Friday, March 14, 2008
Dita e Verës
Nje tradite shqiptare
Dita e Verës është festuar në trojet shqiptare që në kohët e vjetra. Këtë e deshmojnë shumë shkrime të kohës në arkivin e bibliotekës kombëtare. Gjithashtu, Dita e Verës, i gjen gjurmët edhe tek arbëreshët e Italisë. Në këtë ditë, arbëreshët përtej detit shkulin një tufë bari, së bashku me rrënjën, për të kujtuar vendlindjen. Ky akt simbolizonte “edhe një vit tjetër larg atdheut”. Sipas gojëdhanës, Dita e Verës është e lidhur me Zanën e Cermenikës. Cermenika, sipas kësaj gojëdhane, është vendi i parë ku nisi festimet Dita e Verës. Kjo zanë ishte zana e tëre pyjeve dhe kafshëve të pyjeve, dhe përfaqëson bukurinë femërore, mbarësinë, pasurinë dhe gjallërinë e jetës.
Dita e Verës, ose sipas gojëdhanës Dita e Zanës, simbolizon largimin e stinës së ftohtë dhe ardhjen e një stine të re, më të pëlqyeshme për të gjithë, ardhjen e pranverës. Në 14 mars, bimësia zgjohet nga gjumi dimëror dhe nis të thithë nga toka lëngjet që i nevojiten për t’u rritur. Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre për të festuar së bashku. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtambën për ta mbushur me ujë të freskët, dhe sillnin në shtëpi nje plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehëronin portokallet dhe ullinjtë. Dreka e kësaj dite ishte një “rit” plot humor dhe shijim për të gjithë. Zakonisht kjo drekë kalohej në natyrë, ku të rinjtë organizonin lojëra popullore, ndërsa të vegjlit vraponin të mblidhnin manushaqe e karafila të porsacelur.
Embëlsirat tradicionale, ballokumet e revania, që të gjitha me shumë gjalpë, miell misri e vezë, kanë një recetë që në fakt më të mirë, e bëjnë vetëm gratë në moshë të thyer ose ato që i kanë qëndruar besnike traditës së të parëve të tyre. Qyteti i Elbasanit vecanërisht dhe krahinat përreth kanë meritën që e kanë ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi traditën e Ditës së Verës. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit, për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë e famshme, që në këtë ditë, sipas vendasve “goditen” ndryshe nga herët e tjera. Por, edhe gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, që tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve. Vitet e fundit kjo festë ka marrë përmasa masive dhe është përhapur në të gjithë Shqipërine ku festohet me bujë dhe me shumë gëzim.
(mbledhur nga shkrime të shumta)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
2 comments:
shum e mir
Bravo
L
Post a Comment