Thursday, May 13, 2010

Në dashtë zoti



Nastradini ish qetuar
Dhe po rrij duke mejtuar;
Po përnjëherë u xgjua,
Së shoqes i tha: "O grua,

Nesërë jam për në veshtë,
Se s'kam vatur këtë vjeshtë,
Sindëkur vinja qëmoti."
Plaka tha : "Në dashtë zoti."


Nastradini i tha : "Unë
S'e këllas zotnë në punë, { s'e këllas -- s'e fus }
E shoh vetë punën time,
E nuk e vë nër mundime,

Që të doj' a të mos dojë,
Se nukë më flet me gojë."
Kështu the, o jetëgjatë!
Papo u ngrite me natë,

More shportat e gomarë,
Po s'të vate udha mbarë!
Për rrush del njeriu i mjerë
E sjell shkarpa shumë herë.

Gjithë bota po punonin
E udhëtë po ndrejtonin.
Nastradinë kur e panë,
E zun' e më nuk e lanë:

Gjithë ditën gur' i gjori
Mbajti edhe pagë s'mori.
I këputur, i drobitur,
I lodhur, i kahënitur,

Natën në t'errët u kthye,
Me pluhurë mbi qyrdye!
Erth më der' e trokëlliti,
E shoqja nga shkalla xbriti,

Tha : "Kush ësht' aty më derë?"
Pa tha Nastradin' i mjerë:
"Në dashtë zoti, jam unë,
Që vajta e s'bëra dot punë!"

N.Frasheri



1 comment:

Anonymous said...

gjuha qe eshte shkruar na rrefen se eshte e cajupit, jo e Naimit.