Thursday, April 21, 2011

SYTË E KALTËR



Sytë e kaltër
që kam unë
e gëzojnë
babin shumë,

kur në dhomë
hyn çaplehtë,
pas peshkimit
nëpër det.

Ç’gjë të bukur
kam në sy?
Babi detin
sheh aty.


Nga libri “Libri i Dëshirave”
FERDINAND LAHOLLI
Përgatiti Hiqmet Meçaj


Monday, March 21, 2011

PRANVERË



Qielli i kaltër
sot kaq afër,
mund ta zbresësh në pëllëmbë!
Diellimi,
notë gëzimi,
na dërgon puhizën këngë.


Çdo e qeshur
floriveshur!
Mami, ti dhe unë përdore.
Magjiplotë
është kjo botë,
nëse është paqësore!


FERDINANT LAHOLLI

image from picturebook.

Saturday, March 12, 2011

DIELLI


Qiellit lart,
dielli i artë,
që shikon mbi gjithësi,
si piktori
furçën nxorri,
botën leu me flori.

“Mirëmëngjes!”
E përshëndes
e me shokët rend në shkollë,
buzagas
na ndjek pas,
na puth faqet porsi mollë.


Dhe kur retë
mblidhen shpejt,
u fsheh dielli kurrë s’thamë,
se çdo herë,
dimër-verë,
ai qesh tek sytë tanë!


Nga libri “Libri i Dëshirave”
FERDINAND LAHOLLI
Përgatiti Hiqmet Meçaj


Monday, March 7, 2011

PËR FESTËN E NËNËS




Nesër, nënë, ke festën,
ndaj zemra fort troket:
do desha tërë pranverën
ta mblidhja në buqetë!


Nga libri “Libri i Dëshirave”
FERDINAND LAHOLLI

image from picturebook.

Friday, February 25, 2011

ZEMRA


Zemra është si libri
që di këngë shumë,
për malin, bilbilin,
për të shpejtin lumë;

Për qiellin e lartë,
për zogjtë e gëzuar,
për vjeshtën e artë
plot fruta ngarkuar.

Veç kënga e nënës,
e të mirës nënë,
në librin e zemrës
është e para këngë!

Nga libri “Libri i Dëshirave” FERDINAND LAHOLLI
image from picturebook.

Thursday, February 17, 2011

Gjergj Kastrioti Skenderbeu


Lirinë nuk jua solla unë,
por e gjeta këtu në mes tuaj,
armët nuk jua ngjesha unë,
por ju gjeta të armatosur,
lirinë e kishit kudo,
në kraharor, në ballë,
në shpatë, e në ushtat!

Nga fjala e Gjergj Kastriotit, çlirimi i Krujës, 28 Nëntor 1443.
Sipas Marin Barletit,


"Kapedanë dhe ushtarë trima".

S‘është as e re, as e papritun pamja që kam sot përpara syve. Ashtu si ju kujtonja, ashtu ju gjeta, stërnipër të thjeshtë të një race të vjetër dhe bujare, trima dhe besnikë të patronditur të vendit dhe të mbretit tuaj. Edhe jam i lumtur tani që mund t‘ju hap zemrën time. Ju thom pa u mburrur që, sa kam rrojtur, kam patur gjithnjë këtë mall për atdhenë dhe këtë dëshirë për lirinë.


Kur më ftuat për këtë vepër nga shërbimi i Sulltanit, kisha në zemër atë dëshirë që kishit edhe Ju. Juve ndofta ju shkoi nga mëndja që e kisha harruar vëndin, edhe nderin, edhe lirinë, kur ju ktheva prapa të helmuar, pa ju dhënë asnjë shpresë dhe pa ju treguar asnjë ndjenjë bujare dhe shpirtmadhe. Po unë sillesha me atë mënyrë, se ashtu e deshte shpëtimi i juaj dhe i imi, se puna ish e tillë se duhej bërë dhe jo thënë, se e shikonja që kishit më tepër nevojë për frë sesa për shtyrje. Jua fsheha planet e mia dhe s‘jua çfaqa dëshirën që kisha në zemër aq vjet, jo se s‘u kisha besim, jo se s‘jua dinja shpirtin, po se ju ishit të parët që e hothtë zjarrin dhe u futët në këtë valle; po se puna duhej mejtuar thellë, se duheshin gjetur mjetet, se duhej zgjedhur koha e mirë. Ndryshe do të derdhej gjak më kotë dhe përfundimi do t‘ish nji robëri me e keqe se e para. Dhe ahere çdo shpresë për të nesërmen fluturonte; se nji punë si kjo niset njiherë e mirë; dhe në mos vaftë mbarë, rasja dhe mjetet për ta nisur ikin e s‘kthehen kurrë prapë. Prandaj s‘ja tregonja planin tim as vetes sime dhe ruhesha mos me shkiste gjuha dhe më dëgjonin muret. Kam për dëshmor Hamzën, tim nip, që e kam pasur këshilltar, përkrahës dhe shok armësh, me ca të tjerë të pakë, me besnikërin e të cilve e vumë këtë plan në vepërim. Tani, ndonëse rronim e hanim bashkë dhe kishim një zemër dhe një shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta s‘më kish dëgjuar kurrë të zë n‘gojë atdhenë, lirinë dhe krishtërimin, gjersa ardhi rasa në betejë të Nishit.

Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj, se Arberise nuk i mungojnë burrat, po ju pëlqeu ta prisni nga dora e ime, ndonëse vonë, se kështu ndofta desh vet i madhi Zot. Se është me të vërtetë çudi që trima kryelartë si ju, të rritur në liri, duruat kaq kohë robërin e barbarve, duke pritur të më shikoni një ditë në krye tuaj.

Po vallë, a e meritonj këtë titull të bukur të çlironjësit që kini mirësinë të më jipni?

Lirinë s‘jua solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj. Posa shkela këmbën këtu, posa dëgjuat emrin, renttë që të gjithë, më dualtë përpara kush e kush më shpejtë, sikur t‘ishin ngritur nga varret atërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishte zbritë nga qielli vetë Perëndia. Më prittë me aq dashuri dhe gëzim, më sualltë aq shërbime të çmuara e pa numër, sa më bëtë më tepër ju robin tuaj sesa unë të lirë ju.


Këtë mbretëri, këtë qytet nuk jua dhashë unë. Armet nuk jua dhashe une, po ju gjeta t‘armatosur. Lirinë e kishit kudo, në krahërore, në ballë, në shpata e në ushtat; si gardjan besnikë t‘emëruar prej tim eti, ju ma vutë mbi krye këtë kunorë, ju ma dhatë në dorë këtë shpatë, ju më bëtë zot të kësaj mbretërije, të cilën ma ruajtët me aq besë, me aqë kujdes, me aq mundime.

Shpjermëni tani, me ndihmën e perëndisë, që ta çlirojmë tërë Shqipërinë. Pjesën më të madhe, pothuaj tërë punën, e mbaruat: Kruja dhe tërë krahina e saj u fitua; Dibra dhe Malësitë u bashkuan me ne; anmikut s‘i mbeti as emëri, as shënjat në fushat tona; qëndrojnë vetëm fortesat. Kam shpresë t‘i marrim edhe këto me hir a me pahir, me dhelpëri a me trimëri, ndonëse garnizonet turke janë më të forta dhe kështjellat janë vendosur si shkëmbenj të ashpër dhe të paafruarshëm.

Armiku është i rrethuar, i dëshpëruar, dhe s‘i kanë mbetur veçse muret e fortesave. Po për këto do të këshillohemi e do të përfundojmë më nurë kur të vemi në vënt e kur të kemi armët në dorë dhe anmikun përpara, sesa tani për së largu dhe pa ditur se ç‘kemi përballë. Do të nisim nga Petrela më parë, jo se kjo është më e lehtë për t‘u fituar - përkundër është një fortesë prej natyre dhe ka një garnizon të fortë - po se ndodhet më afër kryeqytetit, dhe jam i sigurt që lajma e mirë e ngjarjeve në Krujë ua ka ngrirë gjakun armiqve. Të tmerruar nga trimërija e juaj dhe nga çkatërrimi i garnizonit të Krujës, ndofta do të na lëshojnë fortesën më të mirë; në mos, po do t‘i shtrëngojmë të na e japin me të keq. Një gjë vetëm duhet të keni nër mënt: në mos e marrshim Petrellën, asnjë nga ne s‘ duhet të kthehet prapë i gjallë.

Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndilnmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. O Burrani!"


Wednesday, February 9, 2011

Rrefenja e Beratit

Kjo është një gojëdhënë e lashtë shqiptare për Beratin:

Dy vëllezër të fuqishëm dhe të hijshëm, Tomorri dhe Shpiragu, u zunë për një vajzë të bukur pas së cilës të dy kishin lënë mëndtë. U zunë aq fort e aq shumë saqë filluan të luftonin midis tyre. Tomorri luftonte me shpatë dhe Shpiragu me topuz. Tomorri e goditi Shpiragun me shpatë dhe ia bëri trupin vija vija. Shpiragu e goditi Tomorrin me topuz duke ia bërë trupin gjithë hone e gropa. Të dy trima e të pamposhtur luftuan e u vranë derisa dhanë shpirt. Vajza e mjerë që i shikonte, nuk mundti ta ndalte dyluftimin.

Ajo u ul ne gjunjë dhe qau, e qau, dhe i lau trupat e të dy trimave me lotët e saj. Ajo qau aq shumë, derisa më në fund, trupi i saj u ngurtësua dhe u be një gur i madh e i rëndë. Mbi atë gur më vonë u ndërtua dhe qëndron edhe sot e kësaj dite kalaja madhështore e qytetit të Beratit. Nga lotët e saj u krijua një lumë i rrëmbyeshëm, lumi Osum, që rrjedh pranë Beratit. Dy vëllezërit, dy trimat, u shndërruan në male, aty ku ranë dhe qëndrojnë edhe sot krenarë e madhështorë ne dy krahët e qytetit te Beratit, Tomorri dhe Shpiragu. Tomorri është i lartë e i rëndë, dhe trupin e ka gropa-gropa, nga goditjet e Shpiragut. Shpiragu ka rëne përsëgjati dhe shpatet i ka vija-vija, nga të prerat e Tomorrit.

Për më shumë:
Qyteti i Beratit
Bukurite e Osumit
Agim Bacelli per Baba Tomorrin

Sunday, January 30, 2011

Hartimi dhe debora

Ja zilja ra,
Kemi hartim.
Sa gjallëri,
dhe frymëzim.
Por për çudi,
shikoj nga jashtë,
një zog na fton,
çukit në xham...


Bora e parë,
pemët mbuloi.
çudi më parë
si nuk e pamë.
I vogli zog
shpejt fluturoi,
ti shkojmë nga pas,
me gaz na fton.

Ja bo ulet mbi oborr,
lehtë-lehtë kjo dëborë,
Oh sa na gëzon,
dhe si zogj na fton.
Ja të qeshur
ne vrapuam,
pamë mimozat,
qenë mbuluar.
Oh, sa u cuditëm,
zemrat na trokitën.

Ja te qeshur
lozim ne si fëmijë
gjuaj unë me borë
gjuan ti,
shpejt harruam
se ne kishim hartim,
Ej ti shok,
pse gjuan kaq fort?
Ja zilja ra,
sa shpejt mbaroi kjo orë
me sy të qeshur
ne mësuesen shikojmë.
Dhe si femijë,
qëndrojmë të shpërndarë në oborr,
Nuk kemi faj....
Fajin e ka kjo borë.





Saturday, January 29, 2011

Bardhesi


Topa bore hedhin shokët tanë,
Borë e bardhë, ç'bardhësi,
Në secilin top që të dërgoj,
Të dërgoj dashuri,





Nostalgji....

Bardhësi -



Sonte ne të dy vallëzojmë bashkë,
Bie borë, ç'bardhësi,
Nëpër vezullimet
Sytë e tu seç kërkojnë sytë e mi,

Eja një çast të dalim bashkë,
Nata e bardhë po na fton,
Bora mbi rrugë paqe sjell,
E qetë ajo zbardhëllon,

Topa bore hedhin shokët tanë,
Borë e bardhë, ç'bardhësi,
Në secilin top që të dërgoj,
Të dërgoj dashuri,

Qenka shumë e bardhë kjo natë,
Bie borë, ç'bardhësi,
Eja sonte ne të dalim bashkë,
Ç'bardhësi, borë që ngrin,

Dhe ja ne heshtëm për një cast,
Heshtëm të dy nën një blin,
Tërë vezullime sytë e tu,
Kërkojnë sot sytë e mi,

Topa bore hedhin shokët tanë,
Bore e bardhë ç'bardhësi,
Në secilin top që të dërgoj,
Të dërgoj dashuri.

Bie borë ç'bardhësi,
Bie booorëë
Bardhësi.




Thursday, January 27, 2011

HËNA



Përmbi retë
hëna shket,
del prej tyre për një çast,
si piktore,
bojë hënore
i jep botës rreth e qark.

Me një fill,
ah, ta lidh,
si të ishte një balonë,
ta afroj,
të shikoj
bukuritë e vendit tonë!


Nga libri “Libri i Dëshirave”
FERDINAND LAHOLLI
Përgatiti Hiqmet Meçaj

Picture from: picture book

Friday, January 21, 2011

Dele dele kucuvele


Dele, dele kuçuvele,
më ka blerë babi një dele,
ajo është dele rudë,
e ka leshin shumë të butë,
mua mami më ka thënë,
edhe fjalën ma ka dhënë,
kur të qethim delen o,
të bën mami një triko!

Wednesday, January 12, 2011

Atdheu


I mora A-në atit,
në të ishte dhe nëna,
i mora T-në tokës,
në të ishte edhe zemra,
i mora D-në detit,
në të ishte dhe qielli,
i mora H-në hënës,
në të ishte dhe dielli,
i mora E-në erës,
në të ishte dhe shiu,
i mora U-në ujit,
në të ish' dhe njeriu,
i lidha gjithë bashke
dhe gjeta,
ATDHEU-n.

Autori:

Tuesday, January 4, 2011

Bariu dhe dhite


Një bari i çoi dhitë e veta për të kullotur. Atje vuri re se dhitë e tij
ishin përzier me dhi të egra, dhe kur erdhi mbrëmja i shtiu të gjitha
në shpellën e vet. Të nesërmen, bëri shumë ftohtë, dhe nuk mund t'i
nxjerrë në kullotë dhitë, prandaj i la në shpellë. Dhive të veta
u gjeti nga pak ushqim, sa të mos i marrë uria, kurse dhive të egra u
gjeti mjaft ushqim për t'i bërë krejtësisht për vehte. I ftohti mbaroi dhe
ai i nxori të tëra dhitë në kullotë. Dhitë e egra morën malin e ikën.
Kur ai filloi t'i qortojë se janë mosmirënjohëse që ikën dhe e lanë,
megjithse ai u kujdes shumë për to, ato u kthyen e i thanë:

- Pikërisht për këtë ne frikësohemi dhe ikëm prej teje. Gjersa ti
neve, që të erdhëm dje, na çmove e shikove më tepër se dhitë tua, është
e qartë se edhe të tjerat që do të afrohen më vonë, to t'i çmosh e
shikosh më tepër se ne.



Wednesday, December 22, 2010

Cfare thote kusia?


Një mbret i ri, në moshë rreth 25 vjeç, i pa martuar, e trashëgoi fronin nga i jati. Ai djalë ishte pak i çuditshëm për mbretërinë, sepse pyetjeve të tija, të pakët ishin ata që mundeshin ti përgjigjeshin! Bashkë me fronin, nën urdhërat e tij ishin edhe të gjithë ata që i kishin shërbyer me besnikëri babait të tij. Njëri nga këta ishte një këshilltar me gradën gjeneral, i vjetër në moshë, rreth të 60-tave, dhe me flokë të thinjur.
Një ditë prej ditësh, Mbreti dhe Gjenerali, kështu quhen në përrallë, ishin duke biseduar në dhomën mbretërore, rreth oxhakut sepse ishte vjeshtë dhe koha kishte filluar të ftohej. Në çengelin e oxhakut, ishte varur një kusi me ujë, e cila përdorej për të mos u tharë ajri i dhomës. Për një moment nuk po fliste asnjëri dhe dëgjohej vetëm kllu-kllu i ujit që valonte dhe tek-tuk ndonjëçik ujë që binte në zjarr, duke lëshuar atë zhurmën karakteristike të tij. Kush ka qën mbret, e di shumë mirë se ç’do të them! Befas Mbreti e pyet Gjeneralin:
- Çfarë thotë Kusia?


Gjenerali qeshi! Duke menduar se Mbreti bënte shaka, sepse nuk e kishte dëgjuar herë tjetër këtë lloj pyetje! Por Mbreti këmbënguli dhe e pyeti përsëri:
- Çfarë thotë Kusia?
Përsëri Gjenerali ja ktheu me të qeshur:
- Kusia? Çfarë do thotë? Asgjë!
- Jo! – Ja ktheu Mbreti.- Ajo thotë një gjë!
- Po çfarë do thotë Kusia?- Ju përgjigj Gjenerali me kureshtje.
- Atë dua të gjesh. – I tha Mbreti i vendosur dhe prerë.- Përndryshe nuk meriton të jesh pranë meje.

Gjenerali e kuptoi se Mbreti nuk bënte shaka, por nuk dinte si ti përgjigjej! Mbeti i shtangur dhe u ngrit rrëmbimëthi duke kërkuar leje të largohej.
- Ik. -I tha Mbreti- Ke tre ditë afat për t’a gjetur!

Gjenerali u largua, duke mos e kontrolluar fare veten! Në dalje të portës së jashtme, u përplas me Bahçevanin e pallatit. Edhe Bahçevani ishte një burrë i moshuar, pothuajse në një moshë ma Gjeneralin.
- Ej! Ku i ke sytë? Nuk shikon ku i hedh këmbët? – I foli Bahçevani.
- Ou! Më fal! Nuk e kisha mëndjen!- Ju përgjigj Gjenerali.
- Ku e kishe mëndjen?- E pyeti Bahçevani.
- Lëre mos më pyet!- I tha Gjenerali.
- Po ti fol, se mund të ndihmojmë!- I thotë Bahçevani.
- Nuk e di por… Kështu, kështu… më ndodhi! I tregon gjithë historinë me Mbretin.
- Dëgjo këtu.- I thotë Bahçevani.- Unë nuk të jap dot xhevap, por e kuptoj se kot nuk të ka thën Mbreti! Këto janë nga ato fjalët që përgjigjen e kanë në hejbe, si i thotë një fjale të urtë! Po ti mos u mërzit se në një fshat jeton një vajzë e re, e cila u kthen përgjigje këtyre pyetjeve.
- Në cilin fshat? - E pyet Gjenerali.
- Një ditë larg është prej këtej. Ajo është shumë e zgjuar. Jeton vetëm me babanë.- E sqaroi Bahçevani.

Gjenerali pasi e dëgjoj me vëmëndje, mësoi edhe fshatin ku banonte vajza e zgjuar dhe vendosi që të nesërmen në mëngjez të shkonte atje për të mësuar përgjigjen që do t'i shpëtonte kokën!
Mezi priti të gdhihej! Sapo çeli dita i hipi kalit. Ishte i veshur civil, jo me uniformën ushtarake, që të dukej sa më i thjeshtë dhe mori rrugën për në fshat. Me vehten e tij bënte llogari, se si do gjente sa më kollaj shtëpinë e vajzës! Si do hynte në bisedë! Mendonte edhe ai ndonjë pyetje të ngjashme me atë pyetjen e Mbretit. E bëri llogari që në të ngrysur të gjendej në fshatin e duhur.

Në të perënduar të diellit u gjend në fillim të fshatit të adresuar. Ai ishte një fshat në rrëzë të një mali të lartë. Aty në anë të rrugës pa një fshatar, i cili po lëronte (plugonte) tokën me qe’! Pasi e përshëndeti, Gjenerali e pyeti nëse kishte zjarr për të ndezur një cigare, ndryshe nuk kishte se si të hynte në bisedë me fshatarin.
- Edhe zjarr kemi, edhe duhan kemi!- Ju përgjigj fshatari, një burrë rreth të 50-ave, me një bujari karakteristike të një të varfëri por fisnik!
Gjenerali i zbriti kalit, e la të kulloste në ledhin e arës dhe vetë shkoi u takua me fshatarin bujar. U ulën të dy ashtu siç ishin, mbi arën e sapo lëruar dhe e drodhën nga një cigare, duke përdorur gjethet e kallirit të misrit(lëpushka), në vënd të letrës. Kështu ishte atëherë! Duke tymosur duhanin e fortë të fshatarit, Gjenerali mendonte se si do vazhdonte biseda më tej!

- Ka ndonjë Han në këtë fshat që të gdhihemi për sonte, sepse jam për rrugë të gjatë?-Pyeti Gjeneral, për të hapur muhabet.
- Han nuk kemi në fshat, por... ti mos u mërzit se e kemi një copë kasolle për miq e për shokë!- Ju përgjigj fshatari.
- Të fleminderit por... nuk dua të të bezdis se ke kalamjt e tu e familjen tënde, e më duket sikur do të vë në siklet.- Ja ktheu Gjenerali.
- Ooo ç’është ajo? Unë vetëm një vajzë të vetme kam.
Aha ! Mendoi gjenerali. Paskam goditur në personin e duhur. Për këtë u gëzua dhe e pranoi me kënaqësi ftesën e fshatarit. Kështu që kishte kohë të mendohej edhe për “Kusinë” .
- Të faleminderit shumë! -Ja ktheu përsëri gjenerali dhe u ngritë, pasi u ngritë edhe Fshatari, i cili filloj të lëshonte të dy qetë kurse parmëndën e hodhi në krah. U nisën të dy, Fshatari përpara dhe Gjenerali mbrapa.

Gjenerali e pa të arsyshme që të mos i hipte kalit por, për respekt, ta ndiqte fshatarin më këmbë dhe kalin e mori për dore! Mbasi ecën një cop herë, gjenerali e pyet:
- Do më ngresh, a të të ngre?
Fshatari u mendua një cop herë. ”Po ky dreq! Unë kam parmëndën në krah! Ky kalin e ka bosh! Çdo të thotë me këtë?” E kuptoi se ishte pyetje me tjetër kuptim, ndaj bëri sikur nuk e dëgjoi.

Vazhduan përsëri rrugën. As Gjenerali nuk këmbënguli më. Më lartë rruga kalonte përmes varrezave të fshatit! Atje ishte një varr i freskët. Gjenerali përsëri pyeti Fshatarin duke u drejtuar nga varri i freskët:
- Po ky këtu? Rron apo ka vdekur?
Përsëri Fshatari u mendua! “Ky e shikon që është varrosur! Ç’do të thotë me këtë?” Përsëri heshti, pa kthyer përgjigje. Por edhe Gjenerali nuk i tha gjë.

Gjenerali mendonte se mbase gjente ndonjë kusi në zjarr, e kështu do ishte më e lehtë të hynte në temën që kërkonte!
Mbas pak arritën tek shtëpia e Fshatarit. Fshatari i foli vajzës së tij dhe ajo doli në oborr. Ishte një vajzë rreth 20 vjeçe, me flokët zeza si pënda e korbit, të gjata që i binin deri në mes dhe e bukur në fytyrë. Fshatari i dha urdhër që të priste e nderonte mikun! Ajo menjëherë pas përshëndetjes, i mori kalin nga duart dhe duke e ftuar të hynte brënda në odën e miqëve, shkoi të rregullonte kafshën e lodhur. Duke u larguar Gjenerali vuri re se vajza çalonte pakëz.

Gjenerali hyri brënda në një dhomë të vogël me oxhak, zjarri ndezur dhe në zjarr vënë një kusi, mbi një perosti! Sa u gëzua Gjenerali kur gjeti një ambient të tillë!Pas pak erdhi edhe Fshatari dhe i uroi mirseardhjen mikut, sipas zakonit, duke i dhënë edhe dorën. Pasi u takuan,Gjenerali përsëri pyeti:
- Çfarë thotë kusia?
Fshatari përsëri bëri sikur nuk e dëgjoi, pasi nuk dinte çfarë ti përgjigjej!

Pas pak erdhi vajza e cila u pruri kafetë dhe i uroi mirseardhjen edhe mikut të sapo ardhur. Pasi pinë kafenë, Fshatari ju drejtua vajzës, tek e cila gjithmonë kishte gjetur sqarim për shumë gjëra që ai nuk i kuptonte.
- Moj bija ime! E ftova këtë mikun në shtëpi sepse është për rrugë të largët dhe më erdhi keq që nuk kishte ku të gdhinte natën!
- Po mirë bëre baba! Shtëpia për miq e për shokë është e hapur!
- Po mirë po... ky ma ka bërë tre herë borxh, e unë nuk dija si t’i përgjigjesha!
- Çfarë të tha baba?
- Po ja... e para! Kur po vinim lartë për në shtëpi ky më pyeti: ”Do më ngresh a të të ngre?” Unë nuk dija si t’i përgjigjesha e bëra sikur nuk e kuptova!
- Po mirë të ka thënë baba! Ai të ka thënë: ”Do më llafosësh a të të llafos?” Ju do kini qënë të heshtur?
- Eeee! Ashtu është. Nuk po fliste asnjëri.
Aty Gjenerali u bind se vajza vërtetë ishte e zgjuar.
- E dyta,- vazhdoi Fshatari- kur kaluam tek varri i …filanit! Prapë më pyeti: “Po ky, është gjall apo ka vdekur?”
- Po mir të ka thënë baba! Ai të ka pyetur: "Ka lënë trashëgimtar, apo është shuar fare?"
- Aaa! Nuk e kuptova moj bijë. Po do më falësh se aq ma pret kjo rradake!- I tha Fshatari së bijës.
Gjenerali tani mezi priste të dëgjonte përgjigjen e asaj që kishte marrë udhën, e që do t’i shpëtonte kokën! I hapi sy e veshë, pa folur, për të dëgjuar dialogun që bënin babë e bijë!
- E treta moj bijë! Sapo erdha këtu më pyeti: ”Çfar thotë kusia?” Unë prapë nuk dija ç’ti thosha! Flet kusia? Ndaj e lashë që të të pysja!
- Aaa! Edhe kusia fletë! Për këtë e kam fajin unë, se u mora me punë dhe nuk kam kohë!
- Po çfarë thotë kusi moj bijë?
- Kusia thotë: “Do më hedhësh ujë të ul valën, apo të shuaj zjarrin?”

Kjo nuk i kishte shkuar kurrë në mëndje Gjeneralit! Prandaj e pyeti Mbreti?! Tani u kujtua ai se për nga shkalla ishte ai që duhej të ngrihej e ti hidhte ujë kusisë!Tani gjenerali e ndiente veten të çliruar e të pa mposhtur. Ai sapo kishte mësuar një sekret që të pakët ishin ata që e dinin!
Atë natë ndëjtën deri vonë duke biseduar, hëngrën, pinë, fjetën, pa u zbuluar se “Miku”, me të cilin bisedonin ishte këshilltari kryesor i mbretit!

Kur u ngritë Gjenerali në mëngjez, vajza ju solli kafenë. Duke pirë kafe,”Miku” i thotë Fshatarit, me qëllim që ta dëgjonte vajza dhe si do përgjigjej.
- Shtëpinë të mirë e paske, por oxhaku sikur është njëçikë shtrëmbër!- ( E kishte fjalën për vajzën që ishte e zgjuar por çalote pakë! )
Vajza e kuptoi, ku e kishte muhabetin “Miku” dhe ju përgjigj në momentë:
-S’ka gjë! Dorë ustai është! Mjafton që tymi ikën drejtë!-( E kishte fjalën se mjafton që e kam kokën plotë!…)

Gjenerali e pa se ishte vërtet për t’u admiruar, e shum e zgjuar, prandaj u ngritë, u përshëndet duke i falenderuar dhe u largua për andej nga erdhi!

Të nesërmen shkoi tek pallati i mbretit, i qeshur e i gëzuar. Kur e pa kështu Mbreti e kuptoi se do kishte ndonjë lajm të mirë.
- Hë?- E pyeti, pa pritur që ti thoshte ai.- E gjete ç’thotë kusia?
- Po. E gjeta!
- E çfarë thotë kusia në zjarr?
- Kusia thotë: Do më hedhësh ujë të ul valën,apo të shuaj zjarrin?
- Kush ta tha?- E pyeti Mbreti me një mënyrë këmbëngulëse, pasi ishte i sigurtë se nuk ishte mëdja e tij!
- Vetë e gjeta!- Ja kthen Gjenerali duke u skuqur në fytyrë.
- More... Që nuk është mëndja jote, për këtë jam i sigurtë. Por thuama se tani do ta pres vërtet kokën si gënjeshtar!
- Gjenarali detyrohet t’ja tregojë të gjithë historinë si i ndodhi, që ju të dashur “kalamaj” e mësuat më lartë. Por përralla vazhdon akoma!

Mbreti shkoi ne fshatin e largët në rrëzë të malit, e gjeti vajzën e zgjuar, dhe e mori për grua. Dhe të dy rruan e trashëguan.


Friday, December 17, 2010

Gjë e gjëza (Rruga)


Të gjithë sa shkojnë,
Me këmbë e coptojnë,
Të gjithë sa vijnë,
Me këmbë e grijnë.

(rruga)

Faleminderit, Mirlind.

Wednesday, December 15, 2010

Gjë e gjëza (Kërpurdha)


Është porsi cadër,
Me një këmbë rri,
Fushave të gjera,
Del kur bie shi.

Ç'është a e di?

(Kërpurdha)

Falemiderit, lin2.



Saturday, November 20, 2010

Ç'u mbush mali me dëborë



Ç'u mbush mali me dëborë,
Ç'u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë,
Plot me krushq e me dasmorë:
S'janë krushq edhe dasmorë,
Janë Toskë-e Malësorë,
Janë Toskë-e Malësorë,
Me flamur' të kuq në dorë,
Si dhëndurë me kurorë.


Ç'u zbardhë malet, ç'u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë,
Shqipëtarët gunë-bardhë.
Seç na ardhë palë-palë,
Duke rrotulluar male
Kush me këmb' e kush me kalë,
Kush me shpejt, kush më ngadalë:
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mu në Vlorë,
Mu në Vlorën e lirisë,
N'atë thelb të Shqipërisë


Ç'ka që çan rrufeja retë?
Vjen 'Smaili trim me fletë,
Fluturon posi shigjetë.
Thonë, vjen përdrejt në Vlorë,
Me flamur të kuq në dorë,
Me flamurin e lirisë,
N'atë thelb të Shqipërisë:
Thonë, është vet-i-tretë,
Thonë, është vet-i-tetë,
Thonë, vet-i-njëstetetë-
Rrofsh moj Shqipëri përjetë !!

Këngë e vjetër.
Other albanian paintings: here

Friday, November 12, 2010

Nuk mund të kënaqen të gjithë...


Një burrë po shkonte në pazar me gomar. Kishte marrë edhe djalin me vehte që ti mësonte si bëhen punët. Po ecnin që të dy, babë e bir duke biseduar, dhe gomari ecte pranë tyre. Ec e ec...

Kalon një fshatar, i shikon dhe thotë:
- Po ju or budallenj, vetë lodheni në këmbë, dhe gomari ecën për qejf të vet. Po pse e keni gomarin kur nuk e përdorni?

I vjetri ndalon gomarin, hipin të dy mbi gomar dhe vazhdojnë rrugën duke biseduar. Ec e ec...

I sheh një kalimtar që thërret:
- Po ju o budallenj, qysh e lodhni kaq shumë këtë kafshë të gjorë. Pse ka fuqi ky gomar t'ju mbajë të dyve?

I vjetri ndalon gomarin, zbret nga gomari, lë djalin mbi gomar, dhe vazhdojnë rrugën duke biseduar. Ec e ec...

Kalojnë një grup fshatarësh, dhe njëri thërret:
- Shikoni këtë budallain, vetë lodhet në këmbë, kurse djalin e ri e ka hipur majë gomarit të bëjë qejf!

I vjetri ndalon përsëri gomarin dhe ndërron vendin me djalin: vetë majë gomarit, djali në rrugë pranë tyre në këmbë. Vazhdojnë rrugën duke ecur, e duke biseduar. Ec e ec...

Kalojnë një grup grash, i shikojnë dhe njëra thërret:
- Ç'është kjo punë? Turp të kesh, o burrë! Këtë djalë të gjorë e lë në këmbë e të lodhet, vetë je kapardisur mbi gomar! Turp! Turp!

I vjetri ndalon përsëri gomarin, zbret dhe i thotë djalit:
- E shikon or bir! Mundohu t'i kënaqësh të gjithë, dhe nuk do të kënaqësh asnjë! Hajde tani të mbarojmë punët, sepse erdhëm në pazar...

Origjinali: Ezop
Image from: here