Monday, November 1, 2010

Cironka e artë



Na ishte një herë një plak i varfër, por shumë i varfër ama. Ai jetonte në breg të lumit bashkë me plakën e tij grindavece. Jetonin të dy në skamje dhe në mjerim të plotë. Plaku zinte ndonjë cirua në lumë dhe plaka e gatuante.

Një ditë dimri plaku ndenji te lumi me orë të tëra, por nuk zuri gjë. Ishte ftohtë. Ai donte të kthehej në shtëpi, por kur kujtonte plakën rrinte aty me shpresë se mund të kapte diçka.
Dhe më në fund fija e vjetër e filldispanjës u lëkund dhe plaku nxitoi ta tërhiqte. Kur ç'të shihte? Një cirua i vogël, fare i vogël vazhdonte të përpëlitej në majën e grepit. Plaku e mori në dorë. Cironka kishte ca vezullime të arta. Plaku hapi torbën e tij të vjetër dhe...
-Të lutem, më hidh përsëri në lumë!


Plaku u habit.
-Kush foli?- Tha.
-Të lutem, më hidh në lumë,- tha cironka- dhe unë do të të realizoj çdo dëshirë që të kesh.
Plaku i shkretë ishte shumë zemërmirë. Ai e kuptoi se as ai e as plaka e tij s'ngopeshin dot me një cironkë aq të vogël dhe e hodhi në lumë. Në çast, cironka doli nga uji dhe i tha:
-Më thuaj një dëshirë!
-Të kisha një torbë me cironj...
Pa mbaruar plaku fjalën, torba me cironj i erdhi pranë. Plaku i mori dhe u nis në shtëpi. Në fillim plaka e shau, por pastaj natyrisht u kënaq.

Plaku se mbajti dot të fshehtën (Ah, këta pleqte e mirë!) dhe ja tregoi gjithë
historinë... Plaka lakmitare i tha:
-Pse nuk i the që cironjtë të ishin të tiganisur? Shko, thuaji!
Plaku i shkretë shkoi nëpër të ftohtë, e thirri cironkën dhe ja tha dëshirën.
Kur shkoi në shtepi, plaka kishte përfunduar gjysmen e cironkave...

Por kjo s'ishte asgjë...
Sa herë që plakes i kujtohej ndonjë gjë ajo dërgonte plakun t'ia thoshte këtë
dëshirë cironkës. Dhe plaku (Ah, i shkreti plak!...) shkonte në lumë dhe
thërriste cironkën. Dhe cironka bënte realitet dëshirën e plakës. Kështu
pleqtë u bënë zengjinë. Ata kishin shtëpi të mirë, kuaj, hyzmetqarë, ..., çdo gjë,
çdo gjë.
Aq sa plaka s'kishte më çfarë të kërkonte dhe një ditë e urdhëroi plakun:
- Shko merre cironkën tënde të qelbur dhe sille këtu!
Plakut të shkretë i therri në zemër dhe çalë-çalë u nis e shkoi në anë të lumit dhe i thirri cironkës.
Ajo doli në çast mbi ujë. Cironka ishte e artë. Edhe zemrën e kishte të artë.
-Më thuaj një dëshirë!- i tha ajo plakut si gjithmonë.
-Plaka më tha...- Plaku u gëlltit.- se ti duhet të vish me mua tani.
Pra...plaka do që ti ta lesh lumin dhe të vish me mua...
Cironka e vogël heshti. Heshti disa çaste dhe pa folur fare u krrodh thellë në
ujrat e turbullta të lumit për të mos dalë më kurrë.

Plaku u kthye në shtëpi..shtëpia s'ishte më. Në vend të saj gjeti kasollen, plakën e tij dhe të njëjtën varfëri. Ndoshta kishte kërkuar shumë...

1 comment:

Short Poems said...

I shkreti plak.... shum perralle e bukur :)