Thursday, December 25, 2008

Si e festonim Vitin e Ri, kujtime...

Ushqimet, gatimet, darka e Vitit te Ri



Për ne darka e vitit të ri simbolizonte bollëkun më të madh të vitit. Pjata kryesore ishte kaposhi i detit. Pjatat plotësuese përfshinin: bërxollat e viçit, dollmën, byrekun, patatet e skuqura, sallatërat, salcën e kosit, gogozharet, etj, etj...
Ndërsa ëmbëlsira kryesore ishte bakllavaja, që shoqërohej herë me kadajif e herë me shëndetli.

Shtëpia duhej të ishte dritë, të mos kishte asnjë pluhur. Perdet, xhamat laheshin disa ditë përpara. Viti i ri nuk mund të na gjente me rroba pa larë, ose me qilima të pashkundur. Gjithcka pastrohej, sistemohej dhe pritej nata e madhe.

Pastaj fillonin gatimet. Që dy dite para bëhej bakllavaja, me petet e hollaaaa, sa të këputeshin, si një fletë letre. Mamaja dhe gjyshja bëheshin bashkë dhe ato hiqnin petët, ndërsa ne fëmijët shtypnim arrat.

Këtu ishte lezeti sepse duke qenë se mamatë ishin të zëna me pregatitjen e petëve (që duhej të përfundonin para se babi të vinte në shtëpi, babit nuk i pëlqente rrëmuja :)) ne e hanim gjysmën e arrave. Sa mërzitej mamaja e shkretë (nuk do më dali bakllavaja e mirë thoshte :), ato arra mezi i mblidhte gjatë gjithë vitit) por arrat dilnin edhe për bakllavatë, edhe për ne.

Bakllavaja duhej të piqej në zjarr të ngadaltë, të merrte atë ngjyrën e bukur të grurit, edhe prerja e fetave bëhej me lezet, që të ngjante si kallinj gruri. Shëndetlija, edhe kjo donte punë shumë, bëhej me shumë mjaltë e arra, dhe bëhej shumë e bukur kur zbukurohej me bajame të qëruara...



Image from: here

Wednesday, December 24, 2008

Si e festonim Vitin e Ri, kujtime ...

Dhuratat dhe vizitat


Gjyshërit tanë pregatisnin për të gjithë nipat e mbesat nga një pako të vogël. Aty kishte: një palë çorape të ngrohta prej leshi që i kishte thurrur nëna, një grusht arra dhe bajame, disa kokrra portokalle dhe manderina, nje varg palafike (fiq te tharë), disa monedha dhe disa karamele.



Mami dhe babi na blinin cfarë të kishim nevojë (bluzë, pantallona, xhakavento, triko, këpucë), dhe ata të kishin mundësi.
Rrobat e reja i kombinonim me rrobat më të mira dhe i vishnim në datën 1 Janar kur dilnim për të bërë vizitat tek të gjithë njerëzit e familjes.
Në fillim venim tek më të mëdhenjtë, gjyshi dhe gjyshja, xhaxhai i madh, dajua i madh, halla e madhe, tezja e madhe, dhe vazhdonim sipas moshës.
Sipas moshës së prindërve i binte që në datën 1 Janar në darkë (ose në 2 Janar) të prisnim ne vizita në shtëpinë tonë.
Njerëzit më të dashur, dhe sidomos të rinjtë vinin që në datën 31 Dhjetor në mesnatë për vizitë, "për të bërë këmbë".
Vizitës së parë i nxirrnim thelën më të mirë të bakllavasë, dhe e uronim "Paç këmbën e mbarë..."


Image from: open clipart

Tuesday, December 23, 2008

Si e festonim Vitin e Ri, kujtime...

Zbukurimi për festë


Ne ishim një grup 4-5 vetash që keto ditë ishim shumë të preokupuar me zbukurimin e klasës. Mbaj mend që bënim shirita me ngjyra (letër punëdore) dhe i varnim në tavan :), me pambuk zbukuronim dritaret, dhe i bënim si flokëza dëbore :). Gjithashtu prisnim edhe letër të bardhë në forma të ndryshme të kristaleve të borës dhe i ngjisnim në dritare.
Me letër të bardhë, të ndritshme, ose cellofan, bënim një lloj shiriti tjetër: letrën e prisnim në shirita të hollë, të hollë, dhe i vinim në një fije spango, duke e kaluar në vendin ku binte më mirë drita. Shiritat e hollë prej letre cellofani ose nga ajo e ndritshmja ndriçonin shumë bukur kur ndizeshin dritat, dhe dhoma merrte një pamje shumë festive.

Kur mund të gjenim ndonjë bredh të vogël atëherë kënaqesia më e madhe ishte zbukurimi i pemës. Kur shikoj gjithë këto lloj zbukurimesh që janë mbushur dyqanet sot, më kujtohen gjithë ato zbukurime që krijonim ne, por ato ishin të gjitha prej letre dhe pambuku...


Image from :

open clipart

Monday, December 22, 2008

Vjerrsha e Abetares, kujtime...


Abetare fort të dua,
Me ato shkronjat e tua,
Dora ime u mësua,
Mendja ime u ndriçua,
Kam mësuar të lexoj,
Shkruaj bukur, recitoj...





Kur ishim ne të vegjël, rreth kësaj kohe të vitit festonim "Festën e Abetares". Të gjithë fëmijët pregatisnin një program me vjerrsha e këngë për prindërit. Të gjithë së bashku përcillnim Abetaren e dashur që na kishte mësuar shkronjat. Në fund, shfaqja mbyllej me ardhjen e mikut të ri "Leximit" dhe gjithë librave të tjerë...



Image from: here


Thursday, December 18, 2008

Ymer Agë Ulqini

Nuk po gjej një figurë të përshtatshme për këtë përrallë:
Nëse ndonjëri prej jush që e lexoni këtë blog dëshiron të krijojë vizatime të përshtatshme për këngët, vjerrshat, apo përrallat që mund të vendosim këtu, ju lutem më kontaktoni...


Dhe tani, sipas gojëdhanës:


Ymer Agë Ulqini


YMER AGË Ulqini ishte djalë në lule të moshës. Të sotmen u martua të nesërmen i erdhi kartë nga mbreti: "Ti Ymer Agë Ulqini të nisesh e të shkosh në luftë se po na sulmon armiku ... "Kjo kartë ishte e zezë, e hidhur se ndante trimin nga vasha. Po Ymer Aga ishte ushtar nuk e bëntë fjalën dysh. U ngrit, shaloi balashin, ngjeshi armët, shkoi u la shëndenë miqve, shokëve, nënës e atit, pastaj vajti e ia tha vashës: Moj vasha ime, mua më dërgon mbreti fjalë të shkoj në luftë e duhet të nisem.




- Merrmë dhe mua me ty Ymer Agë -, i thotë vasha.
- Jo vashë nuk të marr dot, se atje i thonë luftë e lufta është për burrat. Unë dua të më japësh besën se nuk do të martohesh e do më presësh derisa të kthehem.
Më thuaj sa do të më presësh ti mua moj vasha ime ?
- Do të të pres nëntë ditë
- Nëntë ditë janë pak moj vashë, udha ime është e gjatë dhe lufta është e gjatë, se kjo luftë bëhet në dhe të largët. Në më do siç të dua të më presësh nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë të nëntë vjetët e të nëntë ditët e unë të mos kthehem ti vashë martohu e trashëgohu se kështu qënka thënë, atëherë unë s'do të jem gjallë.
Vasha psherëtiu
- Mirë Ymer Agë do të të pres nëtë vjet e nëntë ditë.
Kështu e lidhën fjalën ata të dy. Ai të shkojë në luftë, ajo të presë nëntë vjet e nëntë ditë. Ymer Aga i la shëndenë vashës, i hipi balashit e shkoi me zemër të ngrohtë në luftë. Kali ikte e linte prapa një re pluhuri që ngrihej në udhë. Kalorësi nxitonte të arrinte sa më shpejt në luftë. Trim ishte Ymer Agë Ulqini por armiku ishte i madh e i shumtë. Që në përpjekjen e parë të tij iu turrën mizëri kalorësish
të veshur me hekur. E qarkuan dhe e qëlluan me shpatë, Ymer Aga luftoi si burrë, shtriu përdhe shumë burra, plagosi shumë të tjerë po në luftë e sipër i vranë balashin. Sa ia vranë balashin Ymer Aga luftoi në këmbë gjersa iu thye shpata. E zunë rob e hodhën në burg brenda në kështjellë. Qarkuan nga të katër anët me gurë mure të lartë dhe e mbajtën derë për nder se kishte qënë trim dhe trimi nderohet kudo. Aty në dhe të huaj në burg shkojnë ditët e bëhen javë, shkojnë javët e bëhen muaj, shkojnë muajt e bëhen vjetë. Një dy, tre, më shumë...
Mirëpo Ymer Agë Ulqini e ka zemrën të ngrohtë sepse vasha i ka dhënë fjalën ta presë në shtëpi nëntë vjet e nëntë ditë. Ai ha bukë, pi verë, qesh, ju jep zemër shokëve i bie ciftelisë. Dëgjon bija e mbretit të huaj e çuditet.
C'është ky njeri - thotë - që s'tutet se është burg brenda në burgun e kështjellës.
- Eshtë Ymer Agë Ulqini - i thonë.
- Të fortë e paska zemrën.
- Të fortë e të ngrohtë se është shqiptar, me fjalën e tij e me këngën e tij i forcon e i ngroh edhe të tjerët, shokët. Po në të vërtetë Ymer Aga e ka zemrën të ngrohtë e syrin zjarr. Pret që mbreti i tij të dërgojë shpërlblesë, ose shkëmbesë që ta lirojë. "Domosdo" - thotë Ymer Aga - "mbreti do të dërgojë të më lirojë se unë kam luftuar kaq vjet për të. Ia kam dëgjuar gjithnjë fjalën, ku më ka dërguar kam vajtur, ku ka dashur kam luftuar..."
Po Ymer Aga nuk di se mbretërit i harrojnë njerëzit që u kanë bërë shërbime. Edhe mbreti i tij e ka harruar fare. Atij si bëhet vonë se ka e s'ka Ymer Aga në këtë botë. Se Ymer Agën e pret vasha në shtëpi, se Ymer Aga kalbet në burg. Mbreti bën kokrrën e qejfit në sarajet mëdha buzë detit, ha e pi e ndërron gratë, dërgon të tjerë në luftë që të vriten e të bien rob. Hajde, hajde na shkojnë të nëntë vjetët. Afrohet dita e zezë. Pas nëntë ditësh do të martohet vasha e Ymer Agës, siç e kishin lidhur fjalën bashkë. Atëherë Ymer Agës i ftohet zemra, i shuhet syri, nuk ha më bukë, nuk pi më verë, nuk i bie ciftelisë . Cuditen gjithë shokët e pyesin çka e pse rri i mekur . Ai nuk përgjigjet , qëndron në heshtje kokëvarur i pikëlluar. E bija e mbretit që s'ia dëgjon më këngën pyet njerëzit:
- C'ka Ymer Aga që s'po i ndihet zëri ?
Ymer Aga i thonë - ka ditë që s'po ha e s'po pi, s'po vë gjumë në sy e s'po i bie ciftelisë.
- Ma thërrisni këtu Ymer Agën!
I vete Ymer Aga së bijës së mbretit.
- C'ke ti Ymer agë ? - e pyet e bija e mbretit . Pse s'ha bukë e pse s'pi verë, pse si bie ciftelisë.
Ymer Aga pëshon e ia kthen:
- Nuk ha dot e nuk pi dot, moj bijë e mbretit, as ciftelisë nuk i bie dot. Kam parë një ëndërr të keqe.
- C'ëndër ke parë Ymer Agë?
- Kam parë shtëpinë të nxirë e të shembur, babanë të vdekur e të harruar, nënën gjallë por të verbuar. Edhe kam parë se vasha ime po martohet. Unë veç një natë kam ndenjur martuar me vashën time, të nesërmen më erdhi kartë të nisem për luftë. U nisa, luftova e rashë rob. Ne kemi bërë me besa besë që vasha të më presë nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë nëntë vjetët e nëntë ditët ajo të martohet e trashëgohet. Të nëntë vjetët shkuan, tani po shkojnë dhe të nëntë vitet. Të falem moj bijë e mbretit, a nuk i thua babait të më lëshojë për ca ditë, të shkoj në shtëpi sa të flas me vashën e pastaj të khehem prapë në burg.
- I them Ymer Agë por im atë, mbreti, kërkon nëntë qese aspra që të lëshojë.
- E ku ti gjej unë këto nëntë qese moj bijë e mbretit.
Unë kam nëntë vjet që jam rob i zënë ...
- C'më lë ti peng mua o Ymer Agë që të të lë të shkosh ?
- Të le besën time o bijë e mbretit .
E bija e mbretit e di se Ymer Aga është shqiptar dhe se shqiptari vdes dhe nuk e shkel besën. i Thotë:
- Ngrihu Ymer Agë, shalo kalë dorinë e për tri ditë arri në Ulqin.
Shokët e Ymer Agës fillojnë e qajnë:
- Mjerë ne Ymer Agë po shkon e na le vetëm!
Ymer Aga kthehet e u thotë:
- C'keni o shokë që po qani? Në qofsha gjallë do kthehem prapë. Këtu një orë e më parë do presim bashkë si ta kemi të thënë. Të mirëmbetshi.
- Udhë e mbarë Ymer Agë, dalsh faqebardhë!
Shalon ai shpejt kalë dorinë, i hip e merr vrapin drejt për në Ulqin. Kali ikën si shigjetë , lë pas një
vrazhdë pluhuri që ngrihet lart. Mbetën prapa male e fusha, dalin përpara male të tjera, fusha të tjera.
Vrapo dori që të arrijmë të bukurën përpara se të martohet. Ik e ik e ditë e natë me shkumë të kuqe në gojë ... Doriu është i këputur, Ymer Aga është i drobitur. Veshët i buçasin por të dy shkojnë e
shkojnë ... Për tri ditë e tri net shkojnë në vend. E ja tek zbardh Ulqini i bukur shqiptar, buzë detit
tonë ...

- Ah, Ulqin, Ulqin tërë jetën të kam pasur në zemër. Nëntë vjet të kam parë natë përnatë në ëndërr. Nëntë vjet kam dashur që të puth dheun. Valët thyhen njëra pas tjetrës në breg. Era fryn e fortë. Përsipër fluturojnë pulëbardhat... Ja tek nxin shtëpia e Ymer Agës. Ai shikon si nëpër gjumë. Jam a s'jam këtu, i është tharë gjuha për një pikë ujë. Qëndron në një krua që të lahet e të pijë, aty gjen të ëmën plakë. Ai e njeh ajo se njeh.
- Mirë se të gjej o e mira nënë!
- Mirë se vjen o rob i zënë!
- Ku më di ti se jam rob i zënë?!
- Nga flokët e gjata që të varen supeve. Nga na vjen ti o rob i zënë?
- Vij nga ajo e zeza Spanjë!
- A mos e ke parë Ymer Agën tim? A mos ke dëgjuar ndonjë fjalë për të? E kam parë sot e tri javë moj e mira nënë. Ymer Aga u vra, vetë e lava, vetë e qava e të shtatëzën ia ndava. Plaka nis vajin e vajton, Ymer Aga e bën zemrën gur e nuk i rrëfen të vërtetën. i thotë:
- C'jan ata njerëz që nxijnë tej moj e mira nënë? C'janë këta topa që po bien kodrave?
- Janë krushqit e atij qenit Veli Pashës që kanë marrë nusen e po shpien në shtëpi. Topat që bien janë topat e dasmës.
- C'nuse kanë marrë moj e mira nënë?
- Nusen e tim biri , të Ymer Agës ...
Ymer Aga i bie kalit e u del krushqve përpara.
- Mirë se ju gjej o krushq dasmorë
- Mirë se vjen , o rob i zënë. Nga na vjen ti , o rob i zënë?
- Nga ajo e zeza Spanjë
- A mos e ke parë Ymer Agën apo mos ke dëgjuar ndonjë fjalë për të?
- Kam tri javë që e kam parë. Ymer Aga u vra. Vetë e lava e vetë e qava e të shtazan ia ndava.
Krushqit gëzohen, qeshin; nusja qan nën duvak ...
Ymer Aga hidhet e thotë:
O krush o dasmorë! Ymer Aga më ka lënë një amanet: t'i them nja dy fjalë kësaj vashe.
- Thuj tri e sa të dush, o rob i zënë
Ymer Aga i afrohet koçisë dhe pyet nusen:
- A e njeh Ymer Agën, moj vashë?
- Si ta njoh e mjera unë e mjera nje natë të fjetur, nëntë vjet pa pjekur .. Ajo e zeza nënë me pat thënë se ka një shenjë në llërën e djathtë, që ia ka kafshuar kali Ymer Aga përvesh llërën e djathtë e i tregon shenjën. Nusja e njeh, gëzohet. I zbret koçisë, hedh mbi krye duvakun e nusërisë e u thotë krushqeve:
- udhë e mbarë, o krush bujarë, se unë po marr burrin e parë! Ky është Ymer Aga im. Burrë e kisha e burrë e kam për jetë e mot!
Ymer Aga e hedh në vithe të doriut edhe shkon drejt në shtëpi. Kthehet pastaj edhe sjell nënën.
Të nesërmen i hip prapë doriut edhe merr udhën e Spanjës. "Ti, dori, të më zbardhesh faqen, se i kam dhënë fjalën bijës së mbretit! "Ulqini i bukur shqiptar mbetet persëri prapa. Kali vrapon ditë e natë...
Po ç'na ndodh andej, në atë të zëzë Spanjë? Mbreti se dëgjon e se sheh Ymer Agën. Pyet e i thonë se Ymer Agën e ka lëshuar e bija që të kthehet në vendin e vet. Ai thërret sakaq të bijën e i shfyen:
- ç'u bë Ymer Aga robi ?
- E lëshova unë o im atë, që të takohet me vashën e tij se do t'ia merrte dikush tjetër. Më dha besën: për tri ditë vjen prapë. Sot mbarojnë të tri ditët e do të kthehet. mbreti zemërohet.
- Jo të gënjeu nuk do të kthehet!
Jep urdhër t'i presin kokën së bijës në krye të shkallëve.
Prit o im atë, gjersa të ngryset, se Ymer Aga do të kthehet medeomos. Ai se shkel besën
- Jo, kush shkon nuk vjen prapë. Është si zogu i kuvlisë: posa ia hape, iku...
Do të kthehet se me ka dhënë besën.
- Besa është një fjalë, dhe fjalën e merr era. Atë e shkelin dhe mretërit.
- Mbretërit e shkelin, Ymer Agë shqiptari nuk e shkel, o im atë... Në atë çast dukej tej një kalorës që vjen vrapë, duke lënë mbrapa një fashë pluhuri. Sa të mbyllesh e të hapësh sytë, kalorësi hyn në portë të kështjellës. I zbret kalit të shkumëzuar dhe i falet së bijës së mbretit:
- Rrofsh e qofsh, moj bij' e mbretit! e mbajta besën. Unë vajta e u ktheva. Rob isha, rob jam prapë.
Mbreti e shikon i çuditur nga kryet e shkallëve e thotë
- Ymer Ago shqiptar, ti paske qënë me të vertetë burrë i besës! Të lumtë!
pastaj kthehet e u jep urdhër rojeve:
Ymer Agën ta lironi të shkojë ku të dojë. Burrë qënka e burrë qoftë! Lëshoni dhe të nëntë shokët që ka.



Kam gjetur një faqe shumë të bukur me rrëfenjat e moçme shqiptare: rapsoded

Tuesday, December 16, 2008

1-2-3...

1 karrotë për lepurin,
2 arra për ketrin,
3 dele blegërijnë,
4 ujq ulërijnë,
5 pula kakarisin,
6 qukapikë çukisin,
7 rosa notojnë,
8 zogj fluturojnë,
9 gjinkalla bëjnë potere,
10 bletë në koshere...




Duke u endur në internet rastisa në një temë për fëmijë tek Albforumi. Atje më pëlqyen shumë këto vargje zbavitëse të shkruara nga përdoruesi "perandoria7". Kushdo të jetë perandoria7, unë e falenderoj shumë për këto vargje të bukura dhe po i shkruaj edhe këtu në mënyrë qe dhe fëmijë të tjerë ti lexojnë ...
Unë i vura titullin: 1-2-3.

Image from Counting friends


Shtojcë:
Kam shumë dëshirë që të bashkëpunoj me ndonjërin prej jush që e lexoni këtë blog dhe ju jepet që të krijoni vizatime të përshtatshme për këngët, vjerrshat, apo përrallat që mund të vendosim këtu. Nëse ju pëlqen kjo ide, ju lutem më kontaktoni...

Friday, December 12, 2008

Kënga e Vitit të Ri

Për Vitin e Ri, vjerrsha, këngë dhe valle...



GËZUAR VITIN E RI KOLOPUÇA...


Ja na erdhi Viti i Ri,
sa jam e gëzuar,
Porsi unë cdo fëmijë,
pret per ta festuar,

Bora zbardhi tej për tej,
fusha edhe male,
Viti i Ri do të na gjej',
me këngë e me valle.

E stolisa bredhin tim,
me lodra me yje,
era jashtë me tërbim,
le të fryjë në pyje,

plot dhurata përsëri,
do më sjellë mua,
babagjyshi i Vitit Të Ri,
oh sa fort të dua.

Wednesday, December 10, 2008

Kënga e maçokut



O maçok, çamarrok,
Pse po vjen vërdallë,
-Po kërkoj një pisanjos,
Ta lëpij në ballë.

Tri-li-li, tra-la-la,
Pisanjosa këtu s'ka,
Kopshti ynë, shembullor,
I ka pastërtorë!



-O maçok, çamarrok,
A ke tjetër punë?
-Kush ka ardhur pa shami,
Ta lëpij në hundë.

Tra-la-la, tri-li-li,
Që të gjithë kemi shami,
Kopshti ynë, shembullor,
I ka pastërtorë!



Autori: Tahsin Gjokutaj

Image from KTC

Thursday, December 4, 2008

Kujtime ... dhe vërtetime ...


Topi rrotullohet,
Portës i afrohet,
Ec,
Penallt',
Shtyll',
Gooooool!



Më në fund i vogli e hap gojën dhe e gëlltit lugën a rradhës...
Sa herë "rrotullohet topi"? Sa lugë të ketë pjata...



Image from MOE


Image from ETC

Shtojcë:
Kam shumë dëshirë që të bashkëpunoj me ndonjërin prej jush që e lexoni këtë blog dhe ju jepet që të krijoni vizatime të përshtatshme për këngët, vjerrshat, apo përrallat që mund të vendosim këtu. Nëse ju pëlqen kjo ide, ju lutem më kontaktoni...

Wednesday, December 3, 2008

Biçikleta


Vetëm me dy rrota,
Edhe një timon,
Ikën biçikleta,
Sikur fluturon,
Sa bukur Albani, (ose emri i fëmijes)
Atë e drejton...



Nuk më kujtohet më gjatë kjo kënga. Mbaj mend që e këndonim kur loznim para pallatit. Një nga fëmijët e lagjes kishte bicikletë :). Shumë e rrallë në ato vite :). Tani ia këndoj të voglit tim tre-muajsh duke i lëvizur këmbët sikur lëviz pedalet e bicikletës. Kjo këngë i pëlqen shumë.

Tuesday, December 2, 2008

Nëna ime


Nëna ime e dashur,
Sa shumë që të dua,
Ti gjithmonë ke pasur,
Shumë durim me mua.

Ti për mua je,
Thesar i paçmuar,
E gjithë bota je,
Diell i pashuar.



Monday, December 1, 2008

Himni i Flamurit


Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë dhe një qëllim,
Të gjithë Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor



Në dorë armët do t'i mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë,
Këtu armiqtë s'kanë vend

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombet shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për te, për te luftojmë ne

Vargjet: Asdreni Më shumë për Aleksandër Stavre Drenovën
Fotografia: Alkimisti

Monday, November 3, 2008

ariu dhe dhelpra


” E pandehur, te kane pare
drejt kotecit duke ngare
nje kerriç e nje gomar.
me nje fjale , dy deshmitare…
Ç’ke te thuash me ne fund?”
dhe ariu putren tund.

“S’e mohoj , eshte e vertete
qe me pane ata dy vete.
Mirepo une , ne me latë,
do te sillja ne gjykate
nja dyqind qe s’me kane pare…
Apo jo , zoti gjyqtar? ”

Nga Ferit Lamaj

Saturday, November 1, 2008

Majmuni piktor


HISTORIA E NJË MAJMUNI QË VENDOSI TË BËHEJ PIKTOR

Majmuni, me ngjyra e penel në dorë,
vendosi që të bëhej piktor.

E që të dukej tamam artist,
vuri një beretë e u krekos një çikë.

E gjeti papritur te këmbët, përdhe,
syze dielli me xhamat kafe.

Syzet i vuri në sy edhe pa
pyllin me drurë, me zogj e gjithçka.

Pylli i gjelbër tani kafe iu duk,
Kafe dhe përroi e burimit në çukë.

Kafe çdo lule dhe ylberi me ngjyra,
Kafe çdo re, kafe tërë natyra.

Kuptohet ç’piktura do të bënte ai
Kur shihte vetëm një ngjyrë me sy.

Natyra ka ngjyrat e saj të pafund,
”Hiqi syzat e tua, majmun!”

MOIKOM ZEQO
(Nga ”Syri” – Biblioteka e Fatosit)




Wednesday, October 29, 2008

Pamje vjeshte



Shkoi vera
.....Si hije,
Fryn era,
.....Shi bie.

Lart qielli
.....Si plumbi,
Shkoi dielli,
.....Na humbi.

S'ka jetë-
.....Ra brymë,
Bar, fletë
.....Pa frymë.

Rri zogu
.....Te hajë,
Te shtogu
.....Mi majë.

Ka gojë;
.....Do jetën,
Ta rrojë
.....Të shkretën!

Gjahtari
.....Del gjahut;
Druvari
.....Dru krahut.

Del bujku
.....Mbleth berrat;
Te ujku,
.....Nër ferrat!

Larg fshatit
.....tingllime...
Rreth shtratit:
.....Dëfrime!

Asdreni (Alexander Stavre Drenova)

Wednesday, October 22, 2008

Vjeshta

Nga Asdreni...


U zhduk vapa, shkoi vera,
dhe bilbili më s'këndon.
erdhi vjeshta me të tjera,
syri ynë që i shikon.

Teret koha, hapen retë,
ngjyra plumbi përsëri,
duket prapë tjetër jetë,
që natyra ndërron tashti.

Era fryn, fletët bien,
pemët zhvishen si nga mot,
mali, fusha më s'ka hijen,
që e kishin gjer' në sot.




Bukurite janë zhdukur,
shiu e bryma zuri vend,
bari lulet kopshti i bukur,
u ndryshuan në cdo kënd.

Por e mirë është vjeshta,
sepse bujku gjithmon' punon,
për të vjelur sot ka vreshta,
nesër arat po lëron.


Njerëzit në cdo anë,
posa ngrihen në mëngjes,
nëpër fusha cdo gjë kanë,
rendin, mbledhin me kujdes.

Pra me punë gjith' të rrojmë,
se vec puna ne na vlen,
sepse ndryshe s'trashëgojmë,
verën tjetër që po vjen.

Monday, October 20, 2008

Cinxëri dhe milingona



Cinxër' i marrë,
gjithë beharë,
e shkoi duke kënduar,
ndë kopshte të lulëzuar.

Po behari shkoi,
cinxëri pushoi,
dhe zuri të qajë,
se s'kish se ç'të hajë.

Të mos vdesë nga uria
një ditë del nga shtëpia,
dhe miligonës i thotë:
-Zonjë, sot bën shumë ftohtë.

s'kam ç'të ha dhe jam sëmurë,
po nëmë dy kokrra grurë,
ta kthej prapë në korrik.
në më ke gjiton dhe mik

Të të vijë keq për mua.
Po milingona s'ep hua,
se është fort e shtrënguar
— Në behar s'paske punuar,

Thotë zonja milingonë.
— Këndova, për zonë,
beharë të tërë,
ndë fush' e ndë male,
— Fort mirë ke bërë,
tani hidhu valle!

Shqiperoi: Andon Zaku Cajupi

Saturday, October 18, 2008

Mendjemprehtësia


Na rronte njëherë një prijës i ri, që njihej jo vetëm për trimërinë por kryesisht për karakterin e harbuar e tekanjoz. Njëherë thirri më plakun e fshatit të rripte një gur, e pastaj të pregatiste një drekë për të ftuarit e tij.
Plaku,i zënë ngushtë u kthye në shtëpi i vrerosur dhe i tregoi vajzës së tij të vetme për urdhërin e çuditshëm të prijësit. Vajza ishte e re, shumë e bukur por edhe shumë mendjeprehtë.

Ajo e qetësoi të atin dhe i premtoi se do ta ndihmonte. Dhe me të vërtetë, në mëngjes shkoi te babai i saj me një thikë në dorë dhe i tha: ”Jepja këtë thikë prijësit dhe i thuaj ta therë në fillim gurin e pastaj ti mund ta rrjepësh e t’i marrësh lëkurën”.
Plaku veproi tamam ashtu siç e mësoi e bija.



Prijësi, u zemërua dhe i tha:
- Ku ke dëgjuar or plak, që të therret guri? Mos kërkon të tallesh me mua?
Plaku u përkul tërë nderim dhe iu përgjigj:
- Nuk guxoj të të kundërshtoj o prijës, po ku është dëgjuar të rrjepësh lëkurë nga një gur?!

Prijësit i pëlqeu përgjigja dhe kur mori vesh se fjalët e plakut dilnin nga mendja e së bijës, u martua me të.

Vështirë e pati prijësi me gruan e tij të re. Ajo doli më e zgjuar nga i shoqi dhe kjo cënoi keq sedrën e sëmurë të prijësit,aq sa vendosi të ndahet prej saj,megjithëse e donte si më parë.
- Unë po shkoi për gjueti, por ki mendjen:po qe se ti para kthimit tim do të zgjidhësh qoftë edhe një çështje, me mua nuk ke punë më, do të ndahemi njëherë e mirë.

Kaloi një ditë, dy, apo më tepër dhe te fqinjët erdhi një mik. Natën pela e mikut polli një mëz. Në mëngjez miku, kur mori vesh lajmin u gëzua shumë, por të zotët e shtëpisë filluan të ngulnin këmbë se mëzin e polli qerrja ku ishte lidhur pela.
Filluan të grindëshin dhe për të sheshuar problemin vendosën të ftojnë gruan e prijësit.

Dhe kjo erdhi, por me mjaft vonesë. Ajo kërkoi ndjesë për vonesën duke u shfajësuar se rrugës, duke ardhur, pa përroin që kishte marrë zjarr dhe e shojti duke i hedhur fletë të thata. Të gjithë u habitën. Edhe miku edhe të zotët e shtëpisë.
- Zjarrin e shuajnë me ujë e jo me fletë të thata, e pastaj, ku është dëgjuar që të digjet uji?!- thanë ata.
Gruaja e prijësit qeshi nën buzë dhe u përgjigj:
- Po që se e keni të qartë se kjo nuk ndodhë, si nuk mund të kuptoni se qerrja s’mund të pjellë mëza?
Në këtë mënyrë u zgjidh edhe grindja në dobi të mikut.

Kur u kthye nga gjuetia, prijësi mori vesh që gruaja e tij e kishte shkelur porosinë që i kishte dhënë. Ai u gëzua dhe i propozoi gruas të marrë me vete gjithçka dhe çfardo që do e të largohet nga shtëpia e tij e të shkojë te të sajtë, apo ku të dëshirojë.
- Mirë, unë pranoj, por para se të largohem dëshiroj të hamë së bashku darkën e fundit të lamtumirës, - u lut ajo dhe, pasi mori pëlqimin e të shoqit, shtoi sofrën.

Gjatë darkës ajo e dehu të shoqin, pastaj, me kujdes, që të mos e zgjonte, e ngarkoi në qerre dhe së bashku me të u nis për te prindërit e saj.
Rrugës prijësi u zgjua dhe i habitur qeshi:
- Ku po më qon kështu?
E shoqja, si gjithnjë, u përgjigj qetë:
- Si ku? A më urdhërove të largohem nga shtëpia jote dhe më lejove të marr me vete gjithçka që më nevojitet dhe çfarëdo që dua? E pra, unë ty të dua më tepër dhe asgjë tjetër. Prandaj dhe të mora vetëm ty për të prindërit e mi.
Prijësi i habitur me mendjen e mprehtë të gruas u kthye në shtëpi dhe jetoi i lumtur me gruan e tij.

Friday, October 17, 2008

O sa mirë, o sa keq! - me muzikë






Macja ime,
ka që mbrëmë,
me maçokun,
është zënë,

O sa keq,
o sa keq,
turp për macen,
që s'i vjen,


Dhe patokut,
mu në këmbë,
i ka hyrë,
një goxha gjemb,

O sa keq,
o sa keq,
mezi nëna,
po ja heq,





Ujku ka mbetur,
pa dhëmbë,
lopa ja theu,
me këmbë,

O sa mirë,
o sa mirë,
ujku është,
egërsirë.

...
Në këtë version të këngës:

M'u te ferra,
sot një qen,
bishtin lepurit,
ja kishte ngrënë,

O sa keq, ...

Ujku ka mbetur,
pa dhëmbë,
ja theu kau,
me këmbë,

O sa mirë ...
...

Thursday, October 16, 2008

Macja le të lahet - me muzikë




Mjau-mjau-mjau,
Një macok fytyrën lau,
Gjyshja ime sa e pa,
Do të bjerë shi na tha.

Por Petriti vëllai im,
Që di mirë çdo mësim,
I tha gjyshes "po s’pati re,
Jo nuk bie shi mbi dhè".

Gjyshe,
Macja le të lahet,
Prapë do të thahet,
Gjeli të këndoje,
Sa herë të dojë,
Po nuk pati re,
Po nuk vetëtiu,
Po nuk bubulliu,
S’bie shi mbi dhè.

...

Mbrëmja qetë kur u qas,
Nëntë herë ki-ki-ki,
Këndoi gjeli mbi çati,
Gjyshja tha do bjeri shi.

...

Në këtë versionin e ri të këngës kjo pjesa kur këndon gjeli nuk është më :), por prapë është një nga këngët më të preferuara për vajzën time.