Thursday, July 30, 2009

Andej, këtej...


Andej, këtej, kuturu,
para, prapa, dhe këtu,
lart e poshtë, ja kështu,
këndon zogu dru më dru.


Image from: picture-book

Wednesday, July 29, 2009

Pse s'i heqin që ti thajnë?


Bie shiu pika-pika,
Lahen rosat, lahen rikat,
lahen patat, qafë-gjatat,
lahen bibat, pendë-artat,

I sheh Mira dhe habitet,
-Mirë që lajnë këmbë dhe faqe,
Mirë dhe pendët që i lajnë,
Pse s'i heqin që ti thajnë?

Image from picture-book

Sunday, June 14, 2009

Bubi dhe pulat


Bubi i vogël,
laraman,
leh gjithë ditën,
ham, ham, ham.

Pulat hanë,
në avlli,
sulet bubi,
me furi.




Ko, ko, ko,
ka, ka, ka,
bubi, bubi,
po na ha.

Pulat kotë,
frikë kanë,
bubi dhelprës,
nuk i ngjan.


Image from here

Thursday, June 11, 2009

Kush e gjen?


Porsi lëmsh është rrumbullak,
mot e jetë sillet qark,
pa benzinë shkon e vjen,
kur lëviz askush s'e ndjen,
është plakë sa s'tregohet,
por nuk lodhet as ankohet...

(Toka)

Image from: here

Friday, May 29, 2009

1 Qershori


Një Qershori ynë,
Erdhi përsëri,
Edhe më të lumtur,
Ne na gjen tani,

Të gjithë të gëzuar,
Lozim dhe këndojmë,
Rroftë 1 Qershori,
Rroftë festa jonë.


Festa e fëmijëve ne Shqipëri është në 1 Qershor. Gëzuar festën fëmijë!

Clip art copyrighted by Bobbie Peachey, http://webclipart.about.com

Monday, May 18, 2009

Kali prej druri

Prapë nga nëna Dasha...


Hi, hi, hi,
kam një kalë,
me zengji,
edhe me shalë,

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...

Bar nuk ha,
as tagji,
Ujë ka,
po nuk pi.

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...

Ka për fre,
një fill pe,

Është një kalë,
kalë prej druri,
dhe babi,
një shalë i vuri.

Trak e trak,
trak e trak,
shkon me vrap...


Image from here

Wednesday, May 13, 2009

Festivali i kafshëve...

Nga nëna Dasha...











Macja bën,
mjau, mjau,
minë e vogël,
çe përlau...

Kali bën,
hi, hi, hi,
nuk kam bar,
nuk kam tagji...


Rosa bën,
mak, mak, mak,
biba e vogël,
seç u lag...

Lopa bën,
mu, mu, mu,
viçi im
a është këtu... ?

Delja bën,
me, me, me,
qengjin tim,
a mos e pe...?

Pula bën,
ka, ka, ka,
bëra vezë,
sa një hata...

Qeni bën,
ham, ham, ham,
dua një kockë,
që të ha...

Gjeli bën,
ki, ki, ki,
dhe na thotë,
çohu, mos fli...!

Image from here


Më shumë vjerrsha dhe këngë me kafshë...
Kënga e festivalit të kafshëve
O sa mirë, o sa keq ...
1-2-3
Kënga e rosave
Mini-mini kukuvaca
Fli lepurush

dhe te tjera...

Wednesday, April 29, 2009

Agimi


U kuq dielli prej agimit,
Prej këtij prisi që çoi dita;
E kadalë, t'u rritun drita,
Fushë e male po lulzon.

Fryn prej bjeshke era e lehtë,
Rruzullimit i ndrron fytyra,
E prej shendit gjithë natyra,
N'duke e n'petka po gazmon.


Autori: Ndre Mjeda
Sa e bukur, sa pranverore është kjo vjerrshë...

Më shumë për Ndre Mjeden: ketu

Image from: here

Monday, April 20, 2009

Në shtëpinë tonë

Shtëpia jonë, plot me diell, plot me ngrohtësi,
në dimër e në pranverë kemi kaltërsi.
Dritarja jonë hapur rri për ty ditë e re,
për dashurinë e njerëzve tanë të mirë...



(refreni)
I duam ne njerëzit t'i kemi gjithmonë pranë;
shtëpia e jonë e bardhë, e bardhë.
I rritim femijët me dritë e me djersë;
me dashurinë për njerëzit tanë të mirë...



Kënduar nga e madhja Vaçe Zela.


Tuesday, April 14, 2009

NGJYRAT


Lakuriqi i verbër,
i pyllit të gjelbër,
dhe ketri i kuq,
ranë në pellg pëlltuq!


Korbi i zi,
këndon mbi selvi,
kra kra kra kra...
kri kri kri...

Pranë detit të kaltër,
furgoni bardhë e gri,
po sjell akullore,
pip pip pip tek ti...

Në kovën e verdhë,
lëpihet një mi,
del, të kilikos,
kilikiliki...(varet nga kapaciteti i mushkrive)


Image from: here

Vargje të tjera nga "perandoria7":
Insektet në punë
Vargje zbavitëse për bebusha ...
1-2-3



Thursday, April 9, 2009

Plakat e Marsit




Gjithmonë, në fund të marsit, gati 3 ditët e fundit bën shumë ftohtë. Të vjetrit thonë se këto ditë janë ditët e plakave.
Gojëdhana e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione. Këtu u mundova të mbledh disa prej tyre:



1.
Vjen marsi. Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: "Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit." Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.

2.
Plakat e marsit janë shtatë. Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar). Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.

Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe cdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.

3.
Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) celi zogjtë që në mars. E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin:

Mullizeza zogjt i çeli,
na marsh të keqen Mars kaçeli...

Edhe këtë muaji Mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave. Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

4.
Kur plakat i thanë marsit, "na marrsh të keqen", marsi u zemerua aq shumë sa tha "shkurt(apo prill?) o im vëlla, më jep dy dite hua, t'i thaj plakat me gjith ç'kanë... "





Saturday, March 28, 2009

Gjë e gjëza (Breshka)



Kam samar,
po s'jam gomar...
(breshka)



Image from: here

Thursday, March 26, 2009

Gjë e gjëza (Muajt e Vitit)

Një lis me dymbëdhjetë dega,
gjashtë të buta,
gjashtë të egra...

"Muajt e Vitit"


Dymbëdhjete Muajt e Vitit, është një përrallë shumë e bukur, te cilës i përket edhe ky ilustrim. Do ta sjell edhe atë tek vogëlushët.
Image from here

Wednesday, March 25, 2009

Gjëegjëza


Hap e mbyll,
ndrit si yll.
(syri)





Asht nej kullë e bardhë,
pa dritare dhe pa shkallë.
(veza)



Image from: here

Monday, March 23, 2009

Mini Mini Kukuvaca

Ishim ulur me disa miq (Fatosi midis tyre) dhe po flisnim për bukurinë e folklorit tonë, përrallat në vecanti. Përralla "Njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë" paskësh pasur shumë sukses me një grup studentash të mbledhur për dëfrim (happy hour) një mbrëmje të premte! Në dëfrim e sipër, dikush propozon të bëjnë një kontest se kush nga kombet e pranishme kishin përrallën më zbavitëse. Rezultati s'ka diskutim :)

Kështu pra, dhe unë mora vesh për këtë garë të cuditshme ku kishte marrë pjesë edhe blogu i vogëlushëve :)

Por, Fatosi dërgoi edhe këto vargje zbavitëse, shumë të këndshme për vogëlushët:

Mini mini kukuvaca,
Shkova bleva gjashtë pata,
Tri t’zeza tri t’bardha,



Shkova rashë te As’ Lika,
Gjeta qenin pika pika,
Mora thuprën dhe e shika,
Çohu qen e m’përcjell,
Se kam gruen pezmatore,
Që m’i ruen ato re,
Posi pela pa fre,
Pula voji natën,
Gjeli mori spatën,
Gjel’ Vasinë e vranë,
Motrat e qanë,
Hallven ia banë,
Me grushta ia përlanë.


Tuesday, March 10, 2009

Dallendyshe


Dallandyshe bishtgërshërë,
faqe-kuqe, sqep-gjilpërë,

që shëtite nëpër botë,
a s'më thua mike sot,

cila tokë të është dukur,
në gjithë botën më e bukur?

më e bukur, o fëmijë,
është nëna Shqipëri!


Më kujtohet kur e recitonim :). Duhet të kemi qenë në shkollën fillore. Kur vinte vargu i fundit, e thoshte gjithë klasa në kor...

Dallandyshet i kam dashur shumë. Bënin folenë tek ballkoni ynë. Më kujtohet kur rrija dhe shikoja se si i ushqenin të vegjlit pa përtuar... Gjithë verën ballkoni ynë ishte plot cicërima. Mërzitesha kur iknin në vjeshtë për shtegëtim, dhe mezi i prisja kur vinte pranvera...

Saturday, March 7, 2009

Kënga e nënës (Anita Take)

Nënë, emër i dashur për mua,
Me je e shtrenjtë, të dua,
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi...




E lehtë është jeta kur di që kam nënë,
Në çdo çast të vështirë e ndjej pranë,
Në brengë e halle ajo më ka qënë,
Rreze që dritë shpërndan.



Një nënë, vetëm një nënë ka në botë,
Ëmbël tingëllon zëri i saj,
Kur "bir" fëmijës ajo do ti thotë,
Qesh e ndriçon zemër e saj.

Nënë, emër i dashur për mua,
Me je e shtrenjtë, të dua,
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi...

Kur zemra rreh në gëzime e dëshpërime,
Tek ti mendimi më shkon,
Pranë teje ndjehem më e dashur, më trime,
Më e lumtur se botë e tërë.

Friday, March 6, 2009

Për 8 Marsin


Për 8 Marsin mami,
Të uroj unë sot,
Lumturi të kesh,
Ti për jetë e mot!


Image from: Here

Wednesday, March 4, 2009

Gjuha jonë, sa e mirë ...



Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!



Në 7 Mars 1887, në qytetin e Korçës, u hap shkolla e parë shqipe, e cila u quajt mësonjëtore. Rilindasit, të cilët punuan dhe e vlerësuan shumë këtë ditë shkruan edhe shumë vargje për të. Këto vargje i përkasin poezisë Korça, të Naim Frashërit (lexo më poshtë). Sa bukur shprehet për gjuhën tonë!

Në përkujtim të kësaj dite, 7 Marsi në Shqipëri është festa e mësuesit. Nxënësit i urojnë mësuesve festën, iu dhurojnë lule dhe iu japin dhurata të vogla...



Poezia e plotë e Naim Frashërit, kushtuar ditës së hapjes së mësonjëtores (shkollës) së parë shqipe në Korçë...

Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

KORÇA

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq' e mir'e kaq'e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit'e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q'e bekoi zot'i vërtetë
Dh'e dërgoi me shumë dritë,
T'i mbes'emëri përjetë.

Sot e vumë gurr'e parë,
Sa'sht'e bekuar kjo ditë!
Zot'i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh'e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht'e shtije,
Mbretëron fjal'e vërtetë,
Dhe të mirat gjith'i bije.

Zot'i math qoft'i lëvduar,
Q'e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo sij ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj korç'o lule,
Q'i le pas shoqet' e tua!
Si trimi në ball'u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s'i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmblë, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo 'shtë mëm' e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gasthin e vëllazërisë,
Njerëzin' e miqësinë.

S'jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Në kët'emër nderr'e kemi.

Ky emr' është shum' i mirë,
Se më s'jemi të gënjyer,
Nukë jemi n'errësirë,
E njohëmë gjën' e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun'e keq'e shum'e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh'e gjenë më perëndinë.

Nga gjithë ç'kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s'mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt' e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft' e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Naim Frashëri