(Përrallë shqiptare)
Na ishte seç na ishte. Ishte një herë një baba me tre fëmijë që s’kishte gjë tjetër veç shpirtit dhe një kasolle të shkatërruar, një kalë, një shalë dhe një fre. Kur i erdhi çasti i vdekjes, thirri të tre bijtë e u tha:
-Unë jam duke vdekur dhe gjë e mall s’po u lë; por jetoni me nder, mos e lëshoni njëri tjetrin dhe, si mbas moshës që keni, kalin ta marrë më i madhi, i dyti të marrë shalën e i treti frerin.
Plaku dha shpirt. Mbas pak kohe vëllai i madh u tha:
-Po dal me kalin që më ra në pjesë të fitoj, mbase ia gjej edhe shalën edhe frerin.
Del dhe piqet me një tregtar të madh:
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç! Ç’e mirë të solli nga këto anë? – e pyeti tregtari.
-Doja t’i gjeja kalit shalë dhe frerë – përgjigjet ai.
-Ti jap unë – i thotë tregtari – shalë e fre, në qoftë se di të më rrëfesh njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë; përndryshe kali që ke bëhet imi.
-Mirë, e thënë e bërë – thotë vëllai i madh.
Fillon të rrëfejë njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; por s’mundi të rrëfente më shumë se tridhjetë dhe kështu që e humbi kalin.
Mbas pak kohe i shkon mendja vëllait të dytë të dalë me shalën për të fituar, që t’i gjejë kalin dhe frerin. Takon tregtarin me të cilin ishte ndeshur i vëllai.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Kam ardhë - i thotë vëllai i dytë - të fitoj; ndoshta i blej edhe kalin edhe frerin.
-Kalin dhe frerin t’i jap unë – ia kthen tregtari – në qoftë se je i zoti të më tregosh njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; përndryshe shala bëhet imja.
-Mirë – i thotë vëllai i dytë.
Fillon të tregojë njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; por s’mundi të tregonte më shumë se pesëdhjetë dhe kështu që e humbi shalën dhe u kthye në shtëpi duarthatë.
Vëllai më i vogël ishte qeros, por shumë i zoti. Një ditë prej ditësh merr frerin dhe del për të fituar për të gjetur kalë e shalë.
Piqet në rrugë me tregtarin e madh, që ua kishte punuar të vëllezërve.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Kam dëgjuar – i thotë qerosi – se ti fiton me gënjeshtra dhe ti më merr frerin, unë të marr kalë e shalë.
-S’ka më mirë – ia kthen tregtari – por nisja, në qe se më nxjerr njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë.
“U çova një ditë, filloi qerosi, e s’ish ditë, kishte bletë e s’kishte, i numërova e s’i numërova, i numërova e s’i numërova e s’mund t’i numëroja; hyra dhe numërova mizat e bletës e më doli një më pak. U mërzita edhe më fort pse kishte humbë një mizë blete, e mora një gjëlpërë dhe një bërthamë e shkova në breg të detit. Kur mbërrita në breg të detit, kqyra mos e shihja kund mizën e nuk e pashë; ngula atëherë gjilpërën në tokë e hypa majë gjilpërës e pashë përtej detit të zi një bujk që po e lëronte tokën me një buall e me një mizë blete. E njoha se ishte miza ime; por s’kisha si ta kaloja detin. Mbolla atëherë farën e kungullit e u ula e fjeta.
Sa fjeta unë, fara kishte mbirë e kishte lëshuar një degëzë të hollë e të gjatë mbi shpinën e detit deri në bregun përtej. U çova prej gjumit e nëpër degëz kalova detin e shkova te ai që po punonte tokën.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Po si ma ke marrë mizën e bletës e punon me të? – i thashë. Be e rrufe ai, se “s’ta kam marrë, por ka ardhë vetë”.
-Mirë, - i thashë – nuk po prishemi për kaq gjë; por më laj dëmin që më ke bërë!
-Po ta laj, - m’u përgjigj –por prit sa të mbjell farën e të piqet kjo që mbolla, e ta korr, ta shij e ta hedh ndër thasë.
Sa e mbolli edhe atë që i pat mbetur, mbiu ç’ka hodhi, u rrit, u poq, e korri, e shiu e m’i mbushi thasët.
-Ja, -tha, -grurin për dëmin dhe miza jote.
Ngarkova grurin në të dy anët e mizës, hypa në mes të barrëve, u fala me bujkun e u nisa të kthehem. Kur mbërrita në mes të detit pashë se po rëndonte njëra anë e barrës, u ula në det, e numërova grurin kokërr për kokërr e më del një më tepër. Mora spatën e e çava më dysh, i bëra barrët baraz e u nisa për shtëpi. Kur hyra në oborr, mora vesh se më kishte lindur babai. Lumi kush po shkon, e lum kë po gjej. U gëzova fort e mendova t’i bëja djepin babait. Mora dyqind spatarë e i vura të presin në një pyll: por s’dolën dërrasat për djepin; mora një ashkël, që kishte mbetur në teh të spatës e doli e tepëroi edhe për një stol të vogël. Duhej të punoheshin edhe shpërgëjt. Thirra dyqind qethtarë e i vura të qethnin dymijë dhën, por s’doli leshi. Kishte mbetë një qime e vetme në teh të gërshërëve e me të mbarova shpërgëjt edhe një brez.
Një ditë më erdhi mendimi të dal për gjah. Kishim tri pushkë: dy të thyera e një pa çark, e tre zagarë: dy të ngordhur e një pa shpirt. Mora pushkën e paçark e zagarin e pashpirt e kërkova në mal e ndesha në tre lepuj: dy të ngordhur e një pa kurrëfarë jete. Me të parën herë që shtiva, vrava lepurin e pajetë e e vura në krahë. Duke ecë rrugës gjeta tri shtëpi: dy të rrënuara e njëra kishte rënë brënda; hyra në atë që kishte rënë brënda e gjeta tri plaka: dy qorre e një pa sy. Pyeta plakën e pasy nëse shihte kund ndonjë enë e ajo më dëftoi tre enë: dy të thyera e një pa bythë. Mora enën pa bythë e zjeva lepurin e pajetë; mishi më rrodhi, lëngun ma mbajti e hëngra vetë e hëngrën tri plakat.............................
-Mjaft, mjaft! –tha tregtari, -se i ke kaluar njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë. Ja kalin, shalën, shtëpinë time e mallin tim e i gëzofsh me gjithë vëllezër.
Vajti qerosi, mori edhe dy vëllezërit e jetoi si më i miri zotëri.
Përralla në Lesh, shëndeti prej nesh.
Përshtati: Hiqmet Meçaj
Kontriboi: Andi Meçaj
11 comments:
Arta, përshëndetje!
E gjeta blogun tuaj duke ndjekur profilin nga Selfmaderadio. Sa u kënaqa duke lexuar "100 gënjeshtra pa një të vërtetë". Ka qënë përralla ime e preferuar e fëmijërisë.
Më datë 17 Qershor (1 javë para këtij postimit këtu) kam lënë një koment tek blogu Sapere-Aude, ku pikërisht kërkoja ndihmë nga të tjerët për të gjetur këtë përrallë
(lexo komentet këtu), por askush nuk e mbante mend. Po sonte e gjeta rastësisht këtu, dhe gëzohem shumë që e rilexova dhe e kujtova.
Faleminderit për kënaqësinë që më dhe!
E dashur padi,
Jam shume e gezuar qe me ke bere vizite :) Te mirepres perseri. Para disa vitesh, edhe per mua gjetja e nje perralle, vjerrshe apo kenge per femije, ishte thjesht nje perjetim i viteve te femijerise, nje nostalgji.
Po, kur u bera nene, kur fillova te kerkoj libra, CD me kenge, e materiale te tjera per femije SHQIP, atehere e kuptova se ky eshte nje problem shume i madh.
Sa here shkoja ne biblioteken publike, besoj se e di sa te pasura jane ketu ne US, me shume merzitesha kur shikoja gjithe ate llojshmeri, zgjidh e merr. Sa here vija nje CD me kenge anglisht per femije ne setin e muzikes, dhe kur shikoja qe femija im kenaqej, mua me mbusheshin syte me lot.
Nisa ti kendoja, ti recitoja, ti tregoja ato qe mbaja mend...
Pastaj vendosa ti grumbulloj jo vetem kujtimet e mija, por edhe pjeseza te ndryshme qe mund te gjej ne internet. Eshte nje kontribut i vogel, por e di qe ka shume nga ne qe tani jane bere prinder dhe qe kerkojne libra dhe kenge per femije...
Arta
Eshte hera e pare qe me pelqen kaq shume nje site ne shqip.Eshte gjeja me e mire per femijet tane!Mundohem dhe u mesoj gjuhen shqipe me abetaren .Tani do tu jap dhe perralla per te lexuar.Kam shume kohe qe po kerkoj dicka interesante,por gjithmone kishte dicka qe s'me pelqente.Sot rastesisht ju gjeta dhe ju faleminderit !
me respekt Mirela
Pershendetje Arta dhe pergezime per kete sipermarrje sa te bukur aq dhe fisnike. Po na ben nje nder te madh duke na ndihmuar te mbajme gjalle gjuhen tone te bukur e te vecante tek femijet tane te dashur.
Faleminderit dhe Gezuar Festat e Fundvitit
Pershendetje nga Arjeta
Toronto. Canada
Faleminderit shuem Mirela dhe Arjeta!
Ju mirepres gjithmone!
uaaaaaaaaaaaaa sa kendshem nuk kisha pare ndonjehere keshtu tip faqeje, po hulumtoja per te gjetur keshilla praktike per vajze timme 2 vjecare, dhe ja cpashe, bravo do tju vizitoj shpesh bruna
E dashur Arta,
besoj, nuk do të pengoj të thërras kështu! Sepse, dhe unë kam kërkuar shumë nëpër faqe të ndryshme interneti poezi, përralla për Aurorën dhe Lisin, fëmijët e mi, por nuk gjeja dot diçka që do të më qetësonte shpirtin tim dhe të ishte e kapshme për fëmijët e mi. Kur gjeta këtë faqe tënden u gëzova shumë, prandaj të ndjej kaq të afërt dhe të dashur. Kam marrë nga kjo faqe poezi edhe fëmijët kosovarë që përpiqen të mësojnë gjuhën shqipe këtu në Gjermani.
Të falënderoj shumë dhe të uroj punë të mbarë te kjo faqe, sepse, mbase edhe mund ta ndjesh, ama nuk mund të jesh kaq pranë emocioneve të mia kur lexoj ato që dua unë dhe kur fëmijët recitojnë poezit e postuara nga ti.
Zoti të shpëbleftë pë mundin!
Vjollca
E dashur Vjollca,
shume faleminderit,
me solle lot ne sy,
perqafoji fort vogelushet nga ana ime,
cili eshte autori i kesaj peralle..!♥
Miley,
autori eshte populli!!!
Une do desha te gjeja perrallen e gjysma gjelit per nje nga djemte e mi qe e ka patur me te preferuaren por nuk kam arritur ta gjej. Ju lutem me ndihmoni ta gjej kete liber.
Post a Comment