Thursday, December 25, 2008

Si e festonim Vitin e Ri, kujtime...

Ushqimet, gatimet, darka e Vitit te Ri



Për ne darka e vitit të ri simbolizonte bollëkun më të madh të vitit. Pjata kryesore ishte kaposhi i detit. Pjatat plotësuese përfshinin: bërxollat e viçit, dollmën, byrekun, patatet e skuqura, sallatërat, salcën e kosit, gogozharet, etj, etj...
Ndërsa ëmbëlsira kryesore ishte bakllavaja, që shoqërohej herë me kadajif e herë me shëndetli.

Shtëpia duhej të ishte dritë, të mos kishte asnjë pluhur. Perdet, xhamat laheshin disa ditë përpara. Viti i ri nuk mund të na gjente me rroba pa larë, ose me qilima të pashkundur. Gjithcka pastrohej, sistemohej dhe pritej nata e madhe.

Pastaj fillonin gatimet. Që dy dite para bëhej bakllavaja, me petet e hollaaaa, sa të këputeshin, si një fletë letre. Mamaja dhe gjyshja bëheshin bashkë dhe ato hiqnin petët, ndërsa ne fëmijët shtypnim arrat.

Këtu ishte lezeti sepse duke qenë se mamatë ishin të zëna me pregatitjen e petëve (që duhej të përfundonin para se babi të vinte në shtëpi, babit nuk i pëlqente rrëmuja :)) ne e hanim gjysmën e arrave. Sa mërzitej mamaja e shkretë (nuk do më dali bakllavaja e mirë thoshte :), ato arra mezi i mblidhte gjatë gjithë vitit) por arrat dilnin edhe për bakllavatë, edhe për ne.

Bakllavaja duhej të piqej në zjarr të ngadaltë, të merrte atë ngjyrën e bukur të grurit, edhe prerja e fetave bëhej me lezet, që të ngjante si kallinj gruri. Shëndetlija, edhe kjo donte punë shumë, bëhej me shumë mjaltë e arra, dhe bëhej shumë e bukur kur zbukurohej me bajame të qëruara...



Image from: here

No comments: