Tuesday, May 25, 2010

1 Qershori


1 Qershori ynë,
Erdhi përsëri,
Edhe më të lumtur,
Ne na gjen tani,

Të gjithë të gëzuar,
Lozim dhe këndojmë,
Rroftë Një Qershori,
Rroftë festa jonë.

Image from picturebook.com

Tuesday, May 18, 2010

Dhelpra dhe cjapi


Na ishte seç na ishte...

Një ditë një dhelpër ra në pus. U mundua sa u mundua por nuk doli dot. Pastaj vendosi të presë, sepse nuk dinte si të dalte. Një cjap e kishte marrë etja, dhe erdhi tek pusi për të pirë ujë. Aty pa dhelprën brenda, dhe e pyeti:
- O dhelpër, a është uji i mirë?
Dhelpra filloi ta lavdojë e ta mburrë qartësinë dhe kthjelltësinë e ujit sa s'ka më. Pastaj i tha,
- Hajde më mirë këtu poshtë, se këtu e shijon më mirë.
Cjapi zbriti poshtë, pasi e kishte marrë etja pa se nuk dilte dot nga pusi.
- Si t'ja bëjmë tani? - tha cjapi. Si do të dalim prej pusit?
Dhelpra i tha:
- Mos u bëj merak. Kam menduar unë për të dy. Shiko si do të dalim...


Çoji këmbët e para në murin e pusit dhe afroji brirët. Kur të
ngjitem unë lart mbi kurrizin tënd, do të të tërheq dhe do të të ndihmoj edhe
ty.
Cjapi pranoi. Dhelpra këceu në shpatullat e tij, qëndroi në brirë, doli prej pusit dhe filloi të largohet.

Cjapi i thirri: - O dhelpër, po mua më harrove?
Cjapi e qortoi që nuk e mbajti fjalën e dhënë. Dhelpra u kthye e i tha:
- I dashuri cjap, sikur të kishe aq mend sa ke qime në mjekër, ti as
që do të zbritje në pus para se të mendoje se s'do kishe për të dalë.


Morali: Njerzit e mençur së pari duhet ta mendojnë mbarimin e punëve, e mandej të fillojnë e ti kryejnë ato.

Ezop

Saturday, May 15, 2010

Nastradini dhe Gomari


vargjet: Naim Frashëri

Pa më nesëret një fqinjë,
Q'ish i varfër e pa linjë,
Erth e i kërkoi gomarrë,
Duke thënë ca më parë:

"Jemi pa buk' e pa ngrënë,
Në mulli drithë kam shpënë,
Gjer më tani është bluar,
Po s'kam kafsh', o i uruar."



Nastradini, pa mejtuar,
Tha : "Për dru e kam dërguar,
Ka vaturë që me natë,
I varfëri veshgjatë."

Ajy tha "e kam dërguar",
Gomari palli në quar!
Fqinja tha : "Pse më gënjeni,
Të drejtënë s'ma rrëfeni?

Ja se ku pëllet gomari,
Qysh e ka marë druvari!"
Nastradini tha : "S'kam parë
Kshu, të besojnë gomarë!

Me fjalën time s'je nginjur,
Që jam sot plak e i thinjur,
Po dëgjon gomarrë c'thotë,
Q'është pa mënt e flet kotë.

Njeriu që dëgjon gomarrë,
S'e ka punën mbroth e mbarë."
Kështu tha, po të vërtetën
E thosh gomari, të shkretën.

Thursday, May 13, 2010

Në dashtë zoti



Nastradini ish qetuar
Dhe po rrij duke mejtuar;
Po përnjëherë u xgjua,
Së shoqes i tha: "O grua,

Nesërë jam për në veshtë,
Se s'kam vatur këtë vjeshtë,
Sindëkur vinja qëmoti."
Plaka tha : "Në dashtë zoti."


Nastradini i tha : "Unë
S'e këllas zotnë në punë, { s'e këllas -- s'e fus }
E shoh vetë punën time,
E nuk e vë nër mundime,

Që të doj' a të mos dojë,
Se nukë më flet me gojë."
Kështu the, o jetëgjatë!
Papo u ngrite me natë,

More shportat e gomarë,
Po s'të vate udha mbarë!
Për rrush del njeriu i mjerë
E sjell shkarpa shumë herë.

Gjithë bota po punonin
E udhëtë po ndrejtonin.
Nastradinë kur e panë,
E zun' e më nuk e lanë:

Gjithë ditën gur' i gjori
Mbajti edhe pagë s'mori.
I këputur, i drobitur,
I lodhur, i kahënitur,

Natën në t'errët u kthye,
Me pluhurë mbi qyrdye!
Erth më der' e trokëlliti,
E shoqja nga shkalla xbriti,

Tha : "Kush ësht' aty më derë?"
Pa tha Nastradin' i mjerë:
"Në dashtë zoti, jam unë,
Që vajta e s'bëra dot punë!"

N.Frasheri



Tuesday, May 11, 2010

Iriqi


Iriqi i vogël,
u sëmur,
me rrufë, kollë,
temperaturë.

Mamaja shpejt,
e shpejt e mori,
dhe e çoi,
tek doktori.

"Do të bëj gjilpërë"
doktori thotë,
iriqi qan,
e qan me lot.

E mori vesh,
një pyll i tërë,
s'bën dot iriqi,
një gjilpërë!!!!


Image from picture-book.com

Wednesday, April 21, 2010

Topi



Kam një top rrumbullak,
kërcen poshtë, kërcen lart,
loz me top, hop e hop,
hidhem shpejt dhe s'e kap dot...


Image from Picture book

Thursday, April 8, 2010

GJELI DHE PULA


Ki,ki,ki,
çdo mёngjes,
seç kёndonte,
njё Kёndez.

Edhe Pula
nuk vononte,
me ka,ka,ka,
e pasonte.

-Ki,ki,ki,
Ç'ёsht' kjo hata-
thoshte Gjeli,
-si unё s'ka.



Ka,ka,ka,
Pula kёndonte
-Unё jam-
e tjetёr s'donte.

Thoshte Gjeli
çdo mёngjes,
kur Pula
rrinte nё qymez:

-O moj Pulё
Pulё e ngratё!
Kush i zgjon,
njerzit me natё?

Pa kur marrin,
atё shatё,
Nisin punёn,
gjithё si fshatё?

Ua,ua,
Gjel ç'mё thua!?
Ti kёrkon
tё jesh mbi mua?

Ka,ka,ka
me vezёt e mia,
sot jeton
gjithё njerёzia.

E kёshtu
me ka,ka,ka
e kёshtu
me ki,ki,ki

Zihet Pula,
zihet Gjeli
dhe vazhdon
kjo histori.


Autori: Dhimitёr Gjoka
Image from: picture book.

Tuesday, March 30, 2010

Sytë e një vogëlushi


kënduar nga - Parashqevi Simaku

Ç'është për një fëmijë
Dashuria e njerëzve të mirë (2x)





Një mbrëmje kthehesha tek ti,
Me mall të ri të pa treguar,
Unë të mungoja ty, e di,
Ashtu si ti më ke munguar.

Në krah pranë meje atë çast,
Kalon një çift i zemëruar,
Pashë një fëmijë i ndiqte pas,
Si zog i trembur i hutuar,

Por, seç më folën aq shumë
Sytë e tu vogëlush,
Thellë në botën tënde
Gjurmë mund të lerë gjithkush!
Jo s'është e lehtë, e dimë
Është e vështirë ,
Që të jesh në jetë, një prind i mirë!

Jo, s'është vetëm fjalë,
Ndjenja jonë e pastër
Lidhur me fëmijët tanë,
Por, ti dhe unë e dimë:
Ç'është për një fëmijë
Dashuria e njerëzve të mirë.


image from: Picture Book

Tuesday, March 16, 2010

Plaku dhe plaka



Na ishte një herë plaku me plakën, dhe na zihen njëri me tjetrin…
Dhe, vendosën të ndaheshin.
Por, na duhej të ndanin edhe mallin, gjithë gjë e katandi, në mënyrë të barabartë…

Edhe ndanë:
- plaku mori kaposhin
= plaka mori macen
- plaku mori sheqerin
= plaka mori kripën
- plaku mori mashën
= plaka mori kacin

Edhe u nisën secili mënjanë…

Kalon një farë kohe...
Plaka e lau kripën dhe e nxori në diell për ta tharë.
Mirpo kripa i humbi. Dhe ngeli plaka pa kripëëëë...
Dhe nuk kishte më me se të gatuante plaka, dhe na ngeli pa ngrënë plaka.
Ashtuuuu...


Ndërsa plaku kishte sheqer dhe hante sheqerin.
Kështuuuu...

Kur vente plaka te trazojë zjarrin i digjeshin duart. Ashtuuu...
Ndërsa plaku kishte mashën edhe nuk digjesh. Kështuuu...

Një ditë prej ditësh, ngelën të dy pa ushqim edhe pa lekë.

- C'të bëj, unë i ziu, c'të bëj? i thotë plaku kaposhit.
- O kaposh !
- Urdhëro, i thotë kaposhi.
- Kemi ngelur pa lekë, o kaposh, po dil e na gjej ndonjë gjë se nuk kemi me se të blejmë bukë.
- E mirë, i thotë kaposhi.

Edhe niset kaposhi e merr rrugën për të gjetur lekë për plakun...
Ec e ec, ec e ec...
Në mes të rrugës i del ujku.

i thot ujku kaposhit.

- Ku po vete o kaposh?
- Ja, i thotë kaposhi, kam dal të gjej ca lekë se s’kemi me se të hamë bukë. Kemi mbetur pa ngrënë unë edhe plaku.
- Obobo more kaposh, po me vjen shumë keq, i thotë ujku. A të vij edhe unë me ty?
- Jo, jo, s'ka gjë, i thotë kaposhi, se është rrugë e gjatë edhe lodhesh.
- Jo ore jo, i thotë ujku, se nuk lodhem. Do të vij dhe unë me ty dhe do gjejme lekë për plakun.
- Epo mirë, si të duash, i thotë kaposhi. Hajde atëherë.
Edhe nisen të dy bashkë.

Ec e ec, ec e ec, ec e ec të dy, kaposhi edhe ujku.
Kur erdhi një kohë dhe ujku u lodh.
I thot ujku kaposhit, - O kaposh u lodha unë, si t’ja bëjmë tani?
- Të thashë unë, i thotë kaposhi. Po nuk më dëgjove mua. Hajde tani, futu te krahu im.
Edhe e merr kaposhi ujkun dhe e fut tek sqetulla, e mbulon me pupla. Edhe nisen prapë, kaposhi në këmbë, dhe ujku në krah.

Ec e ec, ec e ec, ec e ec ...

Dhe kaposhi mban në krah dhelprën, lumin, ariun...

Ec e ec, ec e ec, ec e ec ...

Arriti kaposhi te pallati i mbretit.
Kur arriti te mbreti kaposhi, hipi në një gardh edhe ja nisi këngës.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.

E dëgjon mbreti.
- Heu, thotë mbreti, kush është ky qerrata që dashka cupën time për grua?
- Kapeni shpejt, u thotë ushtarëve mbreti, dhe futeni tek kuajt e egër ta shkelin me këmbë që të ngordhi.
E kapin ushtarët e mbretit kaposhin edhe e hedhin te kuajt e egër.
Kaposhi thërret ujkun:
-Hajde or ujk dil, se erdhi rradha jote.
Ujku lëshohet dhe i tremb kuajt e egër e ata nuk ditën nga vanë...

Kaposhi, hipi prapë te gardhi edhe ja nisi këngës.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.

E dëgjon mbreti.
- Heu, c'është kjo pune? Kapeni shpejt, u thotë ushtarëve, dhe futeni tek lepujt e egër ta hanë.
E kapin ushtarët e mbretit kaposhin edhe e hedhin te lepujt e egër.
Kaposhi thërret dhelprën:
-Hajde moj dhelpër dil, se erdhi rradha jote.
Dhelpra lëshohet mbi lepujt, ca i kapi e i hëngri, ca i trempi e i shpërndau, dhe kaposhi shpëtoi prapë...


Del prapë kaposhi, hipi prapë te gardhi edhe ja nisi këngës.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.

E dëgjon mbreti, dhe desh cmendet.
- Kapeni shpejt, u thotë ushtarëve, dhe futeni në furrën e zjarrtë që të piqet e të digjet fare.
E kapin ushtarët e mbretit kaposhin edhe e hedhin në furrë.
Kaposhi thërret lumin:
-Hajde mor lumë dil, se erdhi rradha jote.
Lumi del edhe e shuan zjarrin, dhe kaposhi shpëtoi prapë...


Del prapë kaposhi, hipi prapë te gardhi edhe ja nisi këngës.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.

E dëgjon mbreti, dhe kthehet nga qielli, nga dielli e nga toka. O Perëndi! C'po ndodh kështu?
- Kapeni shpejt, u thotë ushtarëve, dhe futeni në dhomën me florinj që të mbytet me florinj. E kapin ushtarët e mbretit kaposhin edhe e hedhin në dhomën e florinjve.
Kaposhi ju turret florinjve dhe e mbush barkun me florinj. Pastaj nuk lëviz dot nga vendi.
-Hajde mor ari dil, se erdhi rradha jote.
Ariu del edhe e shpartallon derën e hekurt, pastaj e ndihmon kaposhin të dali përjashta. Dhe kaposhi shpëtoi prapë...

Në të ikur kaposhi, i’a merr edhe një herë këngës:
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.
- Ki-ki-ri-ki, ki-ki-ri-ki, dua cupën e mbretit për grua.
- Po ti, pse këndon ashtu? - i thotë ariu.
- Vetëm këtë këngë di, i thotë kaposhi.

Pastaj ikën kaposhi, kthehet tek plaku. U gëzua plaku se i solli gjithë ato florinj kaposhi...

E shikon plaka dhe i vjen inat. I thotë plaka maces që kishte në shtëpi.
- Po dil edhe ti moj mace na gjej ndonjë flori si kaposhi, se do ngordhim për bukë.
- E mirë, i thotë macja, se dal unë.
- Del macja, kap hardhuca, gjarprinj, nepërka, edhe ja con plakës tek shtëpia.
E lëshohen hardhucat ta hanë plakën...

- Ndihmë, ndihmë! Thërret plaka, e u bie me kacit hardhucave, po nuk mundte t’i vriste të gjitha. - Ndihmë, ndihmë!

E dëgjon plaku që po kërkonte ndihmë plaka e shkretë, dhe vete e ndihmon.
Dhe e shpëton plakën nga hardhucaaaaat. Dhe pastaj bashkohen prapë plaku me plakën dhe jetojnë të gjithë tok të lumtur e të gëzuar...

Monday, February 15, 2010

Udhet e Atdheut me Therrasin


Gëzuar festën Kosovë!


Mendoj se kjo këngë i përmbledh bukur ndjenjat e kësaj dite. "Udhët e Atdheut më Thërrasin" është kënduar nga Anita Take dhe Gaqo Cako. Kompozim nga Limoz Dizdari, teksti nga i madhi Xhevahir Spahiu. Ne fund keni lidhjen per youtube.


Udha më thërret shtigjeve të reja,
Vala e një lumi po më thotë eja.

Toka jonë e bukur hapet valë, valë,
Zërat më urojnë: biro, ardhsh i bardhë.

Qielli ësht`i kthjellët si një sy fëmije,
Toka rrit për ne fjalë dashurie.



Syri i udhëtarit, zog që s`di të ulet,
Pikë e djersës sonë, ra dhe u bë lule.

Qielli ësht`i kthjellët si një sy fëmije,
Toka rrit për ne fjalë dashurie.

(refren)
E ku ka më t`bukur si kjo tok`e artë,
Dielli nëpër pemë si fole e zjarrtë,

Moshën e rinisë ti jeton atdhe,
Ti je dashuria, zemra jon`ti je.
--------------

Toka jon`e bukur hapet valë, valë,
Zërat më urojnë: biro ardhsh i bardhë.

Toka ësht` e lumtur kur ndjen hapa njerëzish,
Jeta kërkon këngën siç do zogu qiellin.

Udhëtoj në fusha, udhëtoj në shkrepa,
Njerëzve që si njoh u them tungjatjeta.

Mbushur plot me ritme ngjyra gjithashtu,
Dashurinë për jetën e përcjell tek ju.

Udhëtoj në fusha, udhëtoj në shkrepa,
Njerëzve që si njoh u them tungjatjeta.



Wednesday, February 10, 2010

LOT ME TY O DJALË



Kori:
"Eja o shoku ynë,
të kemi pritur..
Ti ç`ke që rri mënjanë
kaq i mërzitur?"



Këngëtari:
Ësht` një vajzë
që e dua shumë;

Kori:
"E ku ka më bukur."

Por largohet
sa afrohem unë;
Kori:
"S`qenka vajz` por flutur."

Sot prapë nga dora ime
s`e mori zambakun;
Kori:
"Lot me ty or djalo,
se ta di merakun."

Ajo ma prishi gjumin,
zgjoi ëndrrat e mia;
Kori:
"Mos ju ndaj or djalo,
s`të lodh kjo dashuria."

Se trëndafili, jo nuk i çel
të gjitha lulet menjëherë.
Ashtu dhe pema e dashurisë...
Të lulëzojë do një pranverë!

(refreni)
Ndaj, erdha përsëri,
ty të kërkova.
Kur dole në ballkon,
sa s`fluturova.
Me mua në një stol
erdhe u ule.
Unë të këndoja këngë,
ti mblidhje lule.

E çele buzën
si trëndafil.
Me synë e kaltër
shkrepe një yll..
-Mirë, -më thanë shokët,
ti qenke flutur,
ma bën rininë
edhe më të bukur.
---------------

Se trëndafili, jo nuk i çel
të gjitha lulet menjëherë.
Ashtu dhe pema e dashurisë...
Të lulëzojë do një pranverë!
Të lulëzojë do një pranverë!
Të lulëzojë do një pranverë!

Monday, February 8, 2010

Tri gjërat e thjeshta të plakut


Njeriu një jetë ka dhe ajo nuk i kthehet kurrë më për së dyti. Edhe plaku i moçëm, një jetë pati, mbushi njëqind vjet dhe vdiq.
Po tregojnë se, para se t'i shuheshin qirinjtë në gropat e syve, u tha djemve aty pranë shtratit të lamtumirës:
-Bijtë e mi, njeriu është mysafir në këtë botë. Prandaj, po jua le me gojë që, kur të bujtni në shtëpinë e tjetrit për mik, mbani me vete tri gjëra të thjeshta: një metër, një gur kandari dhe një gjilpërë.




-Përse një meter, baba?! - foli djali i parë, ose gishti i madh i dorës, siç e quante plaku, pasi qe më i madhi në moshë se vëllezërit dhe donte vend të veçantë në qoshen e vatrës.
Plaku i hodhi një vështrim të zgjuar.
-Që të matësh vendin kur rri mes të tjerëve, biri im.




-Përse një gur kandari, baba?! - foli djali i dytë, ose gishti i gjatë i dorës, siç i thoshte i ati, pasi qe më i gjati në familje dhe bënte punët më të rënda.
Plaku i hodhi një vështrim të matur.
-Ta peshosh fjalën tënde para se ta thuash, biri im.






-Përse një gjipërë, baba?! - foli djali i tretë, ose gishti i vogël i dorës, siç e quante babai, pasi qe më i vogli në moshë dhe trajtohej gjithkund "pas të tjerëve".
Plaku i hodhi nje vështrim të mençur.
-Para se te thumbosh tjetrin me fjalë, ta provosh në veten tënde më parë, në të dhemb apo të djeg, biri im.




Dhe për të fundit herë plaku foli gjuhën e mëmës:
-Dhe tani, bijtë e mi, trupin tim ia fal tokës dhe mendjen time jua le juve...


Wise Old Man Painting: Andrew Judd


Friday, January 15, 2010

Dimri dhe plaku


Nëpër fushë e nëpër male,
Fryn murlani me stuhi,
O murlan, atë frymën ndale,
Ndalu, akull mos më ngri,
Mos ma ngrini këtë pikë gjak,
Struku, struku, i shkreti plak...

Ndre Mjeda


Thursday, December 31, 2009

Wednesday, December 30, 2009

Dy shqiponja



Ne jemi dy shqiponja,
Runti-runti-runti-runta, (përsëritet pas çdo vargu)
Ç'farë doni ju shqiponja?



Përmbledhje e fjalëve të lojës
Ne jemi dy shqiponja,
Runti-runti-runti-runta, (përsëritet pas çdo vargu)
Ç'farë doni ju shqiponja?
Ne duam më të mirën,
Më të bukurën,
Më punëtoren,
Cila është me e bukura? (më e mira? / më punëtorja?)
Më e bukura është Anila (emrat e fëmijëve që luajnë me rradhë...)
Me çfarë do ta merrni?
Me çfarë do ta vishni?
Ku do të shkoni?

Si ta luajmë?
1. Pregatitja për lojë:
Për këtë lojë duhet një grup fëmijësh, mendoj se duhen të pakten gjashtë veta, zakonisht vajza. Ato ndahen në dy grupe: një grup me dy veta (grupi I) dhe grupi tjetër, gjithë vajzat që mbeten, katër ose më shumë (grupi II). Të dy grupet vendosen përballe njëri tjetrit dhe kapen për dore. Lojën e fillon grupi I:

2.
"Ne jemi dy shqiponja,"
Kur këndohet ky varg, grupi I kërcen drejt grupit II. Ato kërcejnë me një ritm, dhe kur vijnë pranë grupit I, fillojnë të kërcejne mbrapsht, duke u larguar dhe duke thënë vargun e dytë:
"Runti-runti-runti-runta,"

Të dy grupet gjithmonë janë përballë njëri-tjetrit. Edhe afrimi, edhe largimi bëhet duke kërcyer, dhe duke kënduar vargjet e këngës, njëherë duke ecur përpara, dhe pastaj duke ecur prapa.

3. Tani e ka rradhën grupi II. Duke ndjekur të njëjtën mënyrë si edhe grupi I, ato thonë vargun tjetër:
Ç'farë doni ju shqiponja?
Pasi i afrohen grupit I, ato fillojnë të largohen, duke mbajtur ritmin, duke hedhur të gjitha të njëjtin hap, dhe duke thënë "Runti-runti-runti-runta,"

4. Tani loja është përsëritëse.
Grupi I : Ne duam më të mirën/ më të bukurën/ më punëtoren,
Grupi II: Cila është më e mira/më e bukura/ më punëtorja ?
Grupi I : Më e mira është Anila (zgjedhin njërën nga vajzat e grupit II)
Grupi II bën pyetjet e tjera dhe Grupi I përgjigjet se Anilën do ta veshi bukur, do ta mbajë mirë, do ta marri me karrocë prej ari, e të tjera fjalë bindëse, derisa Grupi II bindet dhe e jep Anilën.

5. Tani Grupi I ka tre veta. Të treja fillojnë përsëri kërkesat ndaj grupit II, derisa me rradhë i marin disa anëtare dhe Grupi II mbetet me dy veta.

6. Dhe pastaj Grupi II fillon lojën nga e para...

Unë kështu e mbaj mend :)

Monday, December 21, 2009

Fajin e ka kjo borë...


Sot është e shtunë,
kemi hartim,
Sa gjallëri
dhe frymëzim,

Po për çudi...,
shikojm' nga larg,
një zog na fton,
troket në xham.

Bora e bardhë
pemët mbuloi,
çudi.., me parë
Si nuk e pamë.



I vogli zog,
shpejt fluturoi,
t'i shkojm' nga pas
me gaz na fton.

(refreni)
Ja po ulet në oborr,
rreth e rreth kjo debore,
oh sa na gëzon,
dhe si zogj na fton.

Ja te qeshur ne vrapuam,
pamë mimozat qenë mbuluar,
oh sa u çuditëm,
zemrat na trokitën..,

Ja të qeshur lozim ne si fëmijë,
gjuaj unë, më fort gjuan ti.
Shpejt harruam se ne kishim hartim;
...Hej ti shok, pse gjuan kaq fort!

Ja zilja ra, sa shpejt mbaroi kjo orë,
me sy të qeshur ne mësuesen shikojme,
dhe si fëmijt qëndrojmë t'shpërndarë në oborr;
Nuk kemi faj, fajin e ka kjo bor'!

Nuk kemi faj, fajin e ka kjo bor'!
Nuk kemi faj...Faj ka kjo bor'!



Saturday, December 19, 2009

Stina e urimeve...


Fryti era nga përjashta,
Tundi perdet e mëndafshta,
Mos kujto se të harrova,
Kartolinën ta dërgova...



Monday, December 14, 2009

Kau dhe Ujku


Pa brirë ti je Mbret!
Pa brirë je Pasha!
Pa brirë është edhe Moda...