![](https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEj52D68M4FboATyjvrtKF9vt5e5sl9FN_xz4edAEBsTBp5_VNATZcEBOqhaSqtRlVEOl-Hg7eYHEb2Q3gLwiHtrshxCXqPINTVG17rSwK7QM_4duXEigROfGffgCloLJYlsY2_DZ87hyphenhyphen3U/s200/shqiponja.png)
Një djalosh kishte dalë për gjah në malet e Shqipërisë. Një shqipe fluturoi sipër tij, dhe u ndal në majë të një shkrepi. Shqipja ishte jashtëzakonisht e madhe dhe mbante në çapojt një gjarpën. Mbas pak shqipja fluturoi prej shkrepit ku kishte çerdhen. Djaloshi u ngjit në majë te shkrepit dhe gjeti në çerdhe zogun e shqipes që po luante me gjarprin e mbytur. Por gjarpri nuk ishte vërtetë i mbytur. Befas ai lëvizi, ngriti kryet, nxori thimthin dhe bëri të pickojë zogun. N'atë çast djaloshi nxori harkun dhe vrau me shigjetë gjarprin. Mandej ai mori zogun e shqipes dhe u nis kah shtëpia e vet. Befas ai dëgjoi mbi krye zhurmën e krahëve të shqipes.
"Pse ma grabite foshnjen?" thirri shqipja.
"Foshnja është e imja, sepse unë e shpëtova nga gjarpri që ti nuk e kishe mbytur" u përgjigj djaloshi.
"Jepmë foshnjën time, dhe unë do të jap si shpërblim mprehtësinë e syve të mi dhe fuqinë e krahëve të mi. Ti do të jeshë i pamposhtun dhe do të quhesh me emrin tim!"
I riu i dha shqipes zogun e vet. Kur u rrit zogu, ai i sillej mbi krye djaloshit, që tani ishte bërë burrë. Me harkun e vet ai mbyti shumë bisha të pyllit, dhe me shpatën e vet ai preu shumë armiq të vendit. Ndër të gjitha këto vepra shqipja i printe dhe e drejtonte.
I çuditur nga këto punë, populli e zgjodhi mbret gjuetarin trim. Ai e quajti Shqiptar, që do të thotë "Bir i Shqipes", dhe mbretëria e tij mori emrin Shqipëri, që do të thotë "Vendi i Shqipeve."
(nga frosina.org)
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.