Friday, February 8, 2008

Ngutja dhe durimi




U takuan një herë Ngutja dhe Durimi, të dy për të njëjtin hall;

Ngutja kishte blerë dy metra basmë të bukur për të qepur një fustan.
Ajo e shtriu basmën në tryezë dhe pa menduar gjatë ,mori gërshërët dhe filloi të priste.
Prit këtej e prit andej, fap, fap, fap, gërr, gërr, gërr, e bëri copa-copa gjithë basmen.
Pasi bëri këtë punë, u mendua pakëz, mori dy copa dhe i vuri për së gjati trupit, dhe për të zezën e saj, vuri re që e kishte bërë dëm gjithë copën.

-Qyqja ç'bëra!- tha me vehte Ngutja. - Asnjë vajzë e vogël nuk do ta kishte bërë këtë
e jo unë që jam goxha çupë!

Por gabimi tani qe bërë. Ngutja përplaste duart dhe thoshte - korba unë, korba unë, - por pa dobi.
Pasi u qetësua pak mendoi; - Po vete të shikoj pak Durimin, vallë dhe ai e ka prishur copën e pantallonave?.

Dhe me një frymë vajti te Durimi. E gjeti me metër në dorë, duke matur me kujdes dhe duke shënuar me një copë sapuni.

Pastaj shtriu mbi të një palë pantallona të mbajtura, te cilat mbuluan cipë më cipë vizatimin.
-Duket sikur çdo gjë është në rregull, - tha Durimi.
-po ky cepi këtu sikur nuk ma mbush syrin. Pa ta kontrolloj, ..., për besë, bëra mirë që nuk e preva, duhet korrigjuar.

Dhe vazhdonte të korigjonte rrethin e mesit, - edhe këtë mirë e kam shënuar,-
duke vazhduar akoma me kujdes matjet dhe shënimet në fund tha;
-Tani nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të marr gërshërët e të pres copën. Ja ti mbajmë me shëndet, - dhe fër fër e preu copën.

Ngutja e habitur shumë nga Durimi e pyeti:
-Kush të ka mësuar të presësh kaq bukur, more Durim?
-Më ka mësuar gjyshja, - tha Durimi.
-Po si? - vazhdoi kureshtare Ngutja.
-Ja, më ka ngulur në mendje gjashtë fjalë,

"MAT SHTATË HERË, DHE PRIT NJË HERË!"

Populli

No comments: