![](https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEio8fYF-szwtnot8HkIi3SMBnQUiPtu5FB4cL7TmTYOHE3-o3xLYRVlGPsV8uVP2hAeCOw2c3zjqVOlN-1r09IPqHEpvXODjDGEwZpb0G9q5aX-P1vpVLXRaDnZvn7ed0d-lGbE2MOYmy8/s200/wise-old-man-andrew-judd.jpg)
Njeriu një jetë ka dhe ajo nuk i kthehet kurrë më për së dyti. Edhe plaku i moçëm, një jetë pati, mbushi njëqind vjet dhe vdiq.
Po tregojnë se, para se t'i shuheshin qirinjtë në gropat e syve, u tha djemve aty pranë shtratit të lamtumirës:
-Bijtë e mi, njeriu është mysafir në këtë botë. Prandaj, po jua le me gojë që, kur të bujtni në shtëpinë e tjetrit për mik, mbani me vete tri gjëra të thjeshta: një metër, një gur kandari dhe një gjilpërë.
![](https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEglZuDAq6LSaHXdgZVzfgUjaf6zFTR5OxD-WsHnnv06LvS668qpd-iTEx_UI1f5_KgIQCC-HOiXmWt3JbSVV0K1RQBoCIIwVFCvNsW982cyHSHzxy2n7WF36LHGENZyuFtSUHW7iUPf4j0/s200/tapemeasure.gif)
-Përse një meter, baba?! - foli djali i parë, ose gishti i madh i dorës, siç e quante plaku, pasi qe më i madhi në moshë se vëllezërit dhe donte vend të veçantë në qoshen e vatrës.
Plaku i hodhi një vështrim të zgjuar.
-Që të matësh vendin kur rri mes të tjerëve, biri im.
![](https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEjC96WyOnRwOTkQwprACv9YQ-bHwsx7z2XZDQ5aGQkZouUhFeRrEGKf9vHpfogdviovYDMHXt3UiOnBG1DJmmlN92ric-XOrqB23qYSuKd0Jn5ozBOSbDdKz1xVPslZGjrtwmNTp9QKjSI/s200/scales41.jpg)
-Përse një gur kandari, baba?! - foli djali i dytë, ose gishti i gjatë i dorës, siç i thoshte i ati, pasi qe më i gjati në familje dhe bënte punët më të rënda.
Plaku i hodhi një vështrim të matur.
-Ta peshosh fjalën tënde para se ta thuash, biri im.
![](https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEjrf_eSiwn_hKX5pvxRvb1TFhmWcJq2sl0rxKpxtkTNujlft3t-O_AIouRFkENkfB77kTE1hl7qQ2Pm9jGLpTo71E5nF-FWZwbuZfyCFHL9pb7eZ9BeourPFTitwvzhLqK3vI9bvpVG-PQ/s200/Thread_and_needle.png)
-Përse një gjipërë, baba?! - foli djali i tretë, ose gishti i vogël i dorës, siç e quante babai, pasi qe më i vogli në moshë dhe trajtohej gjithkund "pas të tjerëve".
Plaku i hodhi nje vështrim të mençur.
-Para se te thumbosh tjetrin me fjalë, ta provosh në veten tënde më parë, në të dhemb apo të djeg, biri im.
Dhe për të fundit herë plaku foli gjuhën e mëmës:
-Dhe tani, bijtë e mi, trupin tim ia fal tokës dhe mendjen time jua le juve...
Wise Old Man Painting: Andrew Judd
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.