flokët e ballit; shtatin ia lidhte me shamitë e nënës, ia hijshonte me petka e moçme të tatës; armët e brezit ia rendiste mbi krye. Sepse kur i shihte armët pranë, bacë Gjergji e ndjente zemrën ende të ngrohtë, i ngjallej një fill shprese.


Ai i duronte si burrë dhembjet e plagëve kur i ndërronte motra shtatin. Vetëm një dhembje nuk e duronte dot Gjergji. Dhembjen për motrën e dashur të varrosur së gjalli pranë tij, në kullën e lartë, që t'i mjekonte plagët, të përkujdeseshe për të. Kjo dhembje e shtrinte Gjergjin si të vdekur, pa frymë.
E motra e Gjergjit s'kish patur kurë çaste gëzimi. Ndërsa shoqet e saj gëzonin të ritë e tyre, kishin dashuruar, ishin martuar, kishin lindur fëmijë, ajo rrinte gjithnjë mbyllur në kullë pranë Gjergjit të sëmurë.

Kështu kaluan të nëntë vjetët.

Vitin e nëntë u hap e mori dhenë fjala gjëmëmadhe se kish dalë nga deti një bajloz i zi, trim i fortë e i prapë, më i lig nga gjithë bajlozët e tjerë që kishin shkelur gjer atëherë truallin tonë. Ky bajloz i prapë i kishte hedhur vendit një rreng të rëndë; çdo derë ti jepte një dash të pjekur, çdo vatër ti dërgonte një vashë të njomë.
Bajlozi vriste ditë për ditë, digjte javë për javë një krahinë. Kishte vrarë aq kreshnikë sa tani askush s' kish zemër t'i dilte përpara e t'i priste hovin, sepse topuzi i tij ishte shumë i rëndë, shpata e tij ishte shumë e mprehtë dhe shigjeta e tij përshkonte tej e tej trupin e kreshnikut.

Kështu tërë vendi lëndonte nën thundrën e tij.

Gjergj Elez Alia s'dinte gjë; ai dergjej në shtrat si i vdekur e i pakallur në varr. Askush nuk vinte t'i qante brengën e ti kërkonte ndihmë sepse e dinin se s'kishte forcë as të dilte tek pragu i derës. Kur i erdhi rradha shtëpisë së Gjergjit që t'i jepte Bajlozit haraçin, dashin e pjekur dhe motrën, kjo, motra, qau me lot dhe u ankua dhe nëmi:

- O vëlla, po qysh na harroi neve vdekja e s'na mori!
Nëna e tata kalben të vdekur nën blir.
Shtati i vëllait kalbet së gjalli brenda në shtëpi.
Shtati i motrës do të bjerë në duart e balozit të zi ...
Pse vallë nuk shëmbet kjo kullë të na zërë brenda të dy?
Pse s'bëhet gërmadhë kjo shtëpia jonë?
Vdekja është më e ëmbël moj e zeza nënë se sa jeta pa nder.

Atëherë Gjergji u zgjua, shikoi përreth e s'dinte ç'kishte ndodhur. Kish ndjerë që i ishte lagur fytyra dhe kish pandehur se kulla i ishte rrënuar aq shumë sa ia shtinte shiun brenda. Zemra iu bë copë, shikoi motrën; dy vija lotësh ia përshkuan faqet e tretura. Dhe nga pikëllimi mallkoi kullën;

- Hej, u nxifsh moj kulla ime! Të mbuloftë fund e krye lëmashku. Paç banorë brevën e gjarprit!
Si më lëshove ti kaq shpejt pikat e shiut brenda në shtrat ?

Motra ia fshiu me dorë të dredhur lotët e i tha:
- Jo, more vëlla, nuk bie shi përjashta e nuk pikon çatia e kullës.
Ty të kanë lodhur fort plagët e shtatit dhe shkretia, prandaj s'di ç'flet; sytë e mi pikojnë lot vëlla !

Atëherë Gjergji i shtrëngoi dorën me atë pëllëmbën e thatë, i lëmoi ëmbël fytyrën, e shikoi me ata sytë e mallit dhe i foli me zjarr, si nuk kish folur kurrë:
- Pse qan moj motër ? Pse ma thyen kaq shumë zemrën ?
Shtati im ka nëntë vjet që po kalbet së gjalli.
Në këta nëntë vjet Gjergji yt s'ka pasur kurrë pushim e ka fërfëlluar gjithnjë si ai gjethi i ahut në faqe të shullërit.
Vallë a s'ke pasur të hash e të pish në këta nëtë vjet?
A s'të ka mbajtur ty vëllai me të veshur e të mbathur?
A të ka rënduar ndonjëherë me fjalë?
Apo tu mërzit vëllai dhe të ka lindur dëshira të martohesh e ta braktisësh?

Motra, ia mori dorën, ia vuri mbi ballin e saj dhe iu përgjigj bukur:
- Oh vëlla! Kaq shumë të paska mërzitur vuajtja që më flet kështu?
Hyfsha gjallë nën dhè në më shkon mendja për t'u martuar.
Të ngrënë e të pirë kam patur mjaft vëlla.
Edhe të veshur e të mbathur kam pasur mjaft,
Kurrë s'më ke rënduar me fjalë si sot.
Unë ty të kam tatë, ty të kam vëlla.
Po sot bacë Gjergji dua të qaj një brengë të madhe.
Si nuk t'u përkëmb vallë shtati në këta nëntë vjet që të dalësh gjer te praku i derës?
Si nuk u tha motra jote - e thaftë vera!
Po qysh të duroj unë e zeza turpin e ti shkoj bajlozit në derë?

Kur dëgjoi këto fjalë, bacë Gjergji i harroi të nëtë plagët e shtatit, i harroi të nëtë dhimbjet dhe brofi drejt e më këmbë sikur të mos paskësh lënguar kurrë në shtrat: i hollë, i gjatë, ashtu siç kishte qënë dikur trim mbi trima. I tha së motrës:

- O motër, merr tani gjogun e luftës e zbrit shpejt deri tek nallban vëllami.
I thuaj:
"Të dërgon falmeshëndet Gjergji, t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj hekuri të farkuar e thumba trungji, se do ti dalë bajlozit në shesh të burrave".
Po s'desh të ma mbathë gjogun nallban vëllami, hipi sërish e shko në derë të nallban dashamirit.

Vajza i hipi gjogut, e ngau shpejt, zbriti në qytet e shkoi drejt tek nallban vëllami.
- Puna e mbarë o nallban vëllami!
- Mbarë paç, moj vashë e largët!
- O vëllam, të dërgon falëmeshëndet bacë Gjergji t'ia mbathesh mire gjogun
me patkoj hekuri të farkuar e thumba trungji, se do t'i dalë baljozit në shesh të burrave.

Mirëpo në këta nëntë vjetët, që kur Gjergji ish varrosur së gjalli brenda në kullë, nallban vëllami e kish harrur fare vëllazërinë e vjetër. Ai nisi t'i flasë së prapthi së motrës së bacë Gjergjit.
- Po të m'i falësh - tha -moj vashë, ata sytë e ballit, unë do të shpëtoj Gjergjin tënd: do t'ia mbath mirë gjogun e do t'ia bëj të fluturojë si era.

Motra e Gjergjit ia ktheu me zemërim:
- C'po thua ashtu, o nallban, tu thaftë goja? Un pandeva se pata ardhur në derë të vëllamit, po e shoh se paskam rënë në derë të magjypit. Këta dy sy unë ia kam falur një hërë e përgjithmonë nënës e tatës që kalben nën dhè, ia kam falur Gjergjit tim që kalbet me nëntë plagë mbi dhè!

Kaq i tha motra e Gjergjit nallban vëllamit që e kish harruar vëllazërinë dhe i ra kalit e shkoi te nallban dashamiri.
- O nallban dashamiri - i tha - të dërgon falëmeshëndet bacë Gjergji, t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj të farkuar dhe me thumba trungji, se do të dalë të luftojë me bajlozin e detit.

Nallban dashamiri s'ia bëri fjalën dy po ia mbathi kalin mirë e bukur si për vete.
- I thuaj - tha - falëmeshëndet bacë Gjergjit e daltë faqebardhë në luftë.
- Rrofsh e qofsh o nallban dashamiri !... - ia ktheu vasha.
Mbrëmanet vajza u kthye në shtëpi dhe gjeti Gjergjin tek po priste nën hijen e blirit: i veshur e i mbathur me armët pranë. Ai kishte mposhtur dhimbjen e shtatit për të ruajtur nderin e shtëpisë së vet e të gjithë vendit për hakmarrje.

C'bëri Gjergj Elez Alia ?

Ia dërgoi falëmeshëndet Bajlozit të detit dhe i tha :
- Unë s'kam vashë për ty o bajloz !
Deshtë e vathës nuk i kam majmur për ty.
Kam vetëm një motër në shtëpi po nuk ta jap dot se s'ka kush të më lidhë plagët e shtatit. Ndaj të pres të dalësh në dyluftim në shesh të burrave.

Kur zuri drita të zbardhë majat ata të dy, Gjergji dhe Bajlozi i detit, dolën kaluar në fushë të luftës dhe zunë t'a thumbojnë shoqishoqin me fjalë. Bajlozi ish veshur me parzmore të rënda hekuri, kish vënë në kokë përkrenare celiku ish armatosur me
këpucë të rënda dhe shpatë të gjatë dhe kalin e kish ngarkuar me pllaka hekuri. Tundej dheu ku shkelte. Sapo pa Gjergjin të ligur e të tretur, kaluar mbi gjog, bajlozi qeshi me të madhe dhe i thirri :

- Nga varri qenkë ngritur o Gjergj!
Pse më ke nxjerë kot bre burrë në fushë të luftës ?
A nuk e di ti se mua më thonë bajloz deti ?
Unë kam shembur nga kali shumë kreshnikë dhe i kam dërguar në botën tjetër.
Ty do të shemb me gishtin e vogël !

Gjergji ia ktheu bukur :
- Mirë po thua o bajloz të lumtë goja !
Vërtetë unë kam nëntë vjet që kam marrë udhën e varrit se kam nëntë plagë në shtat, po pa arritur ende në varr ti më ktheve prapë, sepse ti më ke kërkuar motrën
përpara se të më kërkosh dyluftimin, ke kërkuar berat përpara se të kërkosh barinë !

Unë kam ardhur këtu të tregoj se ç'na thotë kanuni i të parëve tanë; të mos lëshojmë gjënë para se të lëshojmë armët, të mos i japim kurrë motrat bajlozit para se të vritemi me shpatë në shesh të luftës. Bëhu gati bajloz se të ka ardhur dita e fundit. Këtu i thonë Gjergj Elez Alia !

I lëshuan kuajt vrap në fushën e luftës tym më tym . Bajlozi i prapë mori në shenjë i pari dhe hodhi topuzin . Gjogu i Gjergjit përkuli të dy gjunjët dhe u ul. Topuzi i rëndë i bajlozit i fluturoi Gjergjit mbi krye dhe u ngul tutje dymbëdhjetë pash thellë nën lëndinë. Pluhuri u ngrit dymbëdhjetë pash lart. Kur i erdhi rradha Gjergjit e hodhi bukur topuzin e vet dhe e qëlloi bajlozin në shteg të ballit. Bajlozi u përkul dhe u gremis i vdekur. Kur u gremis u tund tërë fusha. Kali mori arratinë . Gjergji nxori menjëherë shpatën e mprehtë dhe ia ndau kryet nga trungu. Kryet ia vari në modhë të shalës. Trungun ia hoqi zvarë për këmbe nëpër fushë përmes ferrash dhe drizash dhe ia hodhi në një përrua. Gjaku i bajlzoit të zi rrodhi nëpër përrua, nxiu gjithë lumin. Tre vjet rresht vendi rreth e qark kundërmoi erë kërme...

Si e vrau bajlzoin e zi, trimi u kthye fitimtar në shtëpi, mblodhi gjithë shokët e u tha : -pa dëgjoni o shokët e mi, falë ju qofshin kullat e mia, falë ju qofshin gjithë paret e mia, falë ju qoftë gjithë malli dhe gjëja ime, amanet motrën e Gjergj Elez Alisë.

Dhe trimi u hodh të përqafonte motërzezën që e priste me gëzim. Të dyve zemrat u pushuan përnjëherësh. Vëlla e motër ranë përdhe të vdekur.

Vdekje më e lehtë dhe më e ëmbël s'ish parë kurrë. Shokët vajtuan me gjëmë të madhe, hapën pastaj një varr të gjerë sa t'i nxërë të dy vëlla e motër të përqafuar. Varrin e rrethuan me një muranë të bukur që të mos harrohej kurrë se sa shumë e kishte dashur vëllai motrën dhe motra të vëllanë, të mos harrohej trimi i madh Gjergj Elez Alia, që mbrojti nderin e vet dhe të shtëpisë dhe që shpëtoi vendin nga dhunat e bajlozit të zi.
Mbi krye shokët u mbollën atyre të dyve një bli të bukur, atje pushon ngaherë zogu i verës...


Kur nisi të dushkohet mali qyqja qëndroi mbi muranën e varrit të ri se e gjeti blirin të tharë. Fluturoi mbi sarajet e zeza dhe e gjeti tërë kulmin të shëmbur përdhe. Atëherë zuri vend në një dritare dhe i tha me përbetim shtegtarit që shkonte udhës:
- Dëgjo o shtegtar i malit, në qofsh duke kënduar kur të afrohsh kësaj ane pushoje këngën tënde, në qofsh duke qarë kur të afrohesh kësaj ane shtoje dhe më shumë vajin e gjëmën.
Unë kërkova bjeshkë më bjeshkë,
verova verim më verim,
mjerova shtëpi pas shtëpije
por kërkund nuk e pashë një trim si Gjergj Elez Alia.
Të gjitha shkuan e vanë,
Gjergj Elez Alia vdiq, motra e dhembshur vdiq,
kulla e lartë u shemb dhe murana e varrit s'njihet më,
as kulla e dikurshme,
po doli kënga që shkon si një yll drite nëpër shekuj
për të kënduar trimërinë e vëlait dhe dashurinë e motrës,
fismërinë e shpirtit të madh shqiptar
dhe kënga nuk vdes kurrë...


Përshtatur sipas rrëfenjës nga >Mitrush Kuteli.
Legjenda të tjera shqiptare: këtu.
Albanian Legends In English: Robert Elsie
Forumi Shqiptar ka një përmbledhje artikujsh e shkrimesh të tjera të Kutelit dhe mbi Kutelin këtu.

Thursday, February 5, 2009

Insektet në punë ...


Pa vështroni
me kujdes lëndinës.
Insektet gjithandej punojnë;
milingona, mollëkuqe,
buburreca, karkaleca,
mbledhin gjethe,
mbledhin fara,
dhe marshojnë.


Disa vargje të tjera zbavitëse për të vegjlit nga përdoruesi i Albforumit "perandoria7". Disa vargje të tjera nga i njejti burim janë edhe ato që unë i titullova "1-2-3" dhe Vargje zbavitëse për bebusha ...

Image from Free Clipart

Wednesday, February 4, 2009

Vargje zbavitëse për bebusha ...



A e dini çfarë bën(emri i vogëlushit) kur mërzitet?
Luan me babin (mamin) e tij, dhe zbavitet.
Përkulu,drejtohu,
përplas këmbët,rrotullohu,
Përkulu,drejtohu,
përplas duart,rrotullohu,
Përkulu,drejtohu,
puthe babin (mamin),rrotullohu.
...
(përmend cdo lloj veprimi që të vjen ndër mend)


Disa vargje të tjera zbavitëse për të vegjlit nga përdoruesi i Albforumit "perandoria7". Disa vargje të tjera nga i njejti burim janë edhe ato që unë i titullova "1-2-3".

Image from Clipart guide