Këtu s’do t’jem, do jem larguar,
Në tokë i tretur, si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar,
Nuk do më shohin më kamarierët.
Dhe nëpër rrugët ku kam ecur,
S’do ndjehet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur,
Nje qiparis si murg i ngratë,
Po kur të jesh mërzitur shumë,
Në raft të librave kërkomë,
Atje i fshehur do t’jem unë,
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë,
Mjafton që librin pak ta heqësh,
Dhe unë do të zbres do të vij pas teje,
Ti si dikur me mall do të qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.
Dritëro Agolli
No comments:
Post a Comment