Wednesday, June 18, 2008

Rozafat


Krenare ngrihet mbi Bunën e gjerë e mbi qytetin e Shkodrës kështjella e lashtë e Rozafatit.

Ndërtimi i kësaj kështjelle ka një gojëdhënë të bukur dhe të hidhur. Ajo pak a shumë vijon...

I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tërë qytetin. Kjo mjegull mbeti aty tri ditë e tri netë. Pas tri ditësh e tri netësh fryu një erë e hollë dhe e ngriti mjegullën. Aty majë kodrës punonin tre vëllezër e ndërtonin një kështjellë. Por, muri që ndërtonin ditën, u shembej natën... Na shkon aty një plak i mirë dhe u thotë:
-Puna e mbarë o tre vëllezër!
-Të mbarë paç o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë? Ditën punojmë e natën shembet. A di ta thuash ndonjë fjalë të mirë: c'të bëjmë që ti mbajmë muret në këmbë?



-Unë e di- thotë plaku, -por duhet ta mbani në fshehtësi dhe të mos i tregoni askujt as edhe vashave tuaja në shtëpi.
Vëllezërit i dhanë besën plakut se asnjëri nuk do të tregonte.
-Atëherë, tha plaku, dëgjoni. Nesër cila vashë të vijë për të sjellë ushqimin, nga tre kunatat, duhet ta merrni dhe ta murosni të gjallë në muret e kështjellës. Atëherë do ta shihni se muri do të ngrihet dhe do të qëndrojë përgjithmonë.
Kaq tha plaku dhe u zhduk.

Vëllezërit të mërzitur kthehen në shtëpi. Dy vëllezërit e mëdhenj e shkelën besën dhe u treguan grave të veta. Ata u thanë vashave të mos vinin për të sjellë ushqimin të nesërmen. Vetëm vëllai i vogël e mbajti besën. Ai nuk i tregoi vashës së vet.

Në mëngjes, si gjithmonë vëllezërit shkuan në punë dhe filluan të prisnin...

Nëna e djemve në shtëpi nuk dinte gjë. Ajo i kërkon nuses së madhe t'u shpjerë trimave ushqimin. Nusja e madhe ankohet se ishte e sëmurë dhe kështu nuk shkon. I tha dhe të dytës. E reja e dytë i thotë:
-Jo zonja nënë, sot unë duhet të shkoj për buajtje.
I vjen rradha nuses së vogël.
-O nusja e vogël, trimat duan bukë, ujë dhe kungullin me verë.
-Po zonja nënë, përgjigjet nusja e vogël, por kam djalin e vogël që po qan.
Dy kunatat e mëdha i premtuan se do të kujdesen për djalin.

Ajo e mori bukën, ujin dhe kungullin me verë, puthi djalin në të dy faqet, dhe niset. Kur arrin tek vendi i punës, përshëndet trimat.
-Puna e mbarë o trima!

Vëllezërit kur e panë, ndalën punën. Fytyrat iu zbehen dhe burrit të saj i ra cekani nga dora. Nusja e vogël i thotë:
-C'ke ti, im zot? Pse e mallkon gurin dhe murin?
Hidhet kunati i madh dhe i thotë:
-Ti paske lindur në ditë të zezë, moj kunata e vogël. Ne duhet të murojmë të gjallë vajzën qe do na sillte sot për të ngrënë, vetëm në këtë mënyrë kështjella do të qëndrojë e nuk do të shembet më.


-Shëndosh ju o tim' kunetër, por unë po ju lë një porosi: Kur të më muroni, syrin e djathtë të ma lini jashtë që të shikoj tim bir, dorën e djathtë të ma lini jashtë që ta ledhatoj, këmbën e djathtë të ma lini jashtë që ti përkund djepin, dhe gjirin e djathtë të ma lini jashtë që ta mëkoj kur të qajë. Gjiri im u nguroftë, kështjella jonë gjithmonë qëndroftë, djali im trimëroftë, u bëftë mbret e mbretëroftë!

Vëllezërit e morën nusen e vogël dhe e muruan në themel të kështjellës. Muret u ngritën e u lartuan e nuk u shembën më as natë e as ditë. Por, rrëzë mureve të kështjellës edhe sot e kësaj dite, gurët janë të lagur dhe plot myk nga lotët e gjiri i nuses së vogël që vazhdon të pikojë për birin e saj.

Dhe biri i saj, u rrit, luftoi dhe trimëroi!

Gojëdhënë



Në vargje (nje nga versionet):

"Ç’i ka ra mjeglla Bujen’s-ë,
Edhe fushës Shkodaras-ë,
Fryni erë, frashni e hollë,
E nalcoj-ë mjegullan-ë

Ku punojnë e tre vllazni,
Gjidh ditën e po punojnë,
Gjidh natën po jau rrënojnë,
Shkon nji shenjt i gjallë asajna,

-Puna marë, o ustallarë.
-Ta marë paç, o shenjt i gjallë,
Ku e sheh ta marën tonë,
Na gjidh ditën po punojmë,
Gjidh natën po na rrenojnë,

A di gja me na kalxue?
-Unë e di, por kam gjynah-ë.
-At gjynah-ë le’mi ne.
-A jini të tre t’martuem,
A i kini të trija vashat?
-Na të tre vashat i kena.
-Cilla vashë t’u bjere bukë,
At muroni n’murë t’Kalasë,
Lidhni besë, e lidhni fe,
Në konak e kur të shkoni,
Vashave mos u kalxoni.

Aj ma i madhi zanë vëlla,
Prishi besë, e prishi fe,
Në konak-ë bjesedoj-ë,
Vashës ti-ë i kalxoj-ë.

Aj i dyti zanë vëlla,
Prishi besë, e prishi fe,
Në konak-ë bjesedoj-ë,
Vashës ti-ë i kalxoj-ë.

Aj i treti zanë vëlla,
Majti besë, e majti fe,
Në konak nuk bjesedoj-ë,
Vashës ti-ë s’i kalxoj-ë.

Po thërret nana gjelinë:
-Gjelinë, e para gjelinë.
-Lepe nanë, e brraf në kamë.
-Ustallart-ë duen bukë,
Duen bukë e duen ujë.
-Besa nanë po m’dhem kryet.

-Gjelinë, e dyta gjelinë.
-Lepe nanë, e brraf në kamë.
-Ustallart-ë duen bukë,
Duen bukë e duen ujë.
-Besa nanë s’po vojt atjene,
Due me shkue në gjini.

-Gjelinë, e treta gjelinë.
-Lepe nanë, e brraf në kamë.
-Ustallart-ë duen bukë,
Duen bukë e duen ujë.
-Besa nanë s’po vojt atjene,
Kam djaloçin t’vogël-o.
-Na djaloçin ta shikojmë,
Kurr na tokë s’ta lëshojmë.

Muer bukë, muer ujë,
Muer kungullin me venë.
Tek e pa-ë i shoqi saj-ë,
Tek e pa i lshoj bela,
Do t’murojmë në Kala.

-Synin djathtë ma lini jasht-ë,
Kamën djathë ma lini jasht-ë,
Dorën djathtë ma lini jasht-ë,
Gjinin djathtë ma lini jasht-ë.

Kur t’vinje djali kësajna,

Unë me sy-ë ta shikonjë,
E me kamë-ë ta afronjë,
E me dorë-ë ta lurtonjë,
E me gji-ë ta nërgonjë. "

Emërtime të tjera: Balada e Murimit, Legjenda e Murimit, Legjenda e Rozafës, Rozafa...


Për më shumë: lidhje1 dhe lidhje2

10 comments:

edrus said...

Komplimenti për iniciativën e bukur për të mbledhur material nga letërsia për fëmijë.
Doja të të thoja që para disa ditësh tek http://andimecaj.blogspot.com/ kishte vendosur disa këngë dhe tregime për fëmijë (dhe meqë ke bërë kaq punë të mirë, ndoshta do të ishte bukur që ti shkarkoje dhe ti vendosje në këtë blog).
Dhe një herë, Komplimenti!

andi mecaj said...

MBRETI MATIA DHE FSHATARI PLAK

(përrallë hungareze)

Një herë mbreti Matia, ndërsa kishte dalë për të parë se si rronte populli i tij i varfër, takoi një fshatar plak. Mbreti kishte me vete tërë oborrin: të gjithë zotërinj të fuqishëm. Mbreti përshëndeti plakun:
-Nderim për ty, o plak!
-Nderim gruas sime.
-Sa lek fiton ?
-Gjashtë lek, madhëri.
-Sa vetë jeni ?
-Dy.
-Ç’i bën katër të tjerët ?
-I hedh poshtë.
Mbreti vazhdon ta pyesë :
-Dhe kur të bëhen tridhjetë e dy ?
-Tashmë janë vetëm dymbëdhjetë.
-Dhe cjapi mundet të përtypë?
-Patjetër, madhëri.
-Mirë, plak,- tha mbreti,- zoti të bekoftë. -Kuptimin e bisedës sonë nuk duhet t’ia tregosh askujt, përder sa të mos shohësh përsëri fytyrën time.
Dhe duke vazhduar të ecë u kthye drejt shpurës që e shoqëronte :
-Atëherë zotërinj, cili është në gjendje të më shpjegojë ç’bisedova me plakun, do t’i fal një tokë të madhe.
Zotërinjtë donin të zbulonin kuptimin, por të gjithë që provuan nuk mundën dot. Kështu që u kthyen te plaku dhe filluan ta pyesnin. Por ai u tha :
-A nuk dëgjuat që mbreti tha se nuk mund të them asgjë, deri sa të mos e shoh prapë?
Por ata këmbëngulën dhe, për ta bindur, i premtuan se do ta shpërblenin mirë.
-Mirë, -tha plaku,- më jepni dhjetë monedha të arta.
-Atëherë përse i the mbretit “nderim gruas sime?”.
-Sepse gruaja më lan teshat dhe teshat e lara tregojnë nderim.
-Vërtetë, -thanë zotërinjtë, -po përse i hedh poshtë lekët?
-Do t’jua them për dhjetë monedha ari.
Pasi i dhanë lekët, u përgjigj:- Sepse me dy rroj unë, katër ia jap tim biri, njësoj sikur t’i hedh poshtë.
-Dhe tridhjetë e dy, si ka mundësi të bëjnë dymbëdhjetë?
-Ua them për dhjetë monedha ari.
I dhanë dhjetë monedha të tjera.
-Sepse kur isha i ri kisha tridhjetë e dy dhëmbë, kurse tani vetëm dymbëdhjetë.
-Pa shiko, as që e kishim menduar,- thanë zotërinjtë.- Po atëherë, cjapi si ia bën që përtypet?
-Ua them për dhjetë monedha ari.
Pasi i mori edhe ato, tha:
-Në këtë mënyrë si po përtyp paratë tuaja.
U turpëruan zotërinjtë dhe të zemëruar i thanë plakut :
-Prit kur t’i themi mbretit që na i tregove të gjitha, pa e parë prapë atë!
-Si nuk e kam parë prapë? Ja ku është, në të gjitha këto monedha ari është fytyra e tij. Ai pikërisht për këtë nguli këmbë, të mos jua tregoja, deri sa të më paguanit mirë.
Atëherë zotërinjtë nuk dinin ç’të thoshnin më, e lanë plakun dhe shkuan të arrinin mbretin.

Përktheu nga italishtja Hiqmet Meçaj

Arta said...

Andi,

Shume faleminderit. Do ta shkruaj ne blog ne kategorine e perrallave, qe te mos harrohet ne komente.

Edhe te blogu yt pashe nje perralle me qerosin, doja te te kerkoja leje qe ta postoj edhe ate.


Edrus,

Shume faleminderit. Dje i mbarova se shkarkuari kenget e Andit. Do ta gjej kohen ti vej ne faqe. Jam e sigurte qe shume femije do te kenaqen. Vajza ime e mesoi "tring zilja" :).


Arta

andi mecaj said...

Patjeter Arta,
ta vendosesh edhe perrallen me Qerozin, per mua eshte gje e bukur (ndoshta e rralle, sidomos per ata ne emigracion), te mesojne femijet kenge shqip, megjithese nuk e di se ku je.
Patjeter qe ne te gjithe duhet ta ndihmojme (dhe ta reklamojme), kete iniciative te mrekullueshme qe e ke nisur.

andi mecaj said...

Arta,
sapo vendosa ne blogun tim edhe disa foto kafshesh me femije per te qeshur, nuk di si ti vendos ketu, prandaj po te lajmeroj, nese nuk i merr dot andej me jep nje e-mail te t'i nis.

andi mecaj said...

Arta,
ja dhe perralla qe me kerkove me Qerosin:

NJËQIND GËNJESHTRA PA NJË TË VËRTETË
(Përrallë shqiptare)

Na ishte seç na ishte. Ishte një herë një baba me tre fëmijë që s’kishte gjë tjetër veç shpirtit dhe një kasolle të shkatërruar, një kalë, një shalë dhe një fre. Kur i erdhi çasti i vdekjes, thirri të tre bijtë e u tha:
-Unë jam duke vdekur dhe gjë e mall s’po u lë; por jetoni me nder, mos e lëshoni njëri tjetrin dhe, si mbas moshës që keni, kalin ta marrë më i madhi, i dyti të marrë shalën e i treti frerin.
Plaku dha shpirt. Mbas pak kohe vëllai i madh u tha:
-Po dal me kalin që më ra në pjesë të fitoj, mbase ia gjej edhe shalën edhe frerin.
Del dhe piqet me një tregtar të madh:
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç! Ç’e mirë të solli nga këto anë? – e pyeti tregtari.
-Doja t’i gjeja kalit shalë dhe frerë – përgjigjet ai.
-Ti jap unë – i thotë tregtari – shalë e fre, në qoftë se di të më rrëfesh njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë; përndryshe kali që ke bëhet imi.
-Mirë, e thënë e bërë – thotë vëllai i madh.
Fillon të rrëfejë njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; por s’mundi të rrëfente më shumë se tridhjetë dhe kështu që e humbi kalin.
Mbas pak kohe i shkon mendja vëllait të dytë të dalë me shalën për të fituar, që t’i gjejë kalin dhe frerin. Takon tregtarin me të cilin ishte ndeshur i vëllai.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Kam ardhë - i thotë vëllai i dytë - të fitoj; ndoshta i blej edhe kalin edhe frerin.
-Kalin dhe frerin t’i jap unë – ia kthen tregtari – në qoftë se je i zoti të më tregosh njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; përndryshe shala bëhet imja.
-Mirë – i thotë vëllai i dytë.
Fillon të tregojë njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; por s’mundi të tregonte më shumë se pesëdhjetë dhe kështu që e humbi shalën dhe u kthye në shtëpi duarthatë.
Vëllai më i vogël ishte qeros, por shumë i zoti. Një ditë prej ditësh merr frerin dhe del për të fituar për të gjetur kalë e shalë.
Piqet në rrugë me tregtarin e madh, që ua kishte punuar të vëllezërve.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Kam dëgjuar – i thotë qerosi – se ti fiton me gënjeshtra dhe ti më merr frerin, unë të marr kalë e shalë.
-S’ka më mirë – ia kthen tregtari – por nisja, në qe se më nxjerr njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë.
“U çova një ditë, filloi qerosi, e s’ish ditë, kishte bletë e s’kishte, i numërova e s’i numërova, i numërova e s’i numërova e s’mund t’i numëroja; hyra dhe numërova mizat e bletës e më doli një më pak. U mërzita edhe më fort pse kishte humbë një mizë blete, e mora një gjëlpërë dhe një bërthamë e shkova në breg të detit. Kur mbërrita në breg të detit, kqyra mos e shihja kund mizën e nuk e pashë; ngula atëherë gjilpërën në tokë e hypa majë gjilpërës e pashë përtej detit të zi një bujk që po e lëronte tokën me një buall e me një mizë blete. E njoha se ishte miza ime; por s’kisha si ta kaloja detin. Mbolla atëherë farën e kungullit e u ula e fjeta.
Sa fjeta unë, fara kishte mbirë e kishte lëshuar një degëzë të hollë e të gjatë mbi shpinën e detit deri në bregun përtej. U çova prej gjumit e nëpër degëz kalova detin e shkova te ai që po punonte tokën.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Po si ma ke marrë mizën e bletës e punon me të? – i thashë. Be e rrufe ai, se “s’ta kam marrë, por ka ardhë vetë”.
-Mirë, - i thashë – nuk po prishemi për kaq gjë; por më laj dëmin që më ke bërë!
-Po ta laj, - m’u përgjigj –por prit sa të mbjell farën e të piqet kjo që mbolla, e ta korr, ta shij e ta hedh ndër thasë.
Sa e mbolli edhe atë që i pat mbetur, mbiu ç’ka hodhi, u rrit, u poq, e korri, e shiu e m’i mbushi thasët.
-Ja, -tha, -grurin për dëmin dhe miza jote.
Ngarkova grurin në të dy anët e mizës, hypa në mes të barrëve, u fala me bujkun e u nisa të kthehem. Kur mbërrita në mes të detit pashë se po rëndonte njëra anë e barrës, u ula në det, e numërova grurin kokërr për kokërr e më del një më tepër. Mora spatën e e çava më dysh, i bëra barrët baraz e u nisa për shtëpi. Kur hyra në oborr, mora vesh se më kishte lindur babai. Lumi kush po shkon, e lum kë po gjej. U gëzova fort e mendova t’i bëja djepin babait. Mora dyqind spatarë e i vura të presin në një pyll: por s’dolën dërrasat për djepin; mora një ashkël, që kishte mbetur në teh të spatës e doli e tepëroi edhe për një stol të vogël. Duhej të punoheshin edhe shpërgëjt. Thirra dyqind qethtarë e i vura të qethnin dymijë dhën, por s’doli leshi. Kishte mbetë një qime e vetme në teh të gërshërëve e me të mbarova shpërgëjt edhe një brez.
Një ditë më erdhi mendimi të dal për gjah. Kishim tri pushkë: dy të thyera e një pa çark, e tre zagarë: dy të ngordhur e një pa shpirt. Mora pushkën e paçark e zagarin e pashpirt e kërkova në mal e ndesha në tre lepuj: dy të ngordhur e një pa kurrëfarë jete. Me të parën herë që shtiva, vrava lepurin e pajetë e e vura në krahë. Duke ecë rrugës gjeta tri shtëpi: dy të rrënuara e njëra kishte rënë brënda; hyra në atë që kishte rënë brënda e gjeta tri plaka: dy qorre e një pa sy. Pyeta plakën e pasy nëse shihte kund ndonjë enë e ajo më dëftoi tre enë: dy të thyera e një pa bythë. Mora enën pa bythë e zjeva lepurin e pajetë; mishi më rrodhi, lëngun ma mbajti e hëngra vetë e hëngrën tri plakat.............................
-Mjaft, mjaft! –tha tregtari, -se i ke kaluar njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë. Ja kalin, shalën, shtëpinë time e mallin tim e i gëzofsh me gjithë vëllezër.
Vajti qerosi, mori edhe dy vëllezërit e jetoi si më i miri zotëri.
Përralla në Lesh, shëndeti prej nesh.

Përshtatur nga Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, shkurt 2005)

andi mecaj said...

Arta,
po te dergoj edhe kete autor shume te mire vjershash per femije,
me nderime Andi Mecaj


FERDINAND LAHOLLI-Poeti i ndjenjave të holla për fëmijë

Ferdinandi është njëri nga miqtë e Andit dhe falë kësaj miqësie, shkëmbimit të librave mes tyre, u njoha me krijimtarinë e tij. Nuk është ky shkaku që vendosa ta shoqëroj në këtë botim, por cilësia e poezive të tij, bukuria e vargut, fisnikëria e ndjenjave, dëshira për t’i mësuar ato përmendësh.
Duke përgatitur për botim te “Gazeta e Athinës” këtë tufë poezish nga Ferdinand Laholli, mbulohet një farë mungese ndaj kësaj letërsie në shtypin e këtushëm, sepse edhe fëmijët tanë, megjithëse një pjesë e mirë e tyre në kushtet e emigrimit shumëvjeçar të mungesës së arsimimit në gjuhën amtare, lexojnë pak në shqip, duhet të kenë herë pas here letërsinë e tyre.
Vëllimin “Libri i dëshirave” e shoqëron me një parathënie të ngrohtë shkrimtari i paharruar i letërsisë për fëmijë, Odise Grillo. Duke shkëputur disa fragmente prej saj, mendoj se lexuesi krijon një mendim për vlerat e krijimtarisë së Lahollit, i cili do të plotësohet me leximin e tyre.
“Shumë vjet më parë,- shkruan Grillo,- në një ditë të nxehtë vere, te pishat para shtëpisë botuese “Naim Frashëri, ku punoja, më ndaloi një djalosh trupvogël e i imët, me sy tepër xixëllues e zhbirues, a thua se ishte Jezu Krishti vetë!... Më pyeti në se isha shkrimtari O.G..., u prezantua dhe u interesua për fatin e librave të tij...
U zura tepër ngushtë. Nuk dija ç’farë t’i thoshja...
Si mund t’i thosha se ai s’mund të botonte libra, pasi ishte i nternuar e “armik i klasës”?
U ndava me një brengë në zemër për fatin e atij djaloshi të talentuar, që edhe pse e pashë vetëm një herë e për pak çaste, më mbeti në mendje për gjithë jetën...
Pasi mbaron së lexuari përmbledhjen poetike të poetit të ri e të talentuar Ferdinand Laholli (dhe e lexon krye e fund me një frymë e me kënaqësi të madhe), me një herë thua me vete: “ky është një poet lirik që i këndon natyrës, ashtu siç mund t’i këndojë vetëm fëmija! Është një peisazhist, si Mioja i famshëm, në poezinë për fëmijë”. Ç’dëshira fisnike të shprehura në vargje nga vetë poeti! Këto janë dëshirat e fëmijëve, se ata veprojnë e flasin nëpër vjersha, por edhe të autorit... Falë talentit e djersës së autorit, fëmijët as do t’i braktisin e as do t’i grisin, por do t’i rilexojnë vargjet më të bukur të poetit, se ato janë shumë zemërbardha e të frymëzuara...”.
Me këto fjalë kaq vlerësuese të Grillos po e mbyll përcjelljen time të shkurtër për Lahollin. Mendoj se duke lexuar poezitë e zgjedhura nga dy vëllime të tij, kam besimin se lexuesi do të dijë t’i vlerësojë vetë.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
janar 2005

Ferdinand Laholli u lind më 6 qershor 1960 në Gradishtën moçalore, ku familja me prejardhje nga Vidohova e Korçës, si pasojë e emigrimit të atit të tij në Amerikë, qe dërguar të përjetonte ferrin e regjimit enverhoxhian. Më pas familja Laholli dërgohet në kampin e internimit Savër, ku për tridhjetë vite vuajti mohimin total të sistemit monist. Shkollimin tetëvjeçar e mbaroi në Savër më 1974, ndërsa vijimi i gjimnazit përbënte herezi. Pas tetë vitesh iu lejua të frekuentojë mbrëmjeve shkollën e mesme, të cilën e mbaroi në vitin 1987. Më 1990 emigron në Gjermani ku jeton edhe sot. Shkruan poezi dhe prozë e gjer më sot ka botuar këto vëllime poetike:

“Mjaft ky paradoks i hidhur" – Tiranë 1992.
"Në ishullin e vetmisë / Auf der Insel der Einsamkeit" - shqip-gjermanisht, Tiranë 1993. Përkthimi nga: ROBERT SCHWARTZ.
"Libri i dëshirave" – Tiranë 1994.
"Te kjo vajzë e përgjakur / An diesem blutüberströmten Mädchen" – shqip / gjermanisht, Tiranë 1994. Përkthimi nga ROBERT SCHWARTZ.
"Suicidio delle foglie" (Vetëvrasja e gjetheve) - shqip-italisht, Frosinone (Itali) 1995. Përkthimi nga: NOE
"Shtrigani i ëndrrës" – Tiranë 1996.
"Urrejtja nuk është dashuria ime" – Prishtinë 1997.
"Paolo" – Tiranë 1999.
"Në Bykeburg bie shi / Es regnet in Bückeburg" – shqip-gjermanisht, Tiranë 2000.
"Antologji e poezisë moderne shqipe / Anthologie der modernen albanischen Lyrik" - shqip / gjermanisht, Holzminden (Gjermani) 2003.

Nga libri “Libri i Dëshirave”

DIELLI

Qiellit lart,
dielli i artë,
që shikon mbi gjithësi,
si piktori
furçën nxorri,
botën leu me flori.

“Mirëmëngjes!”
E përshëndes
e me shokët rend në shkollë,
buzagas
na ndjek pas,
na puth faqet porsi mollë.

Dhe kur retë
mblidhen shpejt,
u fsheh dielli kurrë s’thamë,
se çdo herë,
dimër-verë,
ai qesh tek sytë tanë!

KUR PËR BABIN MË ZU MALLI


Shkroi gishti im mbi rërë
fjalëbukurën: baba!
Erdhi vala, ç’kisha bërë
ma rrëmbeu, më s’u pa.

Po unë s’mbeta pa babanë,
këtë vala s’mund ta thotë.
Brenda zemrës unë e kam
e nga zemra s’ma merr dot!

SONTE


Sonte qielli përmbi krye
mbjellë me yje, yje, yje.

I sheh Linda edhe thotë:
-Dua një ta kem në gjoks!

Në dy faqet motrën puth,
marr gjilpërë e pe të kuq.

Pastaj sytë sa hap e mbyll
ia zbres nga lart një yll.

SYTË E KALTËR


Sytë e kaltër
që kam unë
e gëzojnë
babin shumë,

kur në dhomë
hyn çaplehtë,
pas peshkimit
nëpër det.

Ç’gjë të bukur
kam në sy?
Babi detin
sheh aty.

HËNA


Përmbi retë
hëna shket,
del prej tyre për një çast,
si piktore,
bojë hënore
i jep botës rreth e qark.

Me një fill,
ah, ta lidh,
si të ishte një balonë,
ta afroj,
të shikoj
bukuritë e vendit tonë!

DËGJOJ ERËN


Dëgjoj erën
që shtyn derën,
që dritaren e grind prapë.
Ç’qejf do t’ishte,
në një shishe,
që ta mbyllja me një tapë!

Pastaj natën
t’hiqja tapën
nëpër rrugë e trotuare,
që fshesarët,
duarartët,
lodhje të mos ndjenin fare!

DIELLI, UNË DHE GJYSHJA E VERBËR


Lart tek qielli
duket dielli
me shikim dritëar,
plot të fshehta
që ka jeta
përmbi dhe, ai ka parë.

Sa të rritem,
do të ngjitem,
ta zbres diellin që aty,
që mbi tokë,
dritëfortë,
gjyshja ime ta ketë sy!

SHOQËRI ME DETIN


Vera shkoi,
kësisoj
dhe pushuesit ikën larg.
Deti i gjerë
këtë herë
u mërzit e ngriti dallgë.

Sot unë vi,
në vetmi
mos ta lë të mirin det.
Do më shohë,
do më njohë
e do ndjehet më i qetë...

DERA E SHTËPISË

Si gjithmonë,
na ndihmon
që të hyjmë në shtëpi,
dhe atje
shohim ne
njerëz, sende, orendi.

Nuk do dua,
dera mua
në shtëpi veç të më mbajë,
po shpeshherë
të më nxjerrë
për të njohur botën mbarë!

PËR FESTËN E NËNËS

Nesër, nënë, ke festën,
ndaj zemra fort troket:
do desha tërë pranverën
ta mblidhja në buqetë!

ERA

Mbi një kalë
kaq të rrallë,
që as syri s’e zë dot,
vrapon era
si ngahera:
anembanë nëpër botë.

Si të hip
ndonjë ditë
edhe unë përmbi kalë të erës?
Vendit tim,
plot gëzim
të ndjej vrullin e pranverës!

S’DO LAKMONIM FLATRA ZOGU

Unë dhe shoku,
flatra zogu
s’do lakmonim këtë natë,
që të shkonim,
të mësonim
a ka jetë tek yjet lart.

Ku i dihet
kur arrihet,
udhëtimi s’është i lehtë!
Kjo dëshirë,
e dimë mirë:
na do hipur në... raketë!




NDAJ SI DIELL I QESHIN SYTË

Kjo Elvira,
kushërira,
që mëson në klasë të dytë,
kurdoherë,
dhjeta merr,
ndaj si diell i qeshin sytë!

Si Elvira,
kushërira,
do mësoj me dashuri,
nëpër dritë,
ajo dritë,
t’i gëzojë dhe sytë e mi!

DRITA ELEKTRIKE PËR HËNËN

Nëpër terr,
si fener
duket hëna n’udhëtim.
E shikoj
dhe mendoj:
është i pakët ky ndriçim!

Duhen vënë
dhe në hënë
drita si në çdo shtëpi,
nëpër netë,
të mos jetë
fytyrëzbehtë si tani!

DËSHIRAT

Sa dëshira,
fytyrëdlira,
kam takuar nëpër ditë!
Janë shumë,
ndaj dhe unë
dua që t’i dinë fëmijtë.

I gëzuar,
i menduar
nëpër fletë i mbjell me penë.
Hiç mos prisni,
i braktisni
zemërbardha po mos qenë!

ZEMRA

Zemra është si libri
që di këngë shumë,
për malin, bilbilin,
për të shpejtin lumë;

Për qiellin e lartë,
për zogjtë e gëzuar,
për vjeshtën e artë
plot fruta ngarkuar.

Veç kënga e nënës,
e të mirës nënë,
në librin e zemrës
është e para këngë!

Nga libri “Paolo”

PRANVERË

Qielli i kaltër
sot kaq afër,
mund ta zbresësh në pëllëmbë!
Diellimi,
notë gëzimi,
na dërgon puhizën këngë.

Çdo e qeshur
floriveshur!
Mami, ti dhe unë përdore.
Magjiplotë
është kjo botë,
nëse është paqësore!


SHALQINI

Rrëmben thikën,
vjen dhe ikën
me vrullimin e një trimi.
Sa i etur!
Duhet gjetur
strofkulla ku rri shalqini!

Hap dollapin,
merr larashin,
që prej thikës kërcet – trak!
Duart ndoten.
Sytë të loten,
se shalqini po rrjedh gjak...

QARJE NË MESNATË

Është mesnatë.
Në krevat
lodrat ëndërrisht po flenë,
ndërsa ti,
për çudi,
qan, paçka se shkak nuk gjen.

Befas lodrat
ngrenë kokat,
me fytyrat bërë prush...
Bir o shpresë,
ki kujdes,
qaramanët si do kush!

DISKU I DIELLIT

Të shëtisë,
kaltërsisë,
disku i diellit sa ka dalë.
Tek shikohet,
krahasohet
me një bukë të valë, të valë...

Dhe ti thua:
-Ta mbush, dua,
sofrën e tokës, plot me të,
nga uria,
njerëzia
të mos friken kurrë më!

EH, KJO SHPATË

Shpatën ngjeshe,
u përveshe
dhe gufove krahërorë:
Dhelpër a ujk
po u duk,
kokën do t’ia jap në dorë!

Brofi Pony:
Imzot, ç’thoni!?
Unë për trim ju njoh vërtet,
por kjo shpatë,
eh, kjo shpatë
prej llastiku është dhe s’pret!



MATANË

Matanë derës,
dorë e erës,
të fton botës së paanë.
Ç’rrugë të marrësh,
që të dalësh
ku pallatin ëndrrat kanë?

Po të ngjasë,
e pamasë
lodhja të të mbijë në sy,
sill ndërmend:
te ky vend,
është një prag, që pret për ty!

LIBRI I GRISUR

Krejt ngadalë,
pa bërë fjalë,
kap një libër në sirtar,
i heq fletë,
i bërtet,
si të kishte bërë faj.

Pas ca vitesh,
kur të rritesh,
kur në shkollë të shkosh me shokë,
unë e di:
kurrsesi
s’do besosh ç’ke bërë sot!

(Botuar në "Gazeta e Athinës", shkurt 2005)

andi mecaj said...
This comment has been removed by the author.
andi mecaj said...

Kenga per femije-Tregimi i gjyshes.mp3
http://rapidshare.com/files/123858499/Kenge_per_femije-Tregimi_i_gjyshes.mp3

Arta said...

Andi,

Shume, shume, shume faleminderit!!
Je i mrekullueshem :)

Arta