Tuesday, January 24, 2012

Gje e gjeza

Mbi dy brigje, qëndron shtrirë,
Këmbët n'ujë ngulur mirë,
Përmbi të ,makinat shkojnë,
Nën të ujërat gurgullojnë.
(Ura)

Image from: picture-book.com

Tuesday, January 10, 2012

Gjeli, qeni dhe dhelpra

Na rronin njëherë një plak e një plakë. Ata ishin shumë të varfër. Nuk kishin gjë tjetër, veç një gjel e një qen.
Një ditë qeni i tha gjelit:
Eja, gjel i dashur, të shkojmë në pyll, të gjejmë ndonjë gjë për të ngrënë.
U nisën. Kur po errej, u futën në pyll dhe zgjodhën për të fjetur një pemë me zgavër. Gjeli hipi në pemë, qeni u fut në zgavër.

Në mëngjes gjeli nisi të këndonte: ki!- kii! - kiii!
Me ta dëgjuar dhelpra, iu afrua pemës dhe filloi të lavdëronte gjelin.
- Sa i bukur qenke, o gjel! Sa zë të ëmbël që paske! Eja sot për drekë tek unë, se të dua shumë!
- Mirë, - i tha gjeli, - por unë kam edhe një shok.
- Ku është shoku yt? - pyeti dhelpra.
- Ja, atje, në zgavër, iu përgjigj gjeli.
Dhelpra iu afrua zgavrës dhe futi kokën.
Qeni e kapi për fyti dhe e mbyti.

Sipas Vehbi Balës.

Tuesday, January 3, 2012

Shoku im

Kam një shok,
të dy tok
shkojmë orë pa mërzi;
më tregon,
më mëson
shumë gjëra që s'i di.


E shtrëngoj,
e pushtoj
plot gëzim e dashuri.
Fort e dua,
se për mua
është shok për mençuri.

Pa përtim,
me durim,
shoku im më ndihmon,
dhe ky është...
Kush e di?
Libri im që më mëson.

Autori: Bekim Gaçe.