Wednesday, December 22, 2010

Cfare thote kusia?


Një mbret i ri, në moshë rreth 25 vjeç, i pa martuar, e trashëgoi fronin nga i jati. Ai djalë ishte pak i çuditshëm për mbretërinë, sepse pyetjeve të tija, të pakët ishin ata që mundeshin ti përgjigjeshin! Bashkë me fronin, nën urdhërat e tij ishin edhe të gjithë ata që i kishin shërbyer me besnikëri babait të tij. Njëri nga këta ishte një këshilltar me gradën gjeneral, i vjetër në moshë, rreth të 60-tave, dhe me flokë të thinjur.
Një ditë prej ditësh, Mbreti dhe Gjenerali, kështu quhen në përrallë, ishin duke biseduar në dhomën mbretërore, rreth oxhakut sepse ishte vjeshtë dhe koha kishte filluar të ftohej. Në çengelin e oxhakut, ishte varur një kusi me ujë, e cila përdorej për të mos u tharë ajri i dhomës. Për një moment nuk po fliste asnjëri dhe dëgjohej vetëm kllu-kllu i ujit që valonte dhe tek-tuk ndonjëçik ujë që binte në zjarr, duke lëshuar atë zhurmën karakteristike të tij. Kush ka qën mbret, e di shumë mirë se ç’do të them! Befas Mbreti e pyet Gjeneralin:
- Çfarë thotë Kusia?


Gjenerali qeshi! Duke menduar se Mbreti bënte shaka, sepse nuk e kishte dëgjuar herë tjetër këtë lloj pyetje! Por Mbreti këmbënguli dhe e pyeti përsëri:
- Çfarë thotë Kusia?
Përsëri Gjenerali ja ktheu me të qeshur:
- Kusia? Çfarë do thotë? Asgjë!
- Jo! – Ja ktheu Mbreti.- Ajo thotë një gjë!
- Po çfarë do thotë Kusia?- Ju përgjigj Gjenerali me kureshtje.
- Atë dua të gjesh. – I tha Mbreti i vendosur dhe prerë.- Përndryshe nuk meriton të jesh pranë meje.

Gjenerali e kuptoi se Mbreti nuk bënte shaka, por nuk dinte si ti përgjigjej! Mbeti i shtangur dhe u ngrit rrëmbimëthi duke kërkuar leje të largohej.
- Ik. -I tha Mbreti- Ke tre ditë afat për t’a gjetur!

Gjenerali u largua, duke mos e kontrolluar fare veten! Në dalje të portës së jashtme, u përplas me Bahçevanin e pallatit. Edhe Bahçevani ishte një burrë i moshuar, pothuajse në një moshë ma Gjeneralin.
- Ej! Ku i ke sytë? Nuk shikon ku i hedh këmbët? – I foli Bahçevani.
- Ou! Më fal! Nuk e kisha mëndjen!- Ju përgjigj Gjenerali.
- Ku e kishe mëndjen?- E pyeti Bahçevani.
- Lëre mos më pyet!- I tha Gjenerali.
- Po ti fol, se mund të ndihmojmë!- I thotë Bahçevani.
- Nuk e di por… Kështu, kështu… më ndodhi! I tregon gjithë historinë me Mbretin.
- Dëgjo këtu.- I thotë Bahçevani.- Unë nuk të jap dot xhevap, por e kuptoj se kot nuk të ka thën Mbreti! Këto janë nga ato fjalët që përgjigjen e kanë në hejbe, si i thotë një fjale të urtë! Po ti mos u mërzit se në një fshat jeton një vajzë e re, e cila u kthen përgjigje këtyre pyetjeve.
- Në cilin fshat? - E pyet Gjenerali.
- Një ditë larg është prej këtej. Ajo është shumë e zgjuar. Jeton vetëm me babanë.- E sqaroi Bahçevani.

Gjenerali pasi e dëgjoj me vëmëndje, mësoi edhe fshatin ku banonte vajza e zgjuar dhe vendosi që të nesërmen në mëngjez të shkonte atje për të mësuar përgjigjen që do t'i shpëtonte kokën!
Mezi priti të gdhihej! Sapo çeli dita i hipi kalit. Ishte i veshur civil, jo me uniformën ushtarake, që të dukej sa më i thjeshtë dhe mori rrugën për në fshat. Me vehten e tij bënte llogari, se si do gjente sa më kollaj shtëpinë e vajzës! Si do hynte në bisedë! Mendonte edhe ai ndonjë pyetje të ngjashme me atë pyetjen e Mbretit. E bëri llogari që në të ngrysur të gjendej në fshatin e duhur.

Në të perënduar të diellit u gjend në fillim të fshatit të adresuar. Ai ishte një fshat në rrëzë të një mali të lartë. Aty në anë të rrugës pa një fshatar, i cili po lëronte (plugonte) tokën me qe’! Pasi e përshëndeti, Gjenerali e pyeti nëse kishte zjarr për të ndezur një cigare, ndryshe nuk kishte se si të hynte në bisedë me fshatarin.
- Edhe zjarr kemi, edhe duhan kemi!- Ju përgjigj fshatari, një burrë rreth të 50-ave, me një bujari karakteristike të një të varfëri por fisnik!
Gjenerali i zbriti kalit, e la të kulloste në ledhin e arës dhe vetë shkoi u takua me fshatarin bujar. U ulën të dy ashtu siç ishin, mbi arën e sapo lëruar dhe e drodhën nga një cigare, duke përdorur gjethet e kallirit të misrit(lëpushka), në vënd të letrës. Kështu ishte atëherë! Duke tymosur duhanin e fortë të fshatarit, Gjenerali mendonte se si do vazhdonte biseda më tej!

- Ka ndonjë Han në këtë fshat që të gdhihemi për sonte, sepse jam për rrugë të gjatë?-Pyeti Gjeneral, për të hapur muhabet.
- Han nuk kemi në fshat, por... ti mos u mërzit se e kemi një copë kasolle për miq e për shokë!- Ju përgjigj fshatari.
- Të fleminderit por... nuk dua të të bezdis se ke kalamjt e tu e familjen tënde, e më duket sikur do të vë në siklet.- Ja ktheu Gjenerali.
- Ooo ç’është ajo? Unë vetëm një vajzë të vetme kam.
Aha ! Mendoi gjenerali. Paskam goditur në personin e duhur. Për këtë u gëzua dhe e pranoi me kënaqësi ftesën e fshatarit. Kështu që kishte kohë të mendohej edhe për “Kusinë” .
- Të faleminderit shumë! -Ja ktheu përsëri gjenerali dhe u ngritë, pasi u ngritë edhe Fshatari, i cili filloj të lëshonte të dy qetë kurse parmëndën e hodhi në krah. U nisën të dy, Fshatari përpara dhe Gjenerali mbrapa.

Gjenerali e pa të arsyshme që të mos i hipte kalit por, për respekt, ta ndiqte fshatarin më këmbë dhe kalin e mori për dore! Mbasi ecën një cop herë, gjenerali e pyet:
- Do më ngresh, a të të ngre?
Fshatari u mendua një cop herë. ”Po ky dreq! Unë kam parmëndën në krah! Ky kalin e ka bosh! Çdo të thotë me këtë?” E kuptoi se ishte pyetje me tjetër kuptim, ndaj bëri sikur nuk e dëgjoi.

Vazhduan përsëri rrugën. As Gjenerali nuk këmbënguli më. Më lartë rruga kalonte përmes varrezave të fshatit! Atje ishte një varr i freskët. Gjenerali përsëri pyeti Fshatarin duke u drejtuar nga varri i freskët:
- Po ky këtu? Rron apo ka vdekur?
Përsëri Fshatari u mendua! “Ky e shikon që është varrosur! Ç’do të thotë me këtë?” Përsëri heshti, pa kthyer përgjigje. Por edhe Gjenerali nuk i tha gjë.

Gjenerali mendonte se mbase gjente ndonjë kusi në zjarr, e kështu do ishte më e lehtë të hynte në temën që kërkonte!
Mbas pak arritën tek shtëpia e Fshatarit. Fshatari i foli vajzës së tij dhe ajo doli në oborr. Ishte një vajzë rreth 20 vjeçe, me flokët zeza si pënda e korbit, të gjata që i binin deri në mes dhe e bukur në fytyrë. Fshatari i dha urdhër që të priste e nderonte mikun! Ajo menjëherë pas përshëndetjes, i mori kalin nga duart dhe duke e ftuar të hynte brënda në odën e miqëve, shkoi të rregullonte kafshën e lodhur. Duke u larguar Gjenerali vuri re se vajza çalonte pakëz.

Gjenerali hyri brënda në një dhomë të vogël me oxhak, zjarri ndezur dhe në zjarr vënë një kusi, mbi një perosti! Sa u gëzua Gjenerali kur gjeti një ambient të tillë!Pas pak erdhi edhe Fshatari dhe i uroi mirseardhjen mikut, sipas zakonit, duke i dhënë edhe dorën. Pasi u takuan,Gjenerali përsëri pyeti:
- Çfarë thotë kusia?
Fshatari përsëri bëri sikur nuk e dëgjoi, pasi nuk dinte çfarë ti përgjigjej!

Pas pak erdhi vajza e cila u pruri kafetë dhe i uroi mirseardhjen edhe mikut të sapo ardhur. Pasi pinë kafenë, Fshatari ju drejtua vajzës, tek e cila gjithmonë kishte gjetur sqarim për shumë gjëra që ai nuk i kuptonte.
- Moj bija ime! E ftova këtë mikun në shtëpi sepse është për rrugë të largët dhe më erdhi keq që nuk kishte ku të gdhinte natën!
- Po mirë bëre baba! Shtëpia për miq e për shokë është e hapur!
- Po mirë po... ky ma ka bërë tre herë borxh, e unë nuk dija si t’i përgjigjesha!
- Çfarë të tha baba?
- Po ja... e para! Kur po vinim lartë për në shtëpi ky më pyeti: ”Do më ngresh a të të ngre?” Unë nuk dija si t’i përgjigjesha e bëra sikur nuk e kuptova!
- Po mirë të ka thënë baba! Ai të ka thënë: ”Do më llafosësh a të të llafos?” Ju do kini qënë të heshtur?
- Eeee! Ashtu është. Nuk po fliste asnjëri.
Aty Gjenerali u bind se vajza vërtetë ishte e zgjuar.
- E dyta,- vazhdoi Fshatari- kur kaluam tek varri i …filanit! Prapë më pyeti: “Po ky, është gjall apo ka vdekur?”
- Po mir të ka thënë baba! Ai të ka pyetur: "Ka lënë trashëgimtar, apo është shuar fare?"
- Aaa! Nuk e kuptova moj bijë. Po do më falësh se aq ma pret kjo rradake!- I tha Fshatari së bijës.
Gjenerali tani mezi priste të dëgjonte përgjigjen e asaj që kishte marrë udhën, e që do t’i shpëtonte kokën! I hapi sy e veshë, pa folur, për të dëgjuar dialogun që bënin babë e bijë!
- E treta moj bijë! Sapo erdha këtu më pyeti: ”Çfar thotë kusia?” Unë prapë nuk dija ç’ti thosha! Flet kusia? Ndaj e lashë që të të pysja!
- Aaa! Edhe kusia fletë! Për këtë e kam fajin unë, se u mora me punë dhe nuk kam kohë!
- Po çfarë thotë kusi moj bijë?
- Kusia thotë: “Do më hedhësh ujë të ul valën, apo të shuaj zjarrin?”

Kjo nuk i kishte shkuar kurrë në mëndje Gjeneralit! Prandaj e pyeti Mbreti?! Tani u kujtua ai se për nga shkalla ishte ai që duhej të ngrihej e ti hidhte ujë kusisë!Tani gjenerali e ndiente veten të çliruar e të pa mposhtur. Ai sapo kishte mësuar një sekret që të pakët ishin ata që e dinin!
Atë natë ndëjtën deri vonë duke biseduar, hëngrën, pinë, fjetën, pa u zbuluar se “Miku”, me të cilin bisedonin ishte këshilltari kryesor i mbretit!

Kur u ngritë Gjenerali në mëngjez, vajza ju solli kafenë. Duke pirë kafe,”Miku” i thotë Fshatarit, me qëllim që ta dëgjonte vajza dhe si do përgjigjej.
- Shtëpinë të mirë e paske, por oxhaku sikur është njëçikë shtrëmbër!- ( E kishte fjalën për vajzën që ishte e zgjuar por çalote pakë! )
Vajza e kuptoi, ku e kishte muhabetin “Miku” dhe ju përgjigj në momentë:
-S’ka gjë! Dorë ustai është! Mjafton që tymi ikën drejtë!-( E kishte fjalën se mjafton që e kam kokën plotë!…)

Gjenerali e pa se ishte vërtet për t’u admiruar, e shum e zgjuar, prandaj u ngritë, u përshëndet duke i falenderuar dhe u largua për andej nga erdhi!

Të nesërmen shkoi tek pallati i mbretit, i qeshur e i gëzuar. Kur e pa kështu Mbreti e kuptoi se do kishte ndonjë lajm të mirë.
- Hë?- E pyeti, pa pritur që ti thoshte ai.- E gjete ç’thotë kusia?
- Po. E gjeta!
- E çfarë thotë kusia në zjarr?
- Kusia thotë: Do më hedhësh ujë të ul valën,apo të shuaj zjarrin?
- Kush ta tha?- E pyeti Mbreti me një mënyrë këmbëngulëse, pasi ishte i sigurtë se nuk ishte mëdja e tij!
- Vetë e gjeta!- Ja kthen Gjenerali duke u skuqur në fytyrë.
- More... Që nuk është mëndja jote, për këtë jam i sigurtë. Por thuama se tani do ta pres vërtet kokën si gënjeshtar!
- Gjenarali detyrohet t’ja tregojë të gjithë historinë si i ndodhi, që ju të dashur “kalamaj” e mësuat më lartë. Por përralla vazhdon akoma!

Mbreti shkoi ne fshatin e largët në rrëzë të malit, e gjeti vajzën e zgjuar, dhe e mori për grua. Dhe të dy rruan e trashëguan.


Friday, December 17, 2010

Gjë e gjëza (Rruga)


Të gjithë sa shkojnë,
Me këmbë e coptojnë,
Të gjithë sa vijnë,
Me këmbë e grijnë.

(rruga)

Faleminderit, Mirlind.

Wednesday, December 15, 2010

Gjë e gjëza (Kërpurdha)


Është porsi cadër,
Me një këmbë rri,
Fushave të gjera,
Del kur bie shi.

Ç'është a e di?

(Kërpurdha)

Falemiderit, lin2.