Tuesday, July 29, 2008

Korbi dhe dhelpra



Tek një lis sipër në majë,
korbi qëndroi të hajë,
një copë djathë që mbante,
në qeft. Kur nisi të hante,
shkon një dhelpër' e mallkuar,
se i ra erë djathë i vjeshtuar.
Dëshiron ta hajë vetë;
«Mirëdita mik i vjetrë,
bukurinë tënde nuk e ka zog tjetrë
me pendë të bardhë; në di të këndosh,
përmbi zogjtë e tjerë do të mbretërrosh"
Të tregojë zënë zoti korb gërrhiti,
dhe lëshoi djathnë po dhelpra ja priti,
dhe korbit i tha:
«Ndëgjo, budalla:
ata që lëvdojnë,
me gjë të botës duan të rrojnë.
Zot, kjo këshillë që të rrëfeva,
sot vlen më tepër
se kjo copë e djathit që të rrëmbeva"
Tha zonja dhelpër
dhe iku me bisht përpjetë.
Korb' i shkretë,
korb' i mjerë,
u turpërua
dhe u betua
të mos gënjenet më tjetër herë.

Shqipërimi: Andon Zako Cajupi
Origjinali: Ezop

No comments: