Wednesday, July 16, 2008
SI E ZGJATI ÇIFLIGARI DITËN E PUNËS
Një çifligar vendosi të kontrollonte se si punonin argatët e çiflikut të tij. Në të vërtetë ata punonin shumë. E fillonin punën që me natë e linin kur errej fare. Por çifligarit i dukej se ata punonin pak, se dita qe shumë e shkurtër.
Një herë u thotë argatëve:
- Me sa shoh unë ju nuk punoni keq. Fajin e ka dita që është e shkurtër. A ka ndonjë midis jush që mund ta bëjë ditën më të gjatë?
- E bëj unë zotëri, - thotë një argat i hollë e i gjatë. Unë do të bëj një makinë që të zgjatë ditën sa të dojë Zotëria juaj. Veçse këtë makinë duhet ta vëjë në veprim vetëm i zoti i punës, vetë çifligari.
- Mirë. Fillo nga puna që tani për përgaditjen e makinës tënde.
- Dhe argati filloi nga puna: preu disa drurë, i gdhendi e i bëri të drejtë si boshte, preu disa trungje, i gdhendi e i bëri të rrumbullaktë si rrota. Rrotave u bëri ca dhëmbë dhe pastaj i futi në boshte. Në këtë mënyrë, pregatiti ca ingranazhe të madhësive të ndryshme. Së fundi pregatiti një dorëzë të madhe. I montoi të gjitha këto dhe makina u bë gati për punë.
- Tani – i tha argati çifligarit,- rrotulloje dorëzen dhe dita do të zgjatet aq sa makina të jetë në punë d.m.th. sa të duash zotrote, veçse nuk duhet ta ndalosh rrotullimin e rrotave të makinës.
Dhe e vuri vetë në veprim makinën që t’i tregonte zotërisë sesi punonte makina. Filloi çifligari të rrotullonte dorëzen që rrotullonte edhe rrotat. Puna ishte e thjeshtë por e vështirë dhe e lodhshme. Kaloi një orë. Çifligarit filluan t’i bien djersët. Hoqi xhaketën. Filluan t’i digjnin duart, por nuk e ndërpreu punën sepse shkurtohej dita. Kështu ai punoi deri në mbrëmje, derisa u err. Dita iu duk shumë e gjatë.
-E sheh zotëri, se dita u zgjat ashtu siç të premtova?
- Kjo është e vërtetë, dita u zgjat bile u zgjat si shumë,- tha çifligari,- veçse nuk ka mundësi që këtë dreq doreze ta vërtitë dikush tjetër?
Mundësi ka, veçse dita nuk do të zgjatet aq sa do zotrote.
- E po mirë, - tha çifligari. – Le të zgjatet sa të zgjatet, fundja të qëndrojë edhe ashtu siç ishte…
Dita zgjati aq sa e kishte bërë Zoti dhe çifligari nuk u lodh më.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
4 comments:
Shume perrale e bukur,
urime per prurjen.
Faleminderit Andi,
Gezohem qe ndalove ketu!
Arta
une jam edita selmani dhe per këto perralla jan te bukura mir
Edita,
Me behet qejfi qe ke vizituar kete blog. Me vjen shume mire qe te kane pelqyer. Te mirepres gjithmone.
Arta
Post a Comment