Thursday, December 1, 2011
ZOGU
Shiu binte
dhe s'pushonte
fiu era,
fishkëllonte.
Gjithë çudi
dhe e habitur,
jashtë dritares
sytë pa shqitur,
Ana rrinte
dhe shikonte,
zogun qull
që s'cicëronte
Shpejt derën
Ana hap
e drejt tij
u nis me vrap.
Porse zogu
i frikësuar,
s'priti Anën
për ta shpëtuar.
Hop fluturoi,
Po ku shkoi?
As pak metra
nuk guxoi.
Era e shkundi,
shiu e tundi,
përtokë ra
oh nuk mundi
Që më tej
të fluturonte,
në folezë
të tij të shkonte.
Dhe pse shiu
e era fiu,
e vetëtima
shkrepëtiu,
Ana u nis
sërish me vrap
me dorë zogun
seç e kap.
Dhe kur shiu
e era ndali,
ç'kënaqësi
Anës i fali.
E kish ngrohur
dhe ushqyer,
oh me të
sa kish dëfryer.
Me gëzim
tek dera doli,
- Ik, zogu-
ëmbël i foli
Ciu,zogu
nis këndoi,
hapi krahët
e fluturoi.
Autori: Dhimiter Gjoka
Figure from : picture-book.com
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
1 comment:
Sa vjershe e bukur!!!
Post a Comment