Monday, January 12, 2009

Breshka dhe lepuri


Lepuri dhe breshka i kishin shtëpitë pranë dhe pranë. Lepuri gjithnjë e ngacmonte breshkën për ngadalësinë e saj. E quante plakë, megjithëse ata ishin moshatarë me njëri-tjetrin. Për t'u mburrur i kërkonte të bënin një garë vrapimi. Breshka nuk i përgjigjej, por kthente rrugë.



Lepuri përsëri ia priste udhën.
-Hë, zonja breshkë, si thua, a pranon të bësh një garë me mua?
-Mirë, -tha një ditë breshka.

Lepuri u çudit nga fjalët e breshkës. Lepuri e quante veten "më të shpejtin e kafshëve". Breshka ishte më e ngadalta.

Lajmi se breshka dhe lepuri do të bënin një garë vrapimi me njëri-tjetrin ishte përhapur në të gjithë pyllin. Të gjitha kafshët u çuditën me vendimin e breshkës.

Erdhi dhe dita e garës së madhe. Breshka dhe lepuri u vendosën në vijë si atletët dhe me t'u dhënë sinjali u nisën. Lepuri vrapoi me të katra dhe u bë erë, kurse breshka lëvizte me hapa të ngadalta. Lepuri duke vrapuar e kthente kokën prapa. Breshka zvogëlohej dhe zvogëlohej në sytë e tij, derisa erdhi një çast që nuk u pa më. Breshka kishte mbetur shumë prapa.

Ishte shumë vapë. Lepuri qëndroi për të parë breshkën. Ajo nuk dukej gjëkundi. Kishte mbetur shumë prapa. Lepurit i erdhi keq për breshkën, ndaj mendoi të merrte një sy gjumë nën hijen e pemëve derisa të afrohej breshka. Kur breshka të afrohej, ai do të vraponte përsëri dhe do ta fitonte garën.

Nën pemë frynte një erë e freskët dhe lepurin e mori një gjumë i thellë. Një gjumë më i thellë nuk bëhej. Ngadalë ngadalë, breshka arriti tek hija e drurëve. Ajo dëgjoi një gërhimë. Hodhi shikimin dhe pa lepurin që po gërhiste. Kushedi se çfarë ëndërrash shihte. Nuk qëndroi por vazhdoi në udhën e saj me të njëjtin hap.

Ec dhe ec…

Ec dhe ec…

Breshka po i afrohej fundit të garës.

Dikur lepuri u zgjua nga gjumi i thellë dhe hodhi sytë prapa për të parë breshkën. Ajo nuk dukej poshtë në udhë. Lepuri filloi të vraponte i sigurtë se breshka kishte mbetur prapa, ose e kishte lënë garën. Në një çast ngriti kokën dhe shumë përpara tij, atje ku gara përfundonte, pa breshkën. U çudit sa më s'bëhet dhe vrapoi me të gjithë fuqinë që ta arrinte. Ishte vonë, sepse breshka e kishte fituar garën. Kafshët e pyllit prisnin ardhjen e lepurit, por atij nuk i bënin më këmbët të vraponte. Mallkonte veten për gjumin e rëndë që e kishte zënë. Që nga ajo ditë lepuri nuk do ta ngacmonte më dhe nuk do të guxonte të futej në garë me breshkën. Trembej se mos përsëri do ta rrëmbente gjumi i rëndë.


2 comments:

Anonymous said...

hahahah po ku e more ket fabul ne bang bang aa:p hahahahah

rina said...

hhahahaha kjo eshte shum e mireee hahahahaha ne bang bang e kan marr sinqerisht