Friday, November 12, 2010
Nuk mund të kënaqen të gjithë...
Një burrë po shkonte në pazar me gomar. Kishte marrë edhe djalin me vehte që ti mësonte si bëhen punët. Po ecnin që të dy, babë e bir duke biseduar, dhe gomari ecte pranë tyre. Ec e ec...
Kalon një fshatar, i shikon dhe thotë:
- Po ju or budallenj, vetë lodheni në këmbë, dhe gomari ecën për qejf të vet. Po pse e keni gomarin kur nuk e përdorni?
I vjetri ndalon gomarin, hipin të dy mbi gomar dhe vazhdojnë rrugën duke biseduar. Ec e ec...
I sheh një kalimtar që thërret:
- Po ju o budallenj, qysh e lodhni kaq shumë këtë kafshë të gjorë. Pse ka fuqi ky gomar t'ju mbajë të dyve?
I vjetri ndalon gomarin, zbret nga gomari, lë djalin mbi gomar, dhe vazhdojnë rrugën duke biseduar. Ec e ec...
Kalojnë një grup fshatarësh, dhe njëri thërret:
- Shikoni këtë budallain, vetë lodhet në këmbë, kurse djalin e ri e ka hipur majë gomarit të bëjë qejf!
I vjetri ndalon përsëri gomarin dhe ndërron vendin me djalin: vetë majë gomarit, djali në rrugë pranë tyre në këmbë. Vazhdojnë rrugën duke ecur, e duke biseduar. Ec e ec...
Kalojnë një grup grash, i shikojnë dhe njëra thërret:
- Ç'është kjo punë? Turp të kesh, o burrë! Këtë djalë të gjorë e lë në këmbë e të lodhet, vetë je kapardisur mbi gomar! Turp! Turp!
I vjetri ndalon përsëri gomarin, zbret dhe i thotë djalit:
- E shikon or bir! Mundohu t'i kënaqësh të gjithë, dhe nuk do të kënaqësh asnjë! Hajde tani të mbarojmë punët, sepse erdhëm në pazar...
Origjinali: Ezop
Image from: here
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment