Friday, February 3, 2012

Përtaci

Një njeri përtac,
s’punonte aspak
Puna më e vogël
i bëhej farmak.

Një herë s’kish ushqim,
Bukë si jepte tjetër,
pra shkoi të ulet
tek një dardhë e vjetër

Dardha kishte kokërra
të mëdha kërcak,
të ëmbëla sheqer,
pjekur për merak.

Por përtaci ishte
njeri për cutdi,
përtoi t’i shkundte,
në hije u shtri.

Hoqi dhe kapelen,
pranë vetes e la
- Bini këtu brënda,
o ju dardha - tha.

Priste kokrra dardhës
nga degët e saja,
kur një dardhë e madhe
u shkëput nga maja,
thirri fortë përtaci
- Obobo ç’hata !

Tuesday, January 24, 2012

Gje e gjeza

Mbi dy brigje, qëndron shtrirë,
Këmbët n'ujë ngulur mirë,
Përmbi të ,makinat shkojnë,
Nën të ujërat gurgullojnë.
(Ura)

Image from: picture-book.com

Tuesday, January 10, 2012

Gjeli, qeni dhe dhelpra

Na rronin njëherë një plak e një plakë. Ata ishin shumë të varfër. Nuk kishin gjë tjetër, veç një gjel e një qen.
Një ditë qeni i tha gjelit:
Eja, gjel i dashur, të shkojmë në pyll, të gjejmë ndonjë gjë për të ngrënë.
U nisën. Kur po errej, u futën në pyll dhe zgjodhën për të fjetur një pemë me zgavër. Gjeli hipi në pemë, qeni u fut në zgavër.

Në mëngjes gjeli nisi të këndonte: ki!- kii! - kiii!
Me ta dëgjuar dhelpra, iu afrua pemës dhe filloi të lavdëronte gjelin.
- Sa i bukur qenke, o gjel! Sa zë të ëmbël që paske! Eja sot për drekë tek unë, se të dua shumë!
- Mirë, - i tha gjeli, - por unë kam edhe një shok.
- Ku është shoku yt? - pyeti dhelpra.
- Ja, atje, në zgavër, iu përgjigj gjeli.
Dhelpra iu afrua zgavrës dhe futi kokën.
Qeni e kapi për fyti dhe e mbyti.

Sipas Vehbi Balës.

Tuesday, January 3, 2012

Shoku im

Kam një shok,
të dy tok
shkojmë orë pa mërzi;
më tregon,
më mëson
shumë gjëra që s'i di.


E shtrëngoj,
e pushtoj
plot gëzim e dashuri.
Fort e dua,
se për mua
është shok për mençuri.

Pa përtim,
me durim,
shoku im më ndihmon,
dhe ky është...
Kush e di?
Libri im që më mëson.

Autori: Bekim Gaçe.

Thursday, December 15, 2011

Princi dhe vajza e zgjuar

Na rronte njëherë një prijës i ri, që njihej jo vetëm për trimërinë por kryesisht për karakterin e harbuar e tekanjoz. Njëherë thirri plakun e fshatit të rripte një gur e pastaj të pregatiste një drekë për të ftuarit e tij.
Plaku,i zënë ngushtë u kthye në shtëpi i vrerosur dhe i tregoi vajzës së tij të vetme për urdhërin e çuditshëm të prijësit. Vajza ishte e re, shumë e bukur por edhe shumë mendjeprehtë u mendua.
Ajo e qetësoi të atin dhe i premtoi se do ta ndihmonte. Dhe me të vërtetë, në mëngjez shkoi te babai i saj me një hanxhar në dorë dhe i tha: "Jepja këtë thikë prijësit dhe i thuaj ta therrë në fillim gurin e pastaj ti mund ta rrjepësh e t’i marrësh lëkurën".

Plaku veproi tamam ashtu siç e mësoi e bija. Prijësi u zemërua dhe i tha:
- Ku ke ndëgjuar or plak, që të therret guri? Mos kërkon të tallesh me mua?
Plaku u përkul tërë nderim dhe iu përgjigj:
- Nuk guxoj të të kundërshtoj o prijës, po ku është ndëgjuar të rrjepësh lëkurë nga një gur?!
Prijësit i pëlqeu përgjigja dhe duke marrë vesh se fjalët e plakut dilnin nga mendja e së bijës, u martua me të.
Vështirë e pati prijësi me gruan e tij të re. Ajo doli më e zgjuar nga i shoqi dhe kjo cënoi keq sedrën e sëmurë të prijësit, aq sa vendosi të ndahet prej saj, megjithëse e donte si më parë.
- Unë po shkoj për gjueti, por ki mendjen: po qe se ti para kthimit tim do të zgjidhësh qoftë edhe një çështje, me mua nuk ke punë më, do të ndahemi njëherë e mirë.
Kaloi një ditë, dy apo më tepër, dhe te fqinjët erdhi një mik. Natën pela e mikut polli një mëz. Në mëngjez miku, kur mori vesh lajmin u gëzua shumë, por të zotët e shtëpisë filluan të ngulnin këmbë se mëzin e polli qerrja ku ishte lidhur pela.
Filluan të grindëshin dhe për të sheshuar problemin vendosën të ftojnë gruan e prijësit. Dhe kjo erdhi, por me mjaft vonesë.
Ajo kërkoi ndjesë për vonesën duke u shfajësuar se rrugës, duke ardhur, pa përroin që kishte marrë zjarr dhe e shojti duke i hedhur fletë të thata.
Të gjithë u habitën. Edhe miku edhe të zotët e shtëpisë.
- Zjarrin e shuajnë me ujë e jo me fletë të thata, e pastaj, ku është dëgjuar që të digjet uji?!- thanë ata.
Gruaja e prijësit qeshi nën buzë dhe u përgjigj:
- Po qe se e keni të qartë se kjo nuk ndodhë, si nuk mund të kuptoni se qerrja s’mund të pjellë mëza?
Në këtë mënyrë u zgjidh edhe grindja në dobi të mikut.
Kur u kthye nga gjyetia, prijësi mori vesh që gruaja e tij kishte shkelur porosinë
që i kishte dhënë. Ai i tha gruas të marrë me vete gjithçka dhe çfardo që do e të largohet nga shtëpia e tij e të shkojë te të sajtë, apo ku të dëshirojë.
- Mirë, unë pranoj, por para se të largohem dëshiroj të hamë sëbashku darkën e fundit të lamtumirës, - u lut ajo dhe, pasi mori pëlqimin e të shoqit, shtroi sofrën.
Gjatë darkës ajo e dehu të shoqin, pastaj, me kujdes, që të mos zgjonte, e ngarkoi në qerre dhe sëbashku me të u nis për te prindërit e saj.
Rrugës prijësi u zgjua dhe i habitur qeshi:
- Ku po më çon kështu?
E shoqja, si gjithnjë, u përgjigj qetë:
- Si ku? A më urdhërove të largohem nga shtëpia jote dhe më lejove të marr me vete gjithçka më nevojitet dhe çfarëdo që dua? E pra, unë ty të dua më tepër dhe asgjë tjetër. Prandaj dhe të mora vetëm ty për të prindërit e mi.
Prijësi i habitur me mendjen e mprehtë të gruas, hoqi dorë nga tekat dhe u kthye në shtëpi dhe jetoi i lumtur me gruan e tij.

Thursday, December 8, 2011

Bora (nga Faik Konica)


Kthjelltësia a qiellit shkoi me diellin, me lulet, me verën. Vjeshta e trishtueshme erdhi dhe iku. Tani po hyn dimri edhe qiellin e kanë mbuluar re të qeta e të ftohta. Edhe sot, për të parën herë, zu të bjerë bora.

Prapa qelqeve të dritares po shikoj. Ngadalë, ngadalë, sikur ka frikë të dëgjohet, bora fluturon flokë-flokë, e shtrohet mbi dhe. Bie kudo, e duket sikur kërkon të ndreqë e të zbukurojë. Dy cupa të vockëla shkojnë, e, në leshërat e tyre të arta, të lëshuara mbi shpatulla, bora shkruan trëndafile të argjendta. Djemtë qeshin, hidhen, luajnë e luftojnë me topa. Zogjtë rreth e rrotull parqeve, ciu, ciu, një thërrime buke!
Si në verë, gjithë bota është veshur në të bardha.
Flokë-flokë, ngadalë po bie bora ...

Autori: Faik Konica
Illustration from: picture-book

Tuesday, December 6, 2011

Lojera fjalesh

Këtu kalon makina,
Këtu derdhet benzina,
Këtu derdhet mielli,
Këtu derdhet sheqeri,
Pi-ip,
Ia bën shoferi...