
Një çifligar vendosi të kontrollonte se si punonin argatët e çiflikut të tij. Në të vërtetë ata punonin shumë. E fillonin punën që me natë e linin kur errej fare. Por çifligarit i dukej se ata punonin pak, se dita qe shumë e shkurtër.
Një herë u thotë argatëve:
- Me sa shoh unë ju nuk punoni keq. Fajin e ka dita që është e shkurtër. A ka ndonjë midis jush që mund ta bëjë ditën më të gjatë?
- E bëj unë zotëri, - thotë një argat i hollë e i gjatë. Unë do të bëj një makinë që të zgjatë ditën sa të dojë Zotëria juaj. Veçse këtë makinë duhet ta vëjë në veprim vetëm i zoti i punës, vetë çifligari.
- Mirë. Fillo nga puna që tani për përgaditjen e makinës tënde.
- Dhe argati filloi nga puna: preu disa drurë, i gdhendi e i bëri të drejtë si boshte, preu disa trungje, i gdhendi e i bëri të rrumbullaktë si rrota. Rrotave u bëri ca dhëmbë dhe pastaj i futi në boshte. Në këtë mënyrë, pregatiti ca ingranazhe të madhësive të ndryshme. Së fundi pregatiti një dorëzë të madhe. I montoi të gjitha këto dhe makina u bë gati për punë.
- Tani – i tha argati çifligarit,- rrotulloje dorëzen dhe dita do të zgjatet aq sa makina të jetë në punë d.m.th. sa të duash zotrote, veçse nuk duhet ta ndalosh rrotullimin e rrotave të makinës.
Dhe e vuri vetë në veprim makinën që t’i tregonte zotërisë sesi punonte makina. Filloi çifligari të rrotullonte dorëzen që rrotullonte edhe rrotat. Puna ishte e thjeshtë por e vështirë dhe e lodhshme. Kaloi një orë. Çifligarit filluan t’i bien djersët. Hoqi xhaketën. Filluan t’i digjnin duart, por nuk e ndërpreu punën sepse shkurtohej dita. Kështu ai punoi deri në mbrëmje, derisa u err. Dita iu duk shumë e gjatë.
-E sheh zotëri, se dita u zgjat ashtu siç të premtova?
- Kjo është e vërtetë, dita u zgjat bile u zgjat si shumë,- tha çifligari,- veçse nuk ka mundësi që këtë dreq doreze ta vërtitë dikush tjetër?
Mundësi ka, veçse dita nuk do të zgjatet aq sa do zotrote.
- E po mirë, - tha çifligari. – Le të zgjatet sa të zgjatet, fundja të qëndrojë edhe ashtu siç ishte…
Dita zgjati aq sa e kishte bërë Zoti dhe çifligari nuk u lodh më.
Read more...