Thursday, April 9, 2009

Plakat e Marsit




Gjithmonë, në fund të marsit, gati 3 ditët e fundit bën shumë ftohtë. Të vjetrit thonë se këto ditë janë ditët e plakave.
Gojëdhana e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione. Këtu u mundova të mbledh disa prej tyre:



1.
Vjen marsi. Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: "Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit." Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.

2.
Plakat e marsit janë shtatë. Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar). Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.

Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe cdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.

3.
Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) celi zogjtë që në mars. E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin:

Mullizeza zogjt i çeli,
na marsh të keqen Mars kaçeli...

Edhe këtë muaji Mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave. Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

4.
Kur plakat i thanë marsit, "na marrsh të keqen", marsi u zemerua aq shumë sa tha "shkurt(apo prill?) o im vëlla, më jep dy dite hua, t'i thaj plakat me gjith ç'kanë... "





1 comment:

Anonymous said...

Ndersa une di nje version tjeteter qe me ka treguar dikur gjyshja.ishte fundi i marsit kur del nje plake me kopen e deleve duke i ruajutur e duke tjer kendon muajt e dimrit te gjith i hodha e ne fund marsin edhe marsin e pordha.degjon marsi i zemeruar e thot shkurtit shkurt o shkurt as me jep 2 dit hua ta bej plaken si ta dua.dhe me pas heth bor e stuhi dhe e ben gur bashk me bageti.