Friday, March 28, 2008

Besa e Kostandinit

Tregimet shqiptare nuk mund të jenë të plota pa legjendën e besës...




Gjashtë e gjashtë dymbëdhjetë,
Doruntina trembëdhjetë !...

Ish njëherë e një mot një nënë që i kish dymbëdhjetë bij të hijshëm. Të trembëdhjetën kishte një bijë të bukur mbi shoqet të gjitha, që ia thoshin Doruntinë.
Vasha u rrit e u bë për tu martuar. Mirëpo nga bujarët e atij vendi askush nuk e gëzoi. Të gjithë e dëshironin askush s'guxonte ta zërë nuse, sepse nuk e ndjente veten të zotin për ta marrë për shoqe. Atëherë na vjen një trim i largët; i mirë, i hijshëm, i fisëm dhe nis dërgon shkesë dallëndyshen që t'a kërkojë Doruntinën nuse. E ëma dhe njëmbëdhjetë vëllezërit e mëdhenj nuk donin t'ia jepnin, sepse trimi ndonëse i mirë e i fisem, ishte nga një vend shumë i largët. Vetëm i vogli, Kostandini donte.
- T'ia japim zonja mëmë - thosh ai - se trimi është i mirë. Më ka hyrë në zemër.
- Kostandin biri im, çfarë po më thua? - ia kthente e ëma. Aq larg do ma shpiesh Doruntinën time? Se në e daca për gëzim, për gezim nuk do t'a kem; se në e daca për helm, për helm nuk do t'a kem.
- Të jap besën zonja mëmë, se kur t'a duash ti Doruntinën, qoftë për gaz, qoftë për helm, vete unë e t'a sjell!.

Mëma dhe njëmbëdhjetë vëllezërit u bindën: e vluan dhe e martuan Doruntinën me trimin e largët. Bënë dasmë nëntë ditë. Të dhjetën trimi mori nusen e shkoi tek dheu i tij. Mëma e vasha qanë me lot kur u ndanë ...

Shumë luftra u luftuan atë mot te dheu ynë, se kish ardhur i huaji t'a shkelte e t'a pushtonte. Të dymbëdhjetë vëllezërit dolën të luftojnë për vendin e tyre dhe u vranë një pas një të gjithë.

Kur u vra djali i parë, mëma psherëtiu e tha:
- Biri im unë nuk kam helm e nuk do të të qaj, sepse ti re për dheun tënd e më mbetën dhe njëmbëdhjetë bij të tjerë për luftë.

Kur iu vrane gjashtë, që të gjashtë trima e të dashur, ajo derdhi vetëm nga një lot për secilin e bëri vetëm nga një vajtim.

Po kur nisen t'i vriten dhe të tjerët, mëmës iu keput zemra dhe lëshoi një psherëtimë të madhe sa uturoi tërë vendi:
- Mjere unë, c'helm i madh të mos kem Doruntinën pranë ne këtë zi që me mbuloi shtëpinë!.

Kur u vra djali i fundit, Kostandini, mëma shkuli leshrat e bardha e thirri:
- Bobo, c'vdekje, e nëmosura vdekje! Ti më more dymbëdhjetë bij e tani kush e di a s'ma ke marrë edhe bijen time të vetme, bijën time të dëshiruarën!

Kur u gdhi e shtuna e te vdekurve, mëma vajti te varret e të bijve. Dymbëdhjetë djem kish pasur, dymbëdhjetë varre kish tani... Mbi çdo varr ndezi nga një qiri e bëri një vajtim, po mbi varr te Kostandinit ndezi dy qirinj dhe bëri dy vajtime, qau me ngashërime dhe thirri tre herë:
- O biri im! O biri im! O biri im!...
Edhe tri here te tjera:
- O Kostandin! O Kostandin! O Konstandin!
Pastaj u shemb perdhe, pushtoi gurin e varrit e u trua:
- Kostandin, o biri im, ku është besa që më dhe? Besa jote nën dhe! Kalbet në varr të zi!
Kështu tha dhe e lau gurin me lotët e syve.


Në mesnatë Kostandini u ngrit nga varri. Guri i varrit u bë kalë i zi si nata. Edhe dheu i zi u be shalë e zezë si nata. Rrotulla qe mbante gurin u be fre i argjendtë. Trimi i hipi kalit, u perkul përpara, uli kryet dhe i ra me shporet. Kaptoi si frymë male e fusha, hodhi lumenj e përrenj, la prapa katunde, kodra , pyje...

Kostandini arriti te shtëpia e motrës kur kish dalë dielli. Ajo ndodhi ditë e kremte. Në shesh, përpara shtëpisë, gjeti të bijtë e të motrës, nipërit e tij, që loznin e vraponin pas dallëndysheve. I pyeti:

- Bij te zemrës, ku është zonja, mema juaj?
- Kostandin, o zoti lalë, - i thanë ata - mëma jonë po hedh valle në fshat, atje tek bëhet dasmë.

Kostandini shkoi shpejt tek vallja e parë, pa një luzmë vashash te bukura tek këndonin e vallonin dhe tha me vete : "Të bukura jeni, moj vasha, por për mua nuk jeni, sepse unë s'jam nga kjo botë...". Dhe u afrua të pyesë:
- Gezuash, o vasha te bardha! A është me ju Doruntina, motra ime?
- Shko përpara trim, se do ta gjesh tek kërcen veshur me petk të ndritshëm kadifeje.

Kostandini vajti tek vallja e dytë dhe u mat te pyese përsëri, po Doruntina e pa vete dhe i thirri:
- Kostandin, o im vëlla!
Dhe iu afrua e përqafoi.
Kostandini i tha:
- Doruntinë, motra ime! Eja të shkojmë. Të do zonja mëmë në shtëpi!
- Më thuaj vëlla, si të vij? Po të me doje për gaz, të vete të marr stolitë me të mira, po të me doje (mos qoftë e thënë) për helm, do vete të vishem me të zeza.
- Eja motër, ashtu si je!.

E mori ne vithe te kalit. Kali iken si shakullime. Ata kapërcejne si në ëndërr male e fusha, pyje e kodra, lumenj e përrenj. Hëna e yjet kanë shtangur lart e shikojne me të drojtur. Zogjte a malit peshpërisin:
- Keni parë, s'keni parë, shkon i vdekuri me të gjallë! ...

Gjatë udhës, motra e pyet vëllanë:
- Kostandin, vëllai im, përse shpatullat e gjëra të janë mbushur me myk?
- Doruntinë, motra ime, shpatullat mi ka mbuluar tymi i shkluhave në luftë. Se në vendin tonë u bënë luftëra të mëdha, erdhën armiq të na shkelin dhe ne të gjithë dolëm të luftojmë.

- Kostandin, vëllathi im, përse flokët e derdhura i ke gjithë pluhur?
- Doruntine motra ime, gjatë udhës kishte shumë pluhur dhe mi pluhrosi flokët.

-Kostandin vëllathi im, përse vëllezërit e mi të bukur si drita, s'kanë dalë përpara të na presin?
- Doruntinë, motra ime, ndoshta janë në lodër e s'presin të vemi sonte.

- Kostandin vëllathi im, përse dritaret e shtëpise janë mbyllur sot krejt?
- Doruntine motra ime, i kemi mbyllur se fryn erë e fortë e dimrit nga deti.

Kur arritën pranë kishes, Kostandini i tha motres:
- Ti shko përpara se unë dua të hyj të përgjunjem!
Kostandini shkoi e hyri prapë ne varr te zi. Kali u be prapë gur, shala u be dhe, dhe freri i argjendtë u bë rrotullë. Dhe përsëri rreth e qark zotëroi heshtja e vdekjes.

Ndërkaq Doruntina ngjiti shkallet dhe trokiti gazmend në derë.
- Mëmë hapma derën!
- Kush je ti që trokëllin aty tek dera?
- Hapma zonja mëmë - Jam jot bijë, Doruntina.
- Ikë tutje nga ke ardhur o vdekje e shkretë. Ti mi more të dymbëdhjetë bijtë e tani ke ardhur të më marrësh dhe mua qe të mos e shoh më Doruntinën time!
- C'po thua ashtu zonja mëmë? Nuk ma njeh zërin? Besa zonja mëmë, jam unë vete, Doruntina jote.
- Ngul gishtin tek vrima e kycit që të ta shoh e të t'a njoh.
Doruntina nguli gishtin e vogël tek vrima e kycit - atë gisht të hollë e të bardhë. Mëma ia njohu sakaq e i hapi derën.

- Kush te solli këtu, o zemra ime?
- Më solli Kostandini, im vëlla.
- Cili Kostandin, moj bije? Kostandini im ka vdekur bashkë me vëllezërit e tjerë. U vranë në luftë...

Dhe si rinin të dyja,
njëra tek praku e tjetra në derë,
plasën si qelqi me verë...

6 comments:

dionixhi said...

Ma rrenqethi mishin historia e Kostandinit dhe Doruntines.

Anonymous said...

shume e bukur por edhe pak e dhibeshme dhe e trishtueshme

Anonymous said...

shume e bukur pak e dhimbshme dhe e trishtueshme !!!

Anonymous said...

Ju pergezoj per kete faqe..
Letersia shqiptare eshte shume e bukur, edhe pse sot nuk eshte si me pare, kjo faqje na risjell dhe na dikton vlerat e perkthyesve, shkrimtareve apo gojedhenat e popullit shqiptar.

Anonymous said...

E ndjej akoma me te dhimbshme kete histori kur mendoj qe jam larg vendit tim dhe sic thote nena e Doruntines: "Se në e daca për gëzim, për gezim nuk do t'a kem; se në e daca për helm, për helm nuk do t'a kem."
Mirela V.

Anonymous said...

E pelqeva shume