Saturday, November 20, 2010

Ç'u mbush mali me dëborë



Ç'u mbush mali me dëborë,
Ç'u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë,
Plot me krushq e me dasmorë:
S'janë krushq edhe dasmorë,
Janë Toskë-e Malësorë,
Janë Toskë-e Malësorë,
Me flamur' të kuq në dorë,
Si dhëndurë me kurorë.


Ç'u zbardhë malet, ç'u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë,
Shqipëtarët gunë-bardhë.
Seç na ardhë palë-palë,
Duke rrotulluar male
Kush me këmb' e kush me kalë,
Kush me shpejt, kush më ngadalë:
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mu në Vlorë,
Mu në Vlorën e lirisë,
N'atë thelb të Shqipërisë


Ç'ka që çan rrufeja retë?
Vjen 'Smaili trim me fletë,
Fluturon posi shigjetë.
Thonë, vjen përdrejt në Vlorë,
Me flamur të kuq në dorë,
Me flamurin e lirisë,
N'atë thelb të Shqipërisë:
Thonë, është vet-i-tretë,
Thonë, është vet-i-tetë,
Thonë, vet-i-njëstetetë-
Rrofsh moj Shqipëri përjetë !!

Këngë e vjetër.
Other albanian paintings: here

Friday, November 12, 2010

Nuk mund të kënaqen të gjithë...


Një burrë po shkonte në pazar me gomar. Kishte marrë edhe djalin me vehte që ti mësonte si bëhen punët. Po ecnin që të dy, babë e bir duke biseduar, dhe gomari ecte pranë tyre. Ec e ec...

Kalon një fshatar, i shikon dhe thotë:
- Po ju or budallenj, vetë lodheni në këmbë, dhe gomari ecën për qejf të vet. Po pse e keni gomarin kur nuk e përdorni?

I vjetri ndalon gomarin, hipin të dy mbi gomar dhe vazhdojnë rrugën duke biseduar. Ec e ec...

I sheh një kalimtar që thërret:
- Po ju o budallenj, qysh e lodhni kaq shumë këtë kafshë të gjorë. Pse ka fuqi ky gomar t'ju mbajë të dyve?

I vjetri ndalon gomarin, zbret nga gomari, lë djalin mbi gomar, dhe vazhdojnë rrugën duke biseduar. Ec e ec...

Kalojnë një grup fshatarësh, dhe njëri thërret:
- Shikoni këtë budallain, vetë lodhet në këmbë, kurse djalin e ri e ka hipur majë gomarit të bëjë qejf!

I vjetri ndalon përsëri gomarin dhe ndërron vendin me djalin: vetë majë gomarit, djali në rrugë pranë tyre në këmbë. Vazhdojnë rrugën duke ecur, e duke biseduar. Ec e ec...

Kalojnë një grup grash, i shikojnë dhe njëra thërret:
- Ç'është kjo punë? Turp të kesh, o burrë! Këtë djalë të gjorë e lë në këmbë e të lodhet, vetë je kapardisur mbi gomar! Turp! Turp!

I vjetri ndalon përsëri gomarin, zbret dhe i thotë djalit:
- E shikon or bir! Mundohu t'i kënaqësh të gjithë, dhe nuk do të kënaqësh asnjë! Hajde tani të mbarojmë punët, sepse erdhëm në pazar...

Origjinali: Ezop
Image from: here

Monday, November 1, 2010

Cironka e artë



Na ishte një herë një plak i varfër, por shumë i varfër ama. Ai jetonte në breg të lumit bashkë me plakën e tij grindavece. Jetonin të dy në skamje dhe në mjerim të plotë. Plaku zinte ndonjë cirua në lumë dhe plaka e gatuante.

Një ditë dimri plaku ndenji te lumi me orë të tëra, por nuk zuri gjë. Ishte ftohtë. Ai donte të kthehej në shtëpi, por kur kujtonte plakën rrinte aty me shpresë se mund të kapte diçka.
Dhe më në fund fija e vjetër e filldispanjës u lëkund dhe plaku nxitoi ta tërhiqte. Kur ç'të shihte? Një cirua i vogël, fare i vogël vazhdonte të përpëlitej në majën e grepit. Plaku e mori në dorë. Cironka kishte ca vezullime të arta. Plaku hapi torbën e tij të vjetër dhe...
-Të lutem, më hidh përsëri në lumë!


Plaku u habit.
-Kush foli?- Tha.
-Të lutem, më hidh në lumë,- tha cironka- dhe unë do të të realizoj çdo dëshirë që të kesh.
Plaku i shkretë ishte shumë zemërmirë. Ai e kuptoi se as ai e as plaka e tij s'ngopeshin dot me një cironkë aq të vogël dhe e hodhi në lumë. Në çast, cironka doli nga uji dhe i tha:
-Më thuaj një dëshirë!
-Të kisha një torbë me cironj...
Pa mbaruar plaku fjalën, torba me cironj i erdhi pranë. Plaku i mori dhe u nis në shtëpi. Në fillim plaka e shau, por pastaj natyrisht u kënaq.

Plaku se mbajti dot të fshehtën (Ah, këta pleqte e mirë!) dhe ja tregoi gjithë
historinë... Plaka lakmitare i tha:
-Pse nuk i the që cironjtë të ishin të tiganisur? Shko, thuaji!
Plaku i shkretë shkoi nëpër të ftohtë, e thirri cironkën dhe ja tha dëshirën.
Kur shkoi në shtepi, plaka kishte përfunduar gjysmen e cironkave...

Por kjo s'ishte asgjë...
Sa herë që plakes i kujtohej ndonjë gjë ajo dërgonte plakun t'ia thoshte këtë
dëshirë cironkës. Dhe plaku (Ah, i shkreti plak!...) shkonte në lumë dhe
thërriste cironkën. Dhe cironka bënte realitet dëshirën e plakës. Kështu
pleqtë u bënë zengjinë. Ata kishin shtëpi të mirë, kuaj, hyzmetqarë, ..., çdo gjë,
çdo gjë.
Aq sa plaka s'kishte më çfarë të kërkonte dhe një ditë e urdhëroi plakun:
- Shko merre cironkën tënde të qelbur dhe sille këtu!
Plakut të shkretë i therri në zemër dhe çalë-çalë u nis e shkoi në anë të lumit dhe i thirri cironkës.
Ajo doli në çast mbi ujë. Cironka ishte e artë. Edhe zemrën e kishte të artë.
-Më thuaj një dëshirë!- i tha ajo plakut si gjithmonë.
-Plaka më tha...- Plaku u gëlltit.- se ti duhet të vish me mua tani.
Pra...plaka do që ti ta lesh lumin dhe të vish me mua...
Cironka e vogël heshti. Heshti disa çaste dhe pa folur fare u krrodh thellë në
ujrat e turbullta të lumit për të mos dalë më kurrë.

Plaku u kthye në shtëpi..shtëpia s'ishte më. Në vend të saj gjeti kasollen, plakën e tij dhe të njëjtën varfëri. Ndoshta kishte kërkuar shumë...